Britanikët paralajmërohen për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike dhe gazit gjatë dimrit

Britanikët paralajmërohen për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike dhe gazit gjatë dimrit

Amvisëritë në Britani mund të kenë ndërprerje të energjisë elektrike dhe gazit në dimrin e ardhshëm midis orës 16:00 dhe 19:00, në kohën e një krize energjie të vazhdueshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

John Pettigrew, kreu i kompanisë “National Grid”, që është kompania më e madhe e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në Mbretërinë e Bashkluar, tha se energjia elektrike dhe gazi mund të ndërpriten “në ato mbrëmjet më të thella dhe më të errëta në janar dhe shkurt” nëse furnizimet me energji ndërpriten për shkak të luftës në Ukrainë.

Duke folur në Samitin e Tranzicionit të Energjisë të organizuar dje nga Financial Times, Pettigrew tha se “National Grid” nuk e ka ndryshuar “rastin bazë” se do të kishte gaz dhe energji të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën në Britani këtë dimër.

Megjithatë, ai tha se në skenarin më të keq, ndërprerjet mund të ndodhin nëse temperaturat bien ndjeshëm.

“Në kontekstin e gjërave të tmerrshme që po ndodhin në Ukrainë dhe pasojave të kësaj, ne duhet të përcaktojmë se cilat mund të jenë disa nga rreziqet e mundshme”, tha Pettigrew.

Kompania “National Grid” në fillim të këtij muaji tha se nuk kishte gjasa që Britania të kishte mungesë të furnizimeve.

Sipas një raportimi të Sky News, rreth 40 për qind e energjisë elektrike në Britani fitohet nga termocentralet me gaz, ndërsa me gaz gjithashtu ngrohen shumicë e amvisërive.