Ç’hap dhe ç’mbyll Ballkani i Hapur?

Ç’hap dhe ç’mbyll Ballkani i Hapur?

Ne, shqiptarët, nuk e kemi luksin të gabojmë, sepse në situatën e çështjes sonë kombëtare ato tërheqin pas vetes faturë që e dëmton kombin për të mos e ngritur kokën ndoshta asnjëherë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër na ndanë të tjerët pa vullnetin tonë dhe pa mundësin për t’u mbrojtur. Një gabim i bërë vetë, i shpërblen të tjerët, pa të drejtë për ta rikthyer pas atë që e ke humbur duke gabuar vetë.

Shkruan: Arben LABËNISHI, Strugë

 

Shqiptarët janë vënë përballë nismës “Ballkani i Hapur” me afinitet, perceptime dhe arsyetime të ndryshme nga politika dhe opinionistët në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, të cilat sillen nga kualifikimet si kthjelltësi dhe largpamësi politike në interes të shqiptarëve, deri në përçarje kombëtare dhe tradhti ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Për të ndërtuar një rrëfim që e përfshin si ide, frymë dhe ndodhi projektin “Ballkani i hapur”, përveç dëgjimit dhe analizës së atyre që hiqen si ideatorë dhe, sipas tyre, i sqarojnë qëllimet e tij, kërkon edhe të lexohen mes rreshtash prononcimet e politikanëve e diplomatëve të shteteve të interesuar për rajonin, të vlerësosh pjesëmarrësit në samitet e tij dhe të kthjellohesh me historinë rreth njëshekullore e gjysmës së kombit tonë me fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha.

(Politikën shqiptare në Mal të Zi dhe atë në Luginën e Preshevës, për arsye të mungesës së peshës së tyre në vendimmarrjet në Podgoricë dhe Beograd, në këtë rast nuk e kam radhitur pas tre qendrave të politikës shqiptare. Pavarësisht kësaj situate, ato dhe Çamëria, asnjëherë nuk duhet të neglizhohen dhe anashkalohen, sepse janë pjesë të trevave shqiptare padrejtësisht të aneksuara nga fqinjët tanë më vendimet që kanë ardhur si rezultat i kompromiseve të Fuqive të Mëdha.)

Nga faktorët e brendshëm politikë, diplomatikë, ekonomikë, kulturorë dhe të bashkërendimit të tyre në këto rrafshe në interes të çështjes shqiptare, dy të parat, Tirana dhe Prishtina, janë vendimtare, por edhe politika shqiptare në Maqedoni, me peshën numerike të kombit të dytë, autoktonisë në territorin që shtrihet dhe të vërtetës historike nga copëtimi i trevave shqiptare me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër deri në të sotmen e Maqedonisë së Veriut, i takon vendi pas dy të parave. Këto qendra politike, në kushtet e pas rënies së komunizmit, e kishin për detyrë ta unifikojnë mendimin dhe veprimin politik në raport me fqinjët, organizmat politiko-ushtarake perëndimore dhe shtetet aleate të regjionit dhe ato të nivelit botërore. Këtë ua kërkonte interesi kritik, madje mund të thuhet jetik kombëtar, si një komb i coptuar dhe i traumatizuar në gjashtë shtete, në një kohë kur fqinjët ndiqnin dhe thellonin politikat e tyre antishqiptare. Fatkeqësisht, vetë historia e tre dekadave të pluralizmit politik në shtetin politik shqiptar dhe në Kosovë dëshmon për përçarje dhe kriza brendashqiptare. Vorbulla shqiptare, që i ka brenda saj në raporte që s’lejojnë ekuilibrin për progres, normalen dhe patologjiken, të drejtën dhe të padrejtën, të ligjshmen dhe të paligjshmen, nacionalistin dhe kozmopolitin, të palëkundurit në idealet reale dhe sharlatanët, ka tendenca që këto prapësi të thellohen për ta varfëruar edhe më shumë kombin dhe shqiptarizmën.

Ata që e kanë orientuar dhe vazhdojnë ta orientojnë politikën në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, janë interesat meskine, megalomania, injoranca dhe ndërhyrjet e huaja nga jashtë, të cilat, me disa përjashtime, janë vepra nga pozita antishqiptare.

