Çfarë e pret botën nëse Rusia ndërpret papritmas eksportin e uraniumit?

Çfarë e pret botën nëse Rusia ndërpret papritmas eksportin e uraniumit?

Pse Perëndimi refuzon kategorikisht të sanksionojë uraniumin rus dhe ç’ndodh nëse Putin vendos papritur t’i ndërpresë eksportet?

Perëndimi ka qenë i gatshëm kur vjen puna për të ndëshkuar Rusinë për pushtimin e Ukrainës – por pavarësisht thirrjeve të panumërta të Presidentit Zelensky, ai refuzon ta sanksionojë uraniumin rus.

Pse ndodh kjo dhe ç’do të ndodhte nëse Rusia e përdor këtë si kapital dhe i ndërpret papritur eksportet.

Le të shohim më poshtë.

Ndërsa Evropa dhe Amerika vendosën sanksione të ashpra kundër gazit dhe naftës ruse, ato nuk kanë bërë të njëjtën gjë me uraniumin.

Perëndimi duket se po bën një luftë ekonomike ‘selektive’ kundër Rusisë duke e përjashtuar karburantin bërthamor rus nga sanksionet e saj.

A po e godet vërtetë Perëndimi, Rusinë aty ku i dhemb më shumë?

Këtë të hënë, Gjermania deklaroi se nuk mund të ndalonte një dërgesë të uraniumit rus të destinuar për centralet bërthamore franceze, që do të procesohej në territorin e saj.

Arsyeja që Gjermania dha për këtë ishte fakti se kjo lëndë djegëse nuk mbulohej nga lista e sanksioneve kundër Rusisë.

Çfarë është interesante është se, Gjermania nga ana e saj ka hequr dorë thuajse tërësisht nga energjia bërthamore, e megjithatë asaj i kërkohet të përpunojë dërgesat e uraniumit drejt Francës – e cila është më shumë se 70% e varur nga energjia bërthamore për nevojat e saj për energji elektrike.

Siç janë Shtetet e Bashkuara.

Rusia kontrollon mbi 35% të tregut global të uraniumit.

Edhe pse Moska prodhon vetëm 6% të uraniumit në botë, ajo kontrollon 46% të tregut botëror të përpunimit të tij.

Rusia gjithashtu strehon një nga rezervat më të mëdha të uraniumit në botë, me një total prej rreth 486,000 ton – ekuivalenti i 8% të furnizimit total global.

Të gjitha ekonomitë madhore në botë varen nga uraniumi i përpunuar në Rusi për kërkesat e tyre për energji. Prandaj, sanksionimi i uraniumit do të kishte qenë një akt vetëvrasës për botën e zhvilluar.

Varësia nga uraniumi rus

SHBA importoi rreth 14% të uraniumit të saj dhe 28% të të gjitha shërbimeve të përpunimit nga Rusia në vitin 2021.

SHBA varet nga energjia bërthamore për 20% të nevojave të saj për energji elektrike. Megjithatë, ajo gjithashtu varet nga vendet e CSTO-së – të udhëhequra nga Rusia – për rreth 60% të kërkesave të saj totale për uranium.

CSTO (Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive) është ekuivalenti rus i NATO-s.

Prandaj, sanksionimi i uraniumit do të kishte gjymtuar sektorin energjetik të Shteteve të Bashkuara dhe jo vetëm – një skenar i ngjashëm me atë që po ndodh në Gjermani me krizën e gazit.

Po tani?

Deri tani, duket se SHBA dhe shtetet e varura nga energjia bërthamore janë të mbrojtura nga kriza energjetike.

Pikërisht për këtë arsyeje, Franca ka arritur të mos preket thuajse fare duke pasur një nga normat më të ulëta të inflacionit në Europë pavarësisht krizës.

Perëndimi është i bindur se po ndëshkon Rusinë edhe pse Moska ka qenë në gjendje të mbajë çmimet lart dhe të gjejë tregje alternative për të shitur naftën dhe gazin e saj në Azi dhe Afrikë.

Evropa ama, kurrë nuk kishte ndërmend të goditej nga një krizë energjetike.

Por kjo ngre një pyetje edhe më të rëndësishme.

Çfarë do të ndodhte nëse Rusia papritmas ndalon eksportet e saj të uraniumit në vendet që i sheh si armiqësore – siç bëri me gazin pas sanksioneve perëndimore kundër saj.

Nëse po, çfarë do të ndodhte me vende si Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar?

A do të ishin edhe ato në radhë për një krizë energjetike si ajo në Gjermani dhe vende të tjera evropiane?