` . Bregoviqi si veqil i Vuçiqit - TV SHENJA

Bregoviqi si veqil i Vuçiqit

Fakti që në Korçë nuk ftohet ndonjë këngëtar slloven, kroat, boshnjak mysliman, bullgar, maqedonas ose malazez, por atje ftohet të këndojë një këngëtar serb, ky është vetvetiu një mesazh politik. Bregoviqi në Korçë, me çelësin e Tiranës në xhep, është sinonim i Vuçiqit, njësoj si Nikoliqi më 1945, që ishte sinonim i Titos.

Shkruan: Zeqirija Ibrahimi

Muaji gusht i këtij viti, pos tjerash, do të mbahet mend edhe për faktin se këngëtari serb i Bosnjës, ish anëtari i grupit të njohur në ish Jugosllavi “Bjello dugme”, Goran Bregoviq, ishte i ftuar në një festival të birrës në Korçë. Kjo ishte arsyeja që në opinionin shqiptar të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, por edhe në mërgatën tonë, të kthehet përsëri debati për praninë e këtij këngëtari serb në “shtetin amë”. Në të vërtetë, Bregoviqi nuk e ka sefte që këndon para publikut shqiptar të Shqipërisë – më 2006 ai ishte në Tiranë për të kënduar dhe për ta marrë “Çelësin e Tiranës” nga kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Tiranës, i cili tash është kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Ata që duan ta interpretojnë me gjuhë artistike ftesën e Bregoviqit në Korçë, mes të cilëve edhe kryeministri shqiptar, nuk e kanë vështirë të ndërtojnë argumente se arti është përtej politikës, madje edhe të vendosin paralele, që u cilësuan si banale, se “ashtu si ka serbë që mund ta urrejnë Duan Lipën, ka edhe shqiptarë që e urrejnë Goran Bregoviqin”, që më shumë dëshmonin për sikletin e kryeministrit Rama sesa që ishin të qëndrueshme si krahasime. Megjithatë, vetëm fakti që nuk mund të imagjinohet që një këngëtar si Goran Bregoviqi të këndojë në Prishtinë është i bollshëm për ta konfirmuar perceptimin shqiptar kundrejt kësaj ngjarjeje. Le që nuk është aspak e besueshme dhe është krejt e paqëndrueshme se ngjarjet kulturore janë pa asnjë ndërlidhje me politikën.

 

Rambo, Nikoliqi dhe Bregoviqi

 

Që ta arsyetojë pjesëmarrjen në invazionin mbi Vietnam në vitet e ’70-ta të shekullit të shkuar, SHBA-ja e nxori atëbotë filmin “Rambo”, ashtu që të gjithë ne të solidarizohemi me ushtarët amerikanë në Vietnam dhe, madje, të ndjellim urrejtje për vietnamezët. Dhe, për të qenë korrektë, ky projekt artistik ishte mjaft i suksesshëm. Ne të gjithë si fëmijë kishim dëshirë të blejmë bluza me portretin e Silvester Stalones, që e luante rolin e Rambos.

Në shkurt të vitit 1945, derisa forcat partizane e çetnike serbe bënin kërdi mbi trojet shqiptare jashtë Shqipërisë, regjisori serb Bozhidar Nikoliq shkoi në Tiranë që ta organizojë themelimin e teatrit shqiptar dhe që ta realizojë shfaqjen e parë teatrore. Pas realizimit të shfaqjes “Dashnori” në qershor të 1945-tës, Xhemal Broja, atëherë kryeshef për kulturë, do të deklaronte se “Zoti Bozha Nikoliq nuk e kurseu fare veten që t’i japë hov teatrit në vendin tonë. Më përvojën e tij të madhe, ai u dha shumë aktorëve tanë, të cilët tani e qajnë largimin e tij”. (cituar sipas “Shkëlzen Halimi: Regjisori serb në Teatrin “Kosova” të Tiranës – “Shenja”, nr. 111, korrik 2020)

Po i përmend këta shembuj për të thënë se ngjarjet artistike nuk janë të shkëputura nga konteksti hapësinor dhe kohor, madje në hapësirë dhe kohë si këto tonat, ato janë shumë të lidhura edhe me zhvillimet politike. Njerëzit e kulturës janë mjeti që depërton më lehtë e më mirë aty ku e kanë vështirë të depërtojnë njerëzit e politikës. Ata janë ambasadorë, veqilë, të kombeve të tyre. Fakti që në Korçë nuk ftohet ndonjë këngëtar slloven, kroat, boshnjak mysliman, bullgar, maqedonas ose malazez, por atje ftohet të këndojë një këngëtar serb, ky është vetvetiu një mesazh politik. Bregoviqi në Korçë, me çelësin e Tiranës në xhep, është sinonim i Vuçiqit, njësoj si Nikoliqi më 1945, që ishte sinonim i Titos.

Meqë shqiptarët nuk mund ta gëlltisin Vuçiqin, veçmas ne shqiptarët e këndejkufirit, Bregoviqi përdoret si amortizues. E ai, përmes këngës – duke belbëzuar edhe diçka shqip bile – orvatet ta zbusë imazhin e serbit, që pastaj edhe Vuçiqi të mos jetë më “armiku ynë” dhe “bashkëpunëtori i Sheshelit e Millosheviqit”, por të jetë “një fqinj i dashur i yni”.

