` . Çfarë tha Bajram Bajraktari në procesin gjyqësor kundër 19 anëtarëve të KQ të NDSH-së? - TV-SHENJA

Çfarë tha Bajram Bajraktari në procesin gjyqësor kundër 19 anëtarëve të KQ të NDSH-së?

Me qëllim të zbardhjes sa më të plotë të aktiviteteve politike e ushtarake të organizatës së NDSh-së, e cila siç dihet për synim pati “Çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare nga njësitë komuniste jugosllave, rrënimin e regjimit komunist shqiptar në krye me Enver Hoxhën dhe krijimin e Shqipërisë demokratike pro-perëndimore me kufijtë e saj etnik”, e pamë të arsyeshme që në këtë numër të revistës SHENJA, ta publikojmë të plotë këtë pjesë të procesit gjyqësor, përkatësisht pjesën kur në pyetje merret Bajram Bajraktari.  

Shkruan: Qerim LITA, SHKUP

Bajram Bajraktari është një figurë e shquar e nacionalizmës shqiptare, veprimtaria e të cilit erdhi në shprehje gjatë dhe menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai  është vëllai i Muharrem Bajraktarit, veprimtaria atdhetare e të cilit është e njohur në mbarë hapësirat shqiptare dhe jo vetëm. Në vjeshtë të vitit 1946 (pasi paraprakisht është plagosur gjatë një luftimi të zhvilluar midis çetës së Muharremit dhe njësive ushtarake jugosllave në afërsi të Manastirit kur të parët bënin përpjekje ta kalonin kufirin jugosllav-grek), arrestohet dhe më pas dërgohet në burgun e hetuesisë së Shkupit. Më vonë, përkatësisht në vitin 1949, gjyqi komunist shqiptar, pasi paraprakisht e kishte u depërtuar nga Shkupi për në Tiranë, tani e dënoi me vdekje – pushkatim.

Nisur nga fakti se veprimtaria politike dhe ushtarake e tij dhe e vëllait të tij ishte e lidhur ngushtë me veprimtarinë e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, përkatësisht Komitetin Qendror të saj në Shkup, ai u mor në pyetje, në cilësinë e dëshmitarit, gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar më 26 janar 1947 – 7 shkurt 1947 nga ana e Gjyqit të Qarkut të Shkupit kundër 19 anëtarëve të KQ të NDSH-së. Nga stenogrami i këtij procesi, i cili gjendet në Arkivin e Maqedonisë, fondi 1101, përkatësisht KQ i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, shohim se në pyetje merret gjatë seancës së dytë gjyqësore, përkatësisht më datë 27 janar 1947. Me qëllim të zbardhjes sa më të plotë të aktiviteteve politike e ushtarake të organizatës së NDSH-së, e cila siç dihet për synim pati “Çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare nga njësitë komuniste jugosllave, rrënimin e regjimit komunist shqiptar në krye me Enver Hoxhën dhe krijimin e Shqipërisë demokratike pro-perëndimore me kufijtë e saj etnikë”, e pamë të arsyeshme që në këtë numër të revistës SHENJA ta publikojmë të plotë këtë pjesë të procesit gjyqësor, përkatësisht pjesën kur në pyetje merret Bajram Bajraktari.

*          *          *

“…Vazhdim i seancës

Kryetari: Gjyqi solli vendim me të cilin miratohet propozimi i Prokurorit Publik të Republikës Popullore të Maqedonisë që të merren në pyetje si dëshmitar Bajram Bajraktari… Lus shokun flamurtar ta sjell dëshmitarin Bajram Bajraktarin.

Kryetari: A e kuptoni maqedonishten?

Bajram Bajraktari: Jo.

Kryetari: Pra, vetëm gjuhën shqipe / thirreni përkthyesin/. Pyeteni se si quhet?

Bajram Nezir Bajraktari.

Nga është?

Nga Shqipëria.

Ku ka lindur?

Në fshatin Uimisht, rrethi i Lumës.

Ku jeton?

Në Uimisht.

Çfarë profesioni ka?

Student.

Çfarë studion?

Dy vjet drejtësinë në Universitetin e Romës.

Në cilin vit ka studiuar?

Deri në vitin 1940.

A është i martuar?

