Çka u tha në Bruskel, detaje nga takimi Kurti – Vuçiq

Çka u tha në Bruskel, detaje nga takimi Kurti – Vuçiq

Bashkimi Evropian ka dhënë detaje për takimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Siç njofton BE, nga ora 8:00 e mëngjesit të së hënës, për tetë orë është zhvilluar takimi urgjent për të dalë nga kriza e krijuar pas vendimit për targat.

Kosova ka propozuar që të pezullojë fazat e mëtutjeshme që kanë të bëjë me targat, në këmbim që Serbia më të mos lëshojë targa ilegale me akronime të qyteteve të Kosovës, e po ashtu BE-ja të fillojë procesin e bisedimeve për propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania dhe Franca.

Bashkimi Evropian ka propozuar që Kosova të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM.

Propozimi i BE-së është refuzuar nga Kurti, ndërsa është përkrahur nga Vuçiq.

Deklarimi i plotë i Borrell pas takimit në Bruksel

“Udhëheqesit e Kosovës dhe Serbisë, morën pjesë në këtë takim, duke ardhur në Bruksel. Dhe ishte e rëndësishme që ata e bënë sepse ne e gjendemi përsëri në një situatë tjetër krize.

Dhe kjo ndodh vetëm tre muaj pas takimit të fundit të krizës – nga kriza në krizë. Kësaj radhe është edhe më keq se në gusht, kur më duhej të vija në Bruksel në mes të gushtit për të shmangur krizën e mëparshme. Që nga gushti, mosmarrëveshja për targat është përkeqësuar. Kosova kishte vendosur që nga 22 nëntori – do të thotë sonte në mesnatë  – të fillojë shqiptimin e gjobave për ata që nuk i kanë riregjistruar veturat e tyre.

Si pasojë, serbët e Kosovës janë tërhequr nga institucionet në veri të Kosovës. Dhe kjo do të thotë se rreth 600 policë kanë dorëzuar uniformat e tyre. Janë dorëhequr edhe gjyqtarët dhe stafi i administratës vendore. Aktualisht, më pak se 50 policë shqiptarë të Kosovës janë duke menaxhuar stacionet policore në rajon – që sigurisht nuk është e mjaftueshme.

Kjo lë një vakum shumë të rrezikshëm sigurie – një vakum në terren, në një situatë tashmë shumë të brishtë. Po, ne kemi një mision atje, kemi misionin e EULEX-it dhe, po ashtu, trupat e KFOR-it janë të pranishëm, por ata nuk mund ta marrin rolin e policisë lokale: nuk është në mandatin e tyre dhe as në kapacitetet e tyre.

Sundimi i ligjit nuk duhet të shërbejë si pretekst për tensione dhe përshkallëzim, duke mos respektuar detyrimet e rëndësishme dhe detyruese të dakorduara shumë vite më parë në kuadër të dialogut [Prishtinë – Beograd] që po zhvillohet nga Bashkimi Evropian dhe paraardhësit e mi, Përfaqësuesit e Lartë.

Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për de-përshkallëzimin, pa dobi. Ky takim i sotëm kishte të bënte me përgjegjësinë e liderëve për të de-përshkallëzuar urgjentisht situatën, për të siguruar që paqja dhe stabiliteti të rivendosen dhe, më e rëndësishmja, do të mbizotërojnë – shmangia e një krize me pasoja shumë të rënda.

Që nga vera e kaluar, ne jemi të preokupuar me menaxhimin e përhershëm të krizave, duke u përpjekur të shmangim një afat pas tjetrit: nga afati në afat, nga kriza në krizë.

Kjo do të thotë se ne nuk kemi qenë në gjendje të adresojmë çështjen reale. Çështja e vërtetë është normalizimi i marrëdhënieve, i cili do të zgjidhte dhe parandalonte situata të tilla krize – pasi shkaqet rrënjësore shkojnë shumë përtej targave.

Ia kam bërë shumë të qartë të dyja palëve se nuk mund të vazhdojmë kështu, se ky rreth vicioz krizash dhe afatesh duhet të ndalet.

Si presidenti Vuçiq ashtu edhe kryeministri Kurti janë liderë të zgjedhur me mandate të forta. Ne presim që ata të tregojnë lidership dhe vullnet për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që ata të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane.

Por pas shumë orë diskutimesh, që prej orës 8:00 të mëngjesit të sotëm, dy palët nuk ranë dakord për një zgjidhje.

Mendoj se ka një përgjegjësi të rëndësishme [nga ana e të dy liderëve] për dështimin e bisedimeve dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren në ditët në vijim.

Për hir të transparencës, më duhet të them se ne bëmë një propozim, që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme, të cilin presidenti Vuçiq e pranoi sot, por fatkeqësisht nuk e bëri kryeministri Kurti.

Për të shmangur përshkallëzimin, unë do të bëj një lutje. Do të kisha dashur të ishte një marrëveshje, por duke qenë se nuk ka marrëveshje, më lejoni t’i pyes në mënyrë solemne të dyja palëve:

Së pari, tani pres që Kosova të pezullojë menjëherë fazat e mëtejshme që kanë të bëjnë me ri-regjistrimin e automjeteve në veri të Kosovës. E përsëris: Pres që Kosova të pezullojë menjëherë fazat e mëtejshme lidhur me riregjistrimin e automjeteve në veri të Kosovës. Dhe Serbia të pezullojë lëshimin e targave të reja me emërtimet e qyteteve të Kosovës, duke përfshirë targat KM.

Ky ishte propozimi që pothuajse e arritëm, por duke qenë se nuk ishte e mundur për shumë arsye të ndryshme [arritja e marrëveshjes], dua të theksoj se po u bëj thirrje të dyja palëve që të zbatojnë këto dy kërkesa.

Kjo do t’u jepte hapësirë ​​dhe kohë palëve që të kërkojnë një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave, në kuadrin e normalizimit të marrëdhënieve që është objektivi ynë më i rëndësishëm.

Ndërkohë, mungesa e marrëveshjes sot do të thotë gjithashtu se duhet të nxjerrim përfundimet tona se si po zhvillohet ky proces negociatash.

Unë do të informoj shtetet anëtare. Unë do t’i informoj kolegët e mi, Ministrat e Punëve të Jashtme dhe partnerët tanë për sjelljen e palëve të ndryshme dhe mungesën e respektimit të detyrimeve të tyre ligjore ndërkombëtare – dhe, më duhet të them, kjo vlen veçanërisht për Kosovën.  E di, kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ.

Në mbyllje, ua kam bërë shumë të qartë të dy liderëve se nëse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektivi i tyre përfundimtar, për të cilin janë përkushtuar të dy, ne presim që ata të veprojnë në përputhje me këtë.

Nga ana ime, unë do ta mbaj Dialogun shumë lart në axhendën time, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian [për dialogun Beograd-Prishtinë], Miroslav Lajçak. Dhe dua ta lavdëroj për punën e tij, për durimin e tij, për angazhimin e tij të fortë. Për sa i përket propozimit që së bashku kishim shtruar dhe që mori mbështetje të fortë nga Franca dhe Gjermania, mendoj se është ende rruga e mundshme për të dalë nga kjo krizë, me perspektivën e normalizimit dhe përmbushjes së plotë të çdo angazhimi, angazhimi dhe marrëveshjeje.

Shpresoj që të dyja palët të veprojnë sipas kërkesave të mia për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe një krizë të re të rrezikshme”, thuhet në deklaratën e BE-së./Telegrafi/