Bushati – Milanesi: Italia mbështet Shqipërinë në procesin e integrimit evropian

Bushati – Milanesi: Italia mbështet Shqipërinë në procesin e integrimit evropian

Italia do të vijojë të mbështesë nismën për fillimin brenda vitit 2019 të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), u theksua sot gjatë konferencës së përbashkët për media që mbajti ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, me homologun e tij italian, Enzo Milanesi, raporton AA.

Ministri Bushati u takua në Tiranë me ministrin e Jashtëm të Italisë, Milanesi, ndërsa në konferencën për mediat u fokusuan në disa çështje, si në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, mbështetjen e Italisë në këtë proces, bashkëpunimin mes dy vendeve në disa fusha, si dhe për drejtimin nga Shqipëria të OSBE-së në vitin 2020.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë tha se Italia i ka dhënë mbështetje të vazhdueshme Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

“Kemi patur një bashkëpunim të shkëlqyer, jo vetëm në planin ndërshtetëror, duke qenë se Shqipëria e konsideron Italinë një vend partner strategjik, portën tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Bashkëpunimi jonë është përforcuar brenda NATO-s dhe në suazën e OSBE-së. Dua t’i shpreh mirënjohjen ministrit Milanesi dhe Italisë mike për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë, në procesin e integrimit evropian”, theksoi Bushati.

Sipas tij, Italia ishte një ndër vendet pararojë edhe në qershorin e vit të kaluar në mbështetje të një vendimi për nisjen e menjëhershme të bisedimeve për anëtarësimin në BE, duke shtuar se “është edhe në interesin e Bashkimit Evropian dhe jo thjeshtë Shqipërisë, nisja e këtij procesi një orë e më parë”.

“Sot u sigurova që Italia do të vijojë të mbështesë nismën për fillimin brenda vitit 2019 të bisedimeve për anëtarësim. Për ne, pavarësisht vështirësive që kalon Bashkimi Evropian dhe procesi i integrimit evropian, Evropa është një ideal, destinacion dhe nevoja jonë për t’u reformuar së brendshmi, për të zhvilluar më tej ekonominë shqiptare dhe për të projektuar më shumë stabilitet demokratik në rajon dhe Mesdhe”, tha Bushati.

Ministri italian theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rëndësishme, sidomos në kudër të forumeve shumëpalëshe.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë i kanë rrënjët në histori dhe dy vendet janë të lidhura edhe nga marrëdhëniet e fuqishme ekonomike dhe tregtare në ditët tona. Do të punojmë së bashku për një organizim ndërkombëtar që ka një vlerë të madhe të ulë në një tryezë të përbashkët vende të ndryshme. Kemi marrëdhënie dypalëshe të rëndësishme dhe bashkëndajmë gjithmonë të njëjtin vizion, në kuadër të forumeve shumëpalëshe”, u shpreh ministri Milanesi.

“Nga pikëpamja e bashkëpunimit ekonomik, jemi gjithmonë e më të lidhur, ndërsa është i rëndësishëm edhe bashkëpunimi kulturor”, tha shefi i diplomacisë italiane.

Ministri Milanesi, do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, përfshirë edhe presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.