Po.

Çfarë e ka Muharrem Bajraktarin?

Vëlla.

A jetojnë së bashku?

Së bashku.

Ku?

Në Uimisht.

Çfarë punon Muharrem Bajraktari?

Ka qenë oficer.

Çfarë oficeri?

Ka qenë komandant rrethi dhe qarku i xhandarmërisë, ndërsa më vonë komandant xhandarmërie gjatë kohës së Ahmet Zogut.

Çfarë ka punuar gjatë kohës së okupacionit?

Nga viti 1939-1941 ka qenë në shtëpi, ndërsa nga viti 1941 e deri më tash në arrati në mal.

A e di se ku është arratisur në vitin 1941?

Është arratisur në Lumë, në Shqipëri.

A pati çetë?

Po.

A ishte e madhe?

Nga 20 deri më 25 vetë.

Në atë kohë Muharrem Bajraktari ku kryente operacione?

Shumicën në rrethin e Kukësit.

Gjatë tërë kohës së pushtimit, deri në vitin 1944?

Deri në fund.

Çfarë raporti pati Muharrem Bajraktari me Lëvizjen Nacionalçlirimtare në Shqipëri?

Armiqësore.

A pati konflikte me partizanët shqiptarë?

Gjatë kohës së pushtimit nuk pati.

E çfarë qëndrimi pati Muharremi ndaj ushtrisë pushtuese, konkretisht ndaj ushtrisë gjermane?

Armiqësore.

Ku gjendet tash Muharrem Bajraktari?

Nuk e di.

Kur je takuar me të për herë të fundit?

Herën e fundit ka qenë në luftimet midis Ohrit dhe Manastirit.

Kur?

Mendoj, para 5-6 muajve.

Në cilin vit?

Në vitin 1946.

Në shtator të vitit 1946. Ai a ka qenë vazhdimisht me Muharrem Bajraktarin?

Shumicën e kohës kanë qenë së bashku, thuajse gjatë tërë kohës ka qenë me të.

Në cilin territor?

Në territorin e Lumës.

A ka dalë jashtë Shqipërisë?

Vetëm një herë në Maqedoni.

A ka qenë jashtë kufirit të Maqedonisë?

Nuk ka qenë jashtë kufirit të Maqedonisë.

Mirë, pak para tha se qëndrimi i Muharremit ka qenë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Shqipërisë. Për këtë arsye Muharremi është arratisur në mal? Thotë se ka qenë kundër, por çfarë ka dëshiruar Muharremi?

Ka qenë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare për arsye se nga pikëpamja është konservator dhe për shkak se ka qenë nacionalist dhe ka dëshiruar që Krahinat e Kosovës dhe e Maqedonisë t’i bashkëngjiten Shqipërisë.

Në cilën mënyrë Muharremi e ka menduar t’i realizojë ato qëllimet të tij dhe a ka llogaritur në ndonjë ndihmë?

Qëllimet e veta i ka planifikuar t’i realizoj përmes lëvizjes së brendshme në Shqipëri, e cila do të ndihmohej nga anglezët.

Panta Marina: Si do të arrihej ndihma nga jashtë?

Bajram Bajraktari: Ajo ndihmë do të vinte me dhënien e materialeve ushtarake.

Panta Marina: Mirë, por në cilën mënyrë dhe si?

Bajram Bajraktari: Në atë mënyrë që paraprakisht përmes një kryengritje do të çlirohej një pjesë e territorit ku anglezët do të dërgonin material ushtarak.

Panta Marina: A ka llogaritur edhe në ndonjë ndihmë tjetër? Në ndihmën e ndonjë pale tjetër?

Bajram Bajraktari: Ka llogaritur në ndihmën e cila do të vinte nga çetat shqiptare të arratisura në Greqi dhe Itali, të cilët atje janë organizuar.

Panta Marina:. Si e ka paraparë Muharrem Bajraktari atë ndihmë, a ka pasur ndonjë lidhje, apo kontakt?

Bajram Bajraktari: Personalisht ai nuk ka pasur lidhje me çetat në Greqi, por në një bisedë që e pati me Mark Gjon Markun, kapitenin e Mirditës, i ka thënë se ka marrë një letër nga Gjon Marka Gjoni, i cili ka kaluar në Greqi dhe se çetat duhet t’i kalojë në Shqipëri.

