Britania për herë të parë dërgon helikopterë në Ukrainë

Britania për herë të parë dërgon helikopterë në Ukrainë

Britania e Madhe njoftoi se do të dërgojë helikopterë në Ukrainë për herë të parë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Norvegji, Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se vendi i tij do të sigurojë helikopterë për Ukrainën si pjesë e ndihmës ushtarake.

Wallace njoftoi se do të sigurohen edhe 1.000 predha artilerie për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër Rusisë. “Mbështetja jonë për Ukrainën është e palëkundur. Këto predha shtesë do të ndihmojnë Ukrainën të sigurojë territorin që e ka rimarrë nga Rusia javët e fundit”, tha ai.

Në një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes së Britanisë thuhet se predhat e artilerisë do të rrisin aftësinë mbrojtëse të Ukrainës dhe se dërgimi i parë i helikopterëve të tipit “Sea King” do të ndihmojnë praktikat për kërkim dhe shpëtim në Ukrainë.

Kjo mbështetje e re e mbrojtjes britanike për Ukrainën vjen pasi kryeministri britanik, Rishi Sunak gjatë vizitës së tij në Kiev fundjavën e kaluar njoftoi se Ukrainës do t’i dhurohen 50 milionë paund për mbrojtjen.

Sipas mediave britanike, Ukrainës do t’i jepen 3 helikopterë “Sea King”, njëri nga të cilët tashmë ndodhet në Ukrainë.