 

Ekuilibri brendaballaknik i domosdoshëm për stabilitet dhe paqe

 Ballkani, për arsye të pozitës gjeostrategjike dhe resurseve natyrore ekonomike, ka qenë dhe vazhdon të jetë një regjion i brishtë, ku janë përplasur dhe vazhdojnë të shtyhen gjeopolitikat e Fuqive të Mëdha. Fatkeqësisht, historia e së kaluarës dhe realiteti i sotëm dëshmojnë se në kundërshtim me çdo parim kombëtar dhe njerëzor, arenë e këtyre përplasjeve dhe kapitali për t’i kënaqur fqinjët që u janë vërsulur trevave shqiptare me përgjakje dhe pastrim etnik kanë qenë ato treva shqiptare me resurset e tyre. Kombi shqiptar e vuan këtë padrejtësi dhe vazhdon të jetë i traumatizuar nga copëtimi i tij, i cili e ka prishur edhe ekuilibrin natyror, brendaballkanik të domosdoshëm për stabilitetin dhe paqen në këtë rajon.

Rënia e komunizmit, që përfshiu edhe shpërbërjen e Federatës Jugosllave, në veçanti me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, nga ku fillon çminimi real i Ballkanit për të ecur rrugës së stabilitetit, paqes dhe përparimit, është rrugë e drejtë dhe e mirëfillte, por e pa përfunduar edhe pas më shumë se tre dekadave të rënies së komunizmit. Është e dukshme ngecja e këtij procesi, e cila duhet të jetë si rezultat i përplasjeve dhe mungesës së konsesusit gjeopolitik, kryesisht të të mëdhenjve, si SHBA-Angli, BE (Gjermani-Francë) dhe Rusi. Edhe ajo që duket si neglizhencë dhe refuzim që iu ka bërë BE-ja Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duhet të ketë lidhshmëri dhe të jetë rezultat i këtyre përplasjeve. Nuk mund të mohohet edhe se Serbia, nëpërmjet miqve të saj dhe kompromiseve të ndryshme, ka dorë të zgjatur për të ndikuar në këto procese.

Tashmë nuk mund të thuhet me saktësi nëse në ditët e sotme ka ndryshim të rrethanave të favorshme ndërkombëtare që patën rol me rëndësi të veçantë për krijimin e ambientit të përshtatshëm për lirinë dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pak kohë më parë është përfolur edhe një projekt për shkëmbim territoresh dhe shfrytëzim të resurseve ekonomike dhe gjeostrategjike të Kosovës.

Këtu nuk duhet harruar se Serbia me miqtë e saj është përpjekur dhe vazhdon të përpiqet për t’u dhënë një rrjedhë tjetër rrethanave të pafavorshme për atë. Këtë nuk e ka bërë për të dalë nga ndonjë lloj izolimi dhe për ta prishur imazhin e një kombi që përgjaku Ballkanin me gjenocid, sepse atë e ka arritur jo vetëm me dorëzimin e Sllobodan Milosheviqit dhe Ratko Mlladiqit në Gjykatën e Hagës, por edhe me varfërinë kronike të politikës, diplomacisë, Akademisë së Arteve dhe Shkencave, kryesisht në Tiranë, por edhe në Prishtinë, për ta publikuar dhe thënë zëshëm të vërtetën e krimeve serbe në Kosovë. Serbia bën përpjekje me qëllim të përfitimit territorial, ekonomik dhe gjeostrategjik në Kosovë. Ajo edhe pas më shumë se 20 vitesh e ka mendjen dhe sytë te pjesa veriore e Mitrovicës, te Trepça dhe trevat e tjera kufitare në këtë zonë.

Lufta në Ukrainë e ka shtuar kujdesin e një beteje të rëndë gjeopolitike ndërmjet fuqive të mëdha. Nga aparenca të krijohet përshtypja se Ballkani Perëndimor është lënë pas dore, ka kaluar në një shkallë tjetër, për t’u hapur në një të nesërme. Një marrëveshje përfundimtare që do të siguronte njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë të duket se jo vetëm do të zgjasë në kohë, por edhe do të jetë e vështirë dhe e rëndë për t’u arritur. Megjithëkëtë, mos ta harrojmë më të rëndësishmen, thellësinë e brendisë që nuk arrijmë ta lexojmë, nga ku mund të zihet dhe të dalë në sipërfaqe shpejt dhe pa e pritur një propozim marrëveshje.