Panta Marina: Si ka ardhur në duart e Mark Gjon Markut ajo letër, si ka marr letër nga babai i tij?

Bajram Bajraktari: Miku i Gjon Marka Gjonit i ka thënë se një oficer anglez, i cili e ka vëzhguar anijen me ndihmë humanitare nga Italia për në Shqipëri, e ka sjellë atë letër.

Panta Marina: A e ka precizuar Muharrem Bajraktari në atë kohë atë ndihmë nga Greqia dhe Italia? Le ta sqaroj këtë!

Bajram Bajraktari: Në detaje është shqyrtuar, në atë mënyrë që Muharrem Bajraktari të fillojë me kryengritjen në Shqipërinë Veriore, ndërsa çetat nga Greqia Veriore të kalojnë në Shqipërinë Jugore dhe atje ta fillojnë kryengritjen.

Panta Marina: Ku është dashtë të shpërthejë fillimisht kryengritja?

Bajram Bajraktari: Fillimisht në Lumë, Dibër e Mat.

Panta Marina: Nëse kryengritja do të ishte e suksesshme, si do të zhvillohej më tej?

Bajram Bajraktari: Në rast se kryengritja kishte sukses dhe do të krijohej zonë e lirë, atëherë me ndihmën e marrë nga anglezët në armatim dhe material tjetër luftarak, do ta zgjeronin kryengritjen dhe do ta rrënonin pushtetin dhe të njëjtin do ta merrnin.

Panta Marina: A është dashur kryengritja të ngrihet vetëm me fuqitë e Muharrem Bajraktarit, me fuqitë e brendshme, apo edhe me ndihmën e bandave të cilat kanë qenë në Greqi?

Bajram Bajraktari: Kryengritja u desh të fillojë me forcat e brendshme në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, ndërsa më pas është llogaritur që në çdo mënyrë të kalonin çetat nga Greqia në Shqipërinë Jugore.

Panta Marina: A ka mundësi ta precizojë, a është dashtë të shpërthejë kryengritja pas kalimit të çetave nga Greqia në Shqipërinë Jugore apo çetat do të kalonin pas shpërthimit të kryengritjes në Shqipëri?

Bajram Bajraktari: Llogaritej në atë mënyrë, që posa të shpërthejë kryengritja në Shqipërinë Veriore, kryengritja e brendshme, çetat menjëherë do të kalonin nga Greqia në Shqipërinë Jugore. Në rast se çetat do të kalonin në Shqipërinë Jugore, kjo do të ishte shenjë se kryengritja ka shpërthyer në mbarë Shqipërinë.

Panta Marina: Çfarë roli do të luanin çetat balliste të Kosovës dhe Maqedonisë në atë kryengritje në Shqipëri për rrënimin e qeverisë së Enver Hoxhës?

Bajram Bajraktari: Këto çeta i patën dy detyra: së pari, të marrin pjesë së bashku me çetat në Shqipëri për krijimin e zonës së lirë; së dyti, çetat në Kosovë e Maqedoni, të cilat janë larg kufirit, ta vëzhgojnë armatën jugosllave dhe në rast se ajo niset në ndihmë të pushtetit në Shqipëri, me çdo kusht ta pamundësojnë përmes aksioneve më të ndryshme.

Panta Marina: A vendosi Muharrem Bajraktari lidhje me çetat në Kosovë e Maqedoni?

Bajram Bajraktari: Po, me disa vendosi lidhje të drejtpërdrejtë, ndërsa me disa të tjerë në mënyrë indirekte.

Panta Marina: A ka mundësi dëshmitari të tregojë se me kënd?

Bajram Bajraktari: Në Maqedoni lidhje të drejtpërdrejtë pati me Mefail Zajazin dhe me Xhemë Gostivarin derisa nuk qe vrarë. Në Kosovë pati lidhje me Ejup Binakun, Uk Sadikun, Xhemali Pozharin, Rami Nakiun, Reshat Kajakliun, Nijazi Alishanin dhe Ajet Gërgurin. Me ta pati lidhje të drejtpërdrejta.

Panta Marina: Pra, këto janë lidhjet direkte. E ato indirekte?