 

Arti si “soft power”

 

Goran Bregoviqi mund të jetë vetëm artist, mund të mos i interesojë fare politika, edhe pse biografia e tradhton mjaft, por kjo është më pak e rëndësishme – me rëndësi është që ai të jetë serb dhe me rëndësi është që ai të këndojë në Shqipëri. Vetëm kaq i duhet Vuçiqit. Por, jo vetëm atij.

Duke e ditur se kultura është ajo që i paraparin politikës, më saktë që ia hap rrugën politikës, do të them se mesazhi i pranisë së Bregoviqit në Korçë ishte që ta relativizojë imazhin e serbit kundrejt shqiptarëve, t’i bie kalem të kaluarës në emër të disa vlerave të së ardhmes së pretenduar dhe, në një mënyrë, ta projektojë artistikisht nismën “Open Balkan”. Nëse dy kombet kryesore të këtij projekti janë serbët dhe shqiptarët, duhet të gjenden edhe artistë që do të jenë ambasadorë ose metafora të këtij projekti. Pra, ky projekt duhet t’i ketë edhe “Rambot” e vet. Prandaj, nuk duhet të habitemi nëse këto ditë e shohim edhe ndonjë artist shqiptar (“shqiptar” për nga shtetësia, jo për nga përkatësia etnike) që do të marrë pjesë në ndonjë ngjarje në Serbi, për ta plotësuar mozaikun e personazheve të politikës. “Vuçiqi” ishte në Shqipëri. Tash, logjikisht, e ka radhën që edhe “Rama” të shkojë në Serbi. E nëse nuk ndodhë kjo, i bie se trajektorja është vetëm e njëtrajtshme.

Se arti është në funksion të zhvillimeve politike kjo është dëshmuar që nga Mesjeta dhe kjo vazhdon deri në ditët tona. Aty ku nuk ka depërtuar ndikimi politik i SHBA-së, ka depërtuar Hollywood-i. Ose, edhe më konkretisht, viteve të fundit është rritur ndjeshëm simpatia për Turqinë dhe kombin turk pikërisht përmes serialeve të shumta që e kanë vërshuar jo vetëm Ballkanin, por edhe Europën. Nëse sot do të bëhej një analizë për perceptimin e turkut në Ballkan, ky sigurisht do të dallonte shumë nga perceptimi që ka ekzistuar gjatë dekadave të gjysmës së dytë të shek. XX. Prania e filmave turk në eterin e Maqedonisë së Veriut dhe në të gjitha vendet e tjera ballkanike aq shumë e ka ndryshuar perceptimin ndaj turkut, sa vetëm ekskursionet që organizohen çdo javë në Stamboll, madje edhe nëpër lagjet ku janë xhiruar skenat filmike, janë dëshmi për ndikimin e madh që ka ushtruar arti filmik turk në mjedisin ballkanik. Prandaj, kushdo që thotë se arti nuk ka lidhje me politikën, ka thënë një gallatë të vërtetë artistike.

 

Mungesa e empatisë

 

Për fat të keq, shqiptarit të Shqipërisë shpesh po i mungon empatia për shqiptarët e këndejkufirit. Siç e tha një mik i imi, “nëse shqiptarët perceptohen si breshkë, samari jemi ne, ndërsa mishi i butë janë shqiptarët e Shqipërisë politike”. Ata nuk i ndjejnë dhe nuk i kanë ndjerë kurrë goditjet në samarin tonë dhe prandaj kollaj e kanë të ringjallin “vëllazëri shqiptaro-serbe”. Por, ne, që gjithkund i kemi varet e gjenocidit shekullor serb, ne që e kemi bërë pelegrinazh që së paku një herë në vit të shkojmë në Prekaz për t’i vizituar 56 varret e familjes Jasharit, nuk e kemi njësoj.

Ajo që duhet të thuhet e të pranohet, mbase me keqardhje, është se gjysmëshekulli i kaluar, përveç ndarjes politike mes shqiptarëve, ka krijuar edhe brazda të dallimeve kulturore, madje edhe dallime të ndejshme në perceptimin e artit. Ajo që sot të habit në Prishtinë është krejt normale në Tiranë dhe ajo që mund të jetë e zakonshme në Korçë mund të jetë trishtuese në Shkup. Fjala bie, për shqiptarin e Kumanovës nuk mund të imagjinohet martesa e një shqiptareje për një serb, madje kjo do të përbënte skandal, por kjo nuk paraqet lajm për një shqiptar të Pogradecit. Dhe, ky nuk është shembulli i vetëm.

Sidoqoftë, këto janë materie e mirë për analizë nga antropologët e sociologët, ndërsa në kontekst të politikës mund të konkludojmë se përveç kryeministrit të Shqipërisë, që i duket kaq e lehtë kjo puna e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, ajo që është shqetësuese është edhe qasja e disa ndërkombëtarëve që bëjnë projeksione nëpër kancelari të Brukselit, pa e shkelur asnjëherë këtë hapësirë. Si personalitete që shpesh kanë fuqi vendimmarrëse, ata duhet ta dinë se për shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi nuk mund të bëhen aq lehtë projekte politike me imitime artistike. Derisa Serbia nuk e merr ndëshkimin e saj për gjenocidin shekullor ndaj shqiptarëve, nuk mund të shpresojë askush që nismat e tilla mund të dalin të suksesshme. Fundja, edhe karikaturat janë art, por mbeten karikatura.