Fatkeqësisht, shqiptarët e përçarë, me politikë pa nerv (mbarë)kombëtar, pothuajse pa diplomaci dhe institucione të brishta, duket se janë të papërgatitur për këtë betejë.

Siguria, paqja dhe mirëqenia në Ballkan arrihet me ekuilibrin ndërmjet kombeve të tij, të cilin e mundëson vetëm kthimi i kufijve natyrorë, gjë që do të garantonte integrim dhe bashkëpunim progresist brendaballkanik dhe europian. Çdo vendim tjetër që mund t’u imponohet shqiptarëve në dëm të trevave dhe resurseve të tyre ekonomike dhe gjeostrategjike, jo vetëm që i lë, por do t’i thelloj edhe më shumë ndasitë… krizat dhe do ta pamundësojë sigurinë dhe paqen në Ballkan.

 

Për çdo gabim paguhet një faturë

 Në këtë situatë të konkurrencës së gjeopolitikave të fuqive të mëdha, të përpjekjeve të politikës serbe për të krijuar terren të favorshëm në interes të politikës së saj dhe defiçencës, përçartjes dhe përçarjes së politikës dhe diplomacisë shqiptare, është ndezur projekti i emërtuar si “Ballkani i Hapur”, në krye të të cilit qëndrojnë të përqafuar Aleksandar Vuçiqi dhe Edi Rama, pas të cilëve u radhit Zoran Zaevi (sot Kovaçevski) me Ali Ahmetin dhe ata i ftojnë t’u bashkëngjiten edhe Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

Projekti “Ballkani i Hapur” nuk është rastësor e aksidental, por është i menduar nga autori për të ndërtuar një formacion që duhet të përgatisë e të ruajë një frymë e shtrat që i intereson atij. Sigurisht, pjesëmarrësit dhe të interesuarit e tjerë përpiqen për ta shfrytëzuar dhe përfituar me mënyrën e tyre. Sado që një projekt mund të fillojë si ekonomik, shpesh tërheq pas interesa politike.

“Ballkani i Hapur”, për nga fryma dhe emri që mban, sikur shpërfaq idenë e projektit “Shoqëri e Hapur” të George Soros-it. Në samitin e Ohrit djali i tij, Aleksandar Soros, i cili nuk përfaqëson asgjë në administratën e SHBA-së, nuk ishte një pjesëmarrës periferik, por një person i nderuar në tryezën e projektit.

Kjo iniciativë mbështetet edhe nga SHBA-ja, si iniciativë ekonomike, e cila mendon se ky nuk është projekt politik. Kështu u shpreh në një lidhje virtuale, gjatë samitit të Ohrit, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq BE-ja nuk ka një qëndrim publik të prerë për Ballkani i Hapur. Kancelari Gjerman Scholz, në vizitën që ua bëri disa shteteve të Ballkanit Perëndimor, u shpreh se dëshiron riaktivizimin e nismës Procesi i Berlinit. Ai tha se të gjitha vendet që synojnë të anëtarësohen në BE duhet të pajtohen me parimet e BE-së. Me këtë qëndrim duket sikur iniciativa “Ballkani i Hapur” llogaritet si iniciativë paralele me Procesin e Berlinit. Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, “Ballkani i Hapur” është projekt serb që mbështetet nga Rusia.

Në trajtimin e temës “Fenomeni Abazoviq” për revistën “Shenja” të muajit të kaluar jam shprehur se: “Serbia është futur në këto raporte bashkëpunimi jo se e detyron një forcë e caktuar që ajo nuk mund t’i rezistojë, por sepse asaj i intereson kjo. “Ballkani i Hapur” jo vetëm se i krijon Serbisë pothuajse daljen e plotë nga gëzhoja e krimeve të luftërave të fundit dhe si faktor destabiliteti në rajon, por nëpërmjet saj e shtrin dhe e forcon ndikimin dhe rolin e saj ekonomik, kulturor dhe politik në trevat shqiptare dhe më gjerë në rajon. Përmes këtij projekti ajo bëhet lidere në këto fusha për Ballkanin Perëndimor.”