Bajram Bajraktari: Në Maqedoni i kam dërguar letër Aqif Reçanit, ndërsa në Kosovë Luan Gashit, Hysen Tërpezës, Mulla Idriz Gjilanit dhe Guk Haxhiut.

Kryetari: Dëshmitari tash le t’i sqarojë gjyqit se si Muharrem Bajraktari ka llogaritur në atë ndihmë për të cilën dëshmitari thotë, nga ana tjetër, për shembull, ai i përmendi anglezët! Le të flasë me fjali të shkurta që ju të mund ta përktheni.

Bajram Bajraktari: Muharremi i ka shkruar dy letra gjeneral Hodgsonit, shefit të Misionit Ushtarak Anglez në Tiranë. Në ato letra e ka vënë në pah situatën nën pushtetin popullor dhe ka kërkuar sqarim, përkatësisht në çfarë të llogarisë në rast se organizon kryengritje në Shqipëri.

Kryetari: Përmes kujt i ka dërguar ato letra?

Bajram Bajraktari: Përmes Gani Ndreut.

Kryetari: Kush është ai Gani Ndreu?

Bajram Bajraktari: Ganiu është djali i Cen Elezit nga Peshkopia. Ka mësuar në shkollën teknike në Tiranë, në të cilën shkollë ka qenë drejtor mister Fulc, amerikan. Deri në çlirimin e Shqipërisë ka punuar në shtëpinë e tij si bujk. Pas çlirimit shkoi në Tiranë, ku e bleu hotel “Kontinentalin”, në të cilin u vendosën disa oficerë të Misionit Ushtarak Anglez.

Kryetari: Domethënë, përmes asaj rruge Muharrem Bajraktari ka vendosur lidhje me gjeneral Hodgsonin?

Bajram Bajraktari: Po.

Kryetari: Tash dëshmitari le t’i sqarojë gjyqit. A është precizuar ajo ndihmë, se si të çlirohet territori? Le të sqarojë më shumë lidhur me atë ndihmë, në çfarë është paraparë të jetë ajo ndihmë?

Bajram Bajraktari: Gjeneral Hodgsoni ka llogaritur në ndihmë në dy drejtime. Meqenëse gjeneral Hodgsoni përmes Ganiut, tha se në rast se kryengritja në Shqipëri merr rrjedhë serioze, do na ofronin ndihmë në dy drejtime: së pari, me dhënien e ndihmës ushtarake përmes aeroplanëve në zonën e lirë dhe së dyti, ndihmë financiare, si dhe ndihmë morale për kryerjen e presionit ndaj Jugosllavisë që mos ta ndihmonte pushtetin popullor të Shqipërisë.

Kryetari: Kush të kryejë presion?

Bajram Bajraktari: Anglezët.

Kryetari: Ku ka qenë Muharrem Bajraktari gjatë viteve 1945-1946?

Bajram Bajraktari: U tërhoq në mal…. U pajis me ushqim për tërë dimrin dhe ngeli aty.

Kryetari: A kanë qenë ata të detyruar ta lëshojnë atë vend?

Bajram Bajraktari: Po.

Kryetari: Kur dhe përse?

Bajram Bajraktari: Gjatë muajit mars (1946) kur partizanët i hetuan. Atëherë qenë detyruar të largohen.

Kryetari: Kur janë sjellë vendime të caktuara?

Bajram Bajraktari: Deri në muajin gusht ishin vazhdimisht në lëvizje, sepse ndiqeshin nga partizanët.

Kryetari: Pasi kanë qenë të përndjekur vazhdimisht, a kanë mbajtur ndonjë mbledhje, a janë këshilluar se çfarë të bëjnë, ku të shkojnë që të mund të shpëtojnë nga ndjekja e përhershme?

Bajram Bajraktari: Ata janë këshilluar dhe kanë sjellë vendim ose sa më parë që është e mundur të ngrenë kryengritje në Shqipëri ose të kalojnë në Greqi pasi nuk kanë mundur të qëndrojnë edhe një dimër.

Kryetari: Kush e solli atë vendim, a pati ndonjë mbledhje dhe ku?

Bajram Bajraktari: Në mbarim të muajit gusht patën mbledhje në Has.

