Chelsea fiton dhe blindon kreun, Sevilla nuk fal në shtëpi

Chelsea fiton dhe blindon kreun, Sevilla nuk fal në shtëpi

Chelsea mori një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Salzburg me rezultatin 1-2. Në ndeshjen e vlefshme për Grupin E të Champions League, “Blutë e Londrës” gjetën avantazhin në pjesën e parë me anë të Mateo Kovacic. Por, në pjesën e dytë, austriakët surprizuan dhe barazuan në të 49-tën me anë të Adamu.

Gjithsesi, anglezët e kaluan shpejt momentin e vështirë dhe nisën ofensivën në kërkim të avantazhit, i cili do të vinte në minutën e 64-të falë një goli të bukur të Kai Havertz. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi, teksa në minutën e 75-të pjesë e sfidës u bë edhe Armando Broja. Pas kësaj fitoreje, Chelsea udhëheq grupin me 10 pikë ndërsa Salzburg mbetet në vendin e dytë me gjashtë pikë. Një grup në të cilin gjenden edhe Milan me Dinamo Zagreb.

Ndërkohë, në Spanjë, Sevilla mposhti me rezultatin 3-0, Copenhagen. Andaluzianët i shënuan të dy golat në fraksionin e dytë të lojës teksa ai që zhbllokoi shifrat ishte sulmuesi El-Nesyri në minutën e 61-të ndërsa Isco dhe Montiel vulosën fitoren me golat e tyre respektivisht në minutën e 88-të dhe 92. Pas këtij triumfi, Sevilla renditet në vendin e tretë të Grupit G me pesë pikë, ndërsa Copenhagen është i fundit me 2 pikë. Këtë grup e udhëheq Manchester City me 10 pikë, i ndjekur nga Dortmund me shtatë pikë.