Cipras i bindur se do të kaloj Marrëveshja e Prespës në Kuvendin grek

Në mesazhin e fundvitit para qytetarëve të Greqisë, kryeministri Aleksis Cipras, është shprehur i bindur se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet në Parlamentin Grek. Cipras, raporton SHENJA, në fjalimin e tij tha se viti 2019 do të jetë vit i mbindërtimit të imazhit ndërkombëtar dhe rolit ndërkombëtar të Greqisë, në nivel evropian dhe ndërkombëtar, si fuqi e stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit në rajonin më të gjërë të destabilizuar.
Aleksis Cipras, kryeministër i Greqisë
“Në këtë përpjekje, hap i rëndësishëm është Marrëveshja e Prespës që do të ratifikohet nga Parlamenti grek, duke mbyllur një cikël të joproduktiv 30 vjeçar të jo aktivitetit, që i kushtoi shumë atdheut tonë. Me ratifikimin e marrëveshjes, Greqia përfundimisht e mbron trashëgiminë e madhe kulturore dhe karakterin grek  të Maqedonisë antike dhe në të njëjtën kohë e siguron rolin e vetë udhëheqës në rajonin më të gjërë të Ballkanit”
Marrëveshja e Prespës në Kuvendin grek do të dërgohet pas miratimit të amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë. Amendamentet janë në fazën e fundit, ndërsa seanca për lexim të tretë është thirrur për më 9 janar. Katër amendamentet e propozuara nga Qeveria pësuan ndryshime pas debatit publik ku morën pjesë edhe ekspertë, si dhe pas pranimit të disa amendamenteve të deputetëve të opozitës.

Bashkë me amendamentet që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, Kuvendi do të miratojë edhe ndryshimet në ligjin kushtetues. Marrëveshja e Prespës i jep fund kontestit tredekadësh mes Shkupit dhe Athinës për emrin e Maqedonisë dhe i hap vendit rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Me këtë marrëveshje Maqedonia ka pranuar të ndryshoj edhe emrin kushtetues në Republika e Maqedonisë së veriut.