Kryetari: Kush ishte në atë mbledhje?

Bajram Bajraktari: Në mbledhje ishin Muharrem Bajraktari, Uk Sadiku, Ejup Binaku, Reshat Kajakliu.

Kryetari: Çfarë qëllimi pati ajo mbledhje?

Bajram Bajraktari: Në atë mbledhje si qëllim primar ka qenë që Muharremi të informohet nga drejtuesit e çetave në Kosovë për përbërjen numerike të tyre dhe në çfarë numri mund të llogarisin që të mund të futen në veprim kundër pushtetit.

Kryetari: Gjyqi tash interesohet konkretisht për atë rrethanë: me cilat nga ato çeta Muharremi në atë kohë vendosi lidhje në Maqedoni dhe Kosovë, në muajin gusht të vitit 1946? Kur u mbajt mbledhja në Has, me cilët nga drejtuesit e çetave në Maqedoni dhe Kosovë vendosi lidhje Muharrem Bajraktari?

Bajram Bajraktari: Me të katërt që i përmenda më lartë dhe me Ajet Gërgurin.

Kryetari: Si?

Bajram Bajraktari: Ajet Gërguri qe nisur për Greqi dhe me çetën e tij arriti në afërsi të Prizrenit. Në afërsi të fshatit Bilushë patrulla e Muharrem Bajraktarit qe dërguar ta marrë Ajet Alishanin dhe u takua me Ajet Gërgurin. Njerëzit e Ajetit janë interesuar se nga vijnë dhe kush janë? Ata u kanë thënë se janë patrulla e Muharrem Bajraktarit dhe u kanë thënë se është mbajtur një mbledhje në Has, porse nuk janë në gjendje t’i informojnë se çfarë vendimi është marrë. Ajet Gërguri ka shkruar letër për Reshat Kajakliun. Ai i ka shkruar se ka marrë urdhëresë nga Komiteti Qendror (i NDSH-së) nga Shkupi që gjatë dimrit të kalojë në Greqi. Por, në rast se Muharremit i duhet çeta e tij, ai pranon të tërhiqet nga udhëtimi dhe të futet në shërbim të Muharremit.

Kryetari: Më pas çfarë ndodhi me Ajet Gërgurin?

Bajram Bajraktari: Muharremi i përgjigjet Gërgurit që ai para se të shkojë në Greqi të takohen në malin Koritnik, mirëpo deri te takimi nuk erdhi pasi Gërguri qe sulmuar.

Panta Marina: Atëherë çfarë ndërmori Muharrem Bajraktari?

Bajram Bajraktari: Vendosi të shkojë në Greqi.

Panta Marina: Përse pikërisht Muharrem Bajraktari të kalonte në Greqi?

Bajram Bajraktari: Solli vendim të kalojë në Greqi, pasi u bind se nuk mund të realizojë kryengritje në Shqipëri dhe për arsye se nuk mund të qëndronte me çetën e tij më në territorin e Shqipërisë.

Panta Marina: A ka ndonjë pyetje për të parashtruar Prokuroria Publike?

Prokurori: Dëshmitari Bajram Bajraktari këtu para gjyqit i ka shpalosur planet e errëta të Muharrem Bajraktarit së bashku me çetat tjera ballistët, të cilat është dashur të veprojnë në territorin e RFPJ-së dhe në Shqipëri. Nevojitet ta sqarojë se nga e ka ditur ai tërë këtë dhe personalisht çfarë lidhje ka pasur ai me përfaqësuesit e caktuar të atyre çetave? Nga i di ai të gjitha ato çështje?

Panta Marina: Pyetni dëshmitarin se nga i di të gjitha ato çështje?

Bajram Bajraktari: Së pari, kam qenë anëtar i çetës së Muharremit. Së dyti, kam marrë pjesë në rrethin me të cilin këshillohej Muharremi.

Prokurori: Konkretisht, çfarë funksioni ka pasur dëshmitari?

Bajram Bajraktari: Nuk kam pas funksion të caktuar në çetë.

Prokurori: A është caktuar dëshmitari në ndonjë funksion dhe kur?

Bajram Bajraktari: Në vitin 1945, kur përgatitej kryengritja, u soll vendim të jem komandant vendor në Lumë, mirëpo unë e refuzova atë.

