Çavuşoğlu: Lufta në Ukrainë do të përfundojë në tryezën e negociatave, jo në fushën e betejës

Çavuşoğlu: Lufta në Ukrainë do të përfundojë në tryezën e negociatave, jo në fushën e betejës

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, duke theksuar përpjekjet e vendit të tij për të ndërmjetësuar në dhënien fund të konfliktit Rusi-Ukrainë, ka deklaruar se kjo luftë do të përfundojë në tryezën e negociatave, jo në fushën e betejës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në një mënyrë apo tjetër, kjo luftë do të përfundojë në tryezë. Ne nuk mendojmë se do të përfundojë me përfitime ushtarake në terren. Megjithatë, ekziston rreziku i një lufte që mund të zgjasë me dekada”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të organizuar në Ankara mbi politikën e jashtme iniciative dhe humanitare të Türkiye-s.

Duke folur për takimin trepalësh të nivelit të lartë të mbajtur midis Türkiye-s, Ukrainës dhe Rusisë në Forumin e Diplomacisë në Antalya, Çavuşoğlu tha se krahasuar me muajin mars tani “ka realitete të reja me kushte të reja”.

“Ajo është bërë më komplekse. Nuk është aq e lehtë, por nuk duhet të humbim shpresën”, tha ai.

Lidhur me bisedimet e ndara 2-ditore të paqes midis delegacioneve ruse dhe ukrainase të mbajtura në Istanbul më vonë në muajin mars, Çavuşoğlu tha se kur biseduan në Istanbul palët ishin shumë pranë një armëpushimi.

“Por më pas, duar magjike prekën dhe ne pamë palët duke u larguar nga tryeza”, u shpreh ai.

Duke theksuar rëndësinë e politikës së ekuilibrit të Türkiye-s në luftën Rusi-Ukrainë, Çavuşoğlu tha se presidenti Recep Tayyip Erdoğan është i vetmi udhëheqës në NATO që mund të takohet në mënyrë të barabartë me homologët e tij rus dhe ukrainas.

“Të jesh një vend i NATO-s nuk do të thotë që ne nuk mund të takohemi me Rusinë apo vende të tjera. Është e nevojshme të ruhet mirë ky ekuilibër”, theksoi Çavuşoğlu.

Më tej, ministri turk tha se Türkiye është një pionere në çështjet e ndërmjetësimit në organizata të tilla si Kombet e Bashkuara (OKB), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik.

Ai tha se një shkëmbim i të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës gjithashtu u sigurua me iniciativën e presidentit Erdoğan, si dhe shtoi se Ankaraja luajti një rol lehtësues në bisedimet për çështjen e centralit bërthamor në Zaporizhzhia.

Shefi i diplomacisë turke po ashtu kritikoi reagimet nga Bashkimi Evropian (BE), SHBA-ja, Greqia dhe administrata e Qipros Greke kundër pranimit të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) si anëtare vëzhguese e Organizatës së Shteteve Turke.

“Ata kërcënuan shtetet turke dhe ushtruan presion mbi to, por panë se bota turke nuk do të përkulej më para kërcënimeve dhe presioneve të tilla”, tha Çavuşoğlu.

Gjithashtu duke lavdëruar iniciativat e Türkiye-s në Afrikë dhe Amerikën Latine, Çavuşoğlu tha se tregtia e vendit të tij me Afrikën është rritur nga 4,5 miliardë dollarë në 35,4 miliardë dollarë, derisa këtë vit pritet të arrijë në 45 miliardë dollarë.