Ky është një nga shqetësimet që të preokupojnë për këtë projekt. Problemi tjetër shumë i mprehtë ka të bëjë me ndikimin e mundshëm të saj në përplasjet e gjeopolitikave të vendeve me peshë vendimmarrëse për rajonin, të cilat janë të interesuara për një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do të siguronte njohje të ndërsjellë të tyre.

Të kujtojmë se çlirimi i Kosovës ishte një ngjarje historike e veçantë, sepse ajo u realizua edhe me vetë pjesëmarrjen e shqiptarëve, lufta çlirimtare e të cilëve e kishte tërhequr pas vetes SHBA-në dhe disa shtete të tjera të NATO-s, të cilët po e ndëshkonin Serbinë me arsyetimin e krimeve, pastrimit etnik dhe gjenocidit që po realizonte në Kosovë, por ajo që e bënte të qëndrueshme këtë ndërhyrje ishte angazhimi gjeopolitik i tyre. Kjo ndodhi në një kohë kur Rusia, e cila kishte qenë shkaktarja kryesore për copëtimin e trevave dhe të kombit shqiptar në vitin 1913, e kishte humbur peshën politike e ushtarake, dhe Franca, si shteti i dytë në anën e Serbisë, në rrethanat e reja të peshës vendimtare politike dhe ushtarake të SHBA-së, Gjermanisë dhe Anglisë me shtetet e tjera të NATO-s nuk kishte hapësirë pozicionimi dhe mbështetje publike të Serbisë. Ky ishte shansi historik i shqiptarëve që solli çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Ne, shqiptarët, nuk e kemi luksin të gabojmë, sepse në situatën e çështjes sonë kombëtare ato tërheqin pas vetes faturë që e dëmton kombin për të mos e ngritur kokën ndoshta asnjëherë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër na ndanë të tjerët pa vullnetin tonë dhe pa mundësin për t’u mbrojtur. Një gabim i bërë vetë, i shpërblen të tjerët, pa të drejtë për ta rikthyer pas atë që e ke humbur duke gabuar vetë. Sado që të përpiqesh nesër për ta marrë veten për t’u bërë i fuqishëm, nuk të lë për ta realizuar atë jo vetëm dëmtimi nga fatura që e ke paguar, por edhe ata që kanë përfituar nga gabimi yt, sepse të bëhesh i fuqishëm është e vetmja mundësi për ta rikthyer atë që e humb duke gabuar.

 

Thembra e Akilit te shqiptarët

Politika shqiptare si tërësi, në kontuinitet, duhej t’ia vë vetes për detyrë strategjike, si interes i të gjithë shqiptarëve, harmonizimin dhe bashkimin e energjive politike, diplomatike, intelektuale dhe ekonomike të kombit shqiptar në përballjen me Serbinë dhe miqtë e saj. Për ta arritur këtë ishte dhe është i domosdoshëm konsolidimi politik, ekonomik, kulturor dhe social i Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat lidhen drejtpërdrejt me forcimin e shtetit. Por, kjo nuk mund të arrihet në një mjedis ku mungon shteti i drejtë ligjor dhe respektimi i tij, si parimi më i lartë i një shoqërie me moral të shëndoshë; në një mjedis ku ka mbirë dhe rritet korrupsionit dhe krimi i organizuar; denatyrimi i kulturës dhe moralit kombëtar; si dhe promovimi i pseudoelitave politike, intelektuale dhe ekonomike. Në këto rrethana shqiptarët kanë ngelur dhe do të vazhdojnë ta kenë të pamundur të ndërtojnë pozita vetëmbrojtëse të mirëqëna, por edhe nuk mund të ndërtojnë e ruajnë një ekuilibër realist në marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët e tyre.

Një shteti të dobët, të paorganizuar, të tjerët ia imponojnë lehtë vullnetin e tyre. Derisa nuk arrijmë t’i forcojmë shtetet tona, jo vetëm Serbia dhe Greqia që do të ngelin kërcënim serioz për shqiptarët, por edhe nuk do të kemi forcë ndikimi në projektet në të cilat janë autorë Fuqitë e Mëdha, vendimet e të cilave i prekin interesat shqiptare.