Çmenduri me biletat/ Milan pranë titullit kampion, tifozët “pushtojnë” tempullin “San Siro”

Çmenduri me biletat/ Milan pranë titullit kampion, tifozët “pushtojnë” tempullin “San Siro”

Milan është shumë pranë titullit kampion në Serie A këtë edicion, me skuadrën e Pioli-t që është vetëm katër pikë larg objektivit.

Të dielën, në “San Siro”, “kuqezinjtë” presin Atalanta-n, në sfidën e parafundit të sezonit. Pak orë përpara sfidës, nga zyrat e klubit të Milan-it është raportuar se ka pasur plot 200.000 kërkesa për bileta.

Një rekord absolut, jo vetëm në këtë sezon, por edhe në vitet e fundit sa i përket kërkesave për të ndjekur nga afër skuadrën. Natyrisht që të gjithë nuk mund të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit, ndërsa ata të cilët kanë siguruar një biletë, mund të konsiderohen me shumë fat.

Ndaj Atalanta-s, Milan luan ndeshjen e fundit të sezonit në shtëpi dhe “San Siro” do të jetë “Sold Out”, me tifozerinë që është futur në ethet e fundit dhe do të jetë aty për të “shtyrë” skuadrën drejt titullit kampion në Itali, që në fillim të edicionit konsiderohej një mision shumë i vështirë.

 

Milan – Atalanta do të luhet të dielën në orën 18:00, ndërsa në mbrëmje, në Cagliari do të zbresë Interi, rivali direkt i skuadrës së Pioli-t në këtë sezon (me 2 pikë diferencë midis dy skuadrave).

Milan për herë të fundit ka arritur të fitojë titullin kampion në sezonin 2010-2011 dhe tani, pas 11 vitesh pritje, “populli” kuqezi është pranë titullit të 19-të në historinë e Serie A.