Prokurori: Tash dëshmitari le të na tregojë se a mori Muharrem Bajraktari përgjigje nga gjeneral Hodgsoni?

Bajram Bajraktari: Muharrem Bajraktari mori përgjigje gojore përmes Gani Ndreut.

Prokurori: Kush është Gani Ndreu?

Bajram Bajraktari: Mendoj se ka vdekur.

Prokurori Publik: Si ka vdekur?

Bajram Bajraktari: Në muajin prill (1946) së bashku më të atin (Cen Elezin) dhe vëllain është vrarë në malin Gramsh.

Prokurori: Me rekomandim të kujt ka dalë në mal?

Bajram Bajraktari: Pasi anglezët u tërhoqën nga Tirana, kuptohet se me urdhër të anglezëve.

Prokurori: Në cilën mënyrë Muharrem Bajraktari i ka mbajtur lidhjet me përfaqësuesit e çetave në Kosovë, përmes takimeve personale, përmes korrierëve apo përmes kujt?

Bajram Bajraktari: Ato lidhje Muharremi i ka mbajtur përmes dy mbledhjeve që i ka mbajtur me ta e më pas përmes Sef Sadikut dhe Islam Xhiut.

Prokurori: Kush janë ata?

Bajram Bajraktari: Ata dy janë komandantë të çetave në Kosovë dhe kur Muharremi është takuar me ta, përmes tyre ka shpërndarë letra për të gjitha çetat tjera.

Prokurori: A e di dëshmitari se vëllai i tij, Muharremi, ka mbajtur lidhje me përfaqësuesit e çetave në Maqedoni?

Bajram Bajraktari: E kam të njohur se ka mbajtur lidhje me Mefail Zajazin dhe Xhemë Gostivarin.

Prokurori: Në cilën mënyrë?

Bajram Bajraktari: Me Mefail Zajazin personalisht ka pasur takim, ndërsa me Xhemë Gostivarin përmes një kapiten çete, Hamzë Rexhepin.

Prokurori: Pushteti gjyqësor posedon një letër, e cila është zbuluar gjatë likuidimit të çetës së Mefail Zajazit. Gjyqit i propozoi t’ia tregojë atë letër dhe ta pyesë dëshmitarin se a e ka të njohur nënshkrimin, a e njeh nënshkrimin e vëllait?

Bajram Bajraktari: Po, ai është nënshkrimi i vëllait tim /posa e shqyrtoi letrën/.

Panta Marina: I drejtohet përkthyesit. Përktheje ketë letër. Përkthyesi e përkthen.

Prokurori: Si dhe në cilën mënyrë Muharrem Bajraktari është informuar në pjesën e dytë të muajit gusht se është shpartalluar çeta e Ajet Gërgurit?

Bajram Bajraktari: Pasi e pranoi letrën nga Kajakliu, Muharrem Bajraktari menjëherë dërgoi njerëz për ta gjetur për shkak të mbledhjes, e cila do të duhej të mbahej në mal.

Prokurori: Kur u mbajt mbledhja?

Bajram Bajraktari: Më 21-22 gusht.

Prokurori: Kur jeni nisur për Greqi?

Bajram Bajraktari: Më 24 gusht në mbrëmje.

Prokurori: Sa njerëz?

Bajram Bajraktari: 56 vetë.

Prokurori: Për çfarë qëllimesh Muharrem Bajraktari e nisi çetën e vet?

Bajram Bajraktari: Për ta studiuar nga afër situatën ndërkombëtare dhe më pas të rikthehet në Shqipëri.

Prokurori: A ishte i sigurt Muharremi në udhëheqjen e tij, se në Greqi do të pranoheshin të gjithë 56 vetët?

Bajram Bajraktari: Ka qenë i sigurt më shumë në ndihmën e anglezëve.

Panta Marina: Në Greqi?

Bajram Bajraktari: Po.

Panta Marina: A ka edhe ndonjë pyetje tjetër Prokurori Publik?

Prokurori: Jo!

Kryetari: Mbrojtja, a ka ndonjë pyetje?

Mbrojtja: Jo!

Kryetari: Shoku flamurtar, mund ta përcillni dëshmitarin. Pesë minuta pushim….”.