Çavuşoğlu: Negociatat Türkiye-SHBA për marrëveshjen F-16 po shkojnë mirë

Çavuşoğlu: Negociatat Türkiye-SHBA për marrëveshjen F-16 po shkojnë mirë

Pavarësisht sfidave në marrëdhëniet mes dy vendeve, ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se negociatat me SHBA-në për një marrëveshje për avionët luftarakë F-16 “po shkojnë mirë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Negociatat për F-16-tën po shkojnë mirë. Qasja e administratës (amerikane) ndaj negociatave është shumë pozitive”, tha Çavuşoğlu në një intervistë televizive.

Pas pezullimit të saj të padrejtë nga programi i avionëve luftarakë F-35, Türkiye ka kërkuar të ndërmjetësojë një marrëveshje me SHBA-në për shitjen e avionëve F-16 dhe pjesëve të përmirësimit për modelet e mëparshme të avionëve luftarakë.

Për të ndihmuar në adresimin e problemeve ekzistuesve midis dy vendeve, si mbështetja e SHBA-së për grupin terrorist YPG/PKK, sanksionet dhe ekstradimi i kreut të organizatës terroriste, Fetullah Gülen, Çavuşoğlu tha se është krijuar një “mekanizëm strategjik” dhe se takimi i parë në nivel ministror tashmë është mbajtur në New York.

Çavuşoğlu gjithashtu theksoi se “atmosfera negative” e parë në Kongresin e SHBA-së në vitet e fundit është zhdukur.

“Ky bashkëpunim (dypalësh) gjithashtu ka një rëndësi strategjike për NATO-n”, tha ai, pasi të dy vendet janë anëtarë të aleancës për shumë dekada.

“Ata po ashtu janë të vetëdijshëm për rolin që ka marrë Türkiye kohët e fundit dhe le të shpresojmë që ky ndërgjegjësim të mos jetë i përkohshëm”, shtoi Çavuşoğlu, me sa duket duke iu referuar rolit kyç të Türkiye-s në ndërmjetësimin e një marrëveshje të fundit mbi dërgesat e grurit ukrainas.

I pyetur në lidhje me një operacion të ri të mundshëm kundër grupeve terroriste në veri të Sirisë, Çavuşoğlu tha se përgatitjet po vazhdojnë dhe se “do të vijë një lëvizje e papritur”, duke i bërë jehonë paralajmërimit të presidentit Recep Tayyip Erdoğan se një operacion i tillë do të vijë papritur.

Për marrëdhëniet me Greqinë, Çavuşoğlu u ankua se Athina vepron në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe shkel të drejtat themelore të njeriut.

Për shkak të shkeljes së të drejtave të pakicës muslimane të Greqisë, tha ministri turk, ajo nuk ka asnjë fjalë për çështjen e të drejtave të njeriut.

Çavuşoğlu gjithashtu theksoi se Greqia pret të dyshuarit për terrorizëm dhe lejon kampet terroriste të PKK-së në territoret e saj.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.