Borrell përshëndet rolin e Turqisë dhe OKB-së për zhbllokimin e drithërave të Ukrainës

Borrell përshëndet rolin e Turqisë dhe OKB-së për zhbllokimin e drithërave të Ukrainës

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell përshëndeti përpjekjet e Türkiye-s dhe OKB-së që çuan në marrëveshjen midis Rusisë dhe Ukrainës për eliminimin e pengesave për dërgesat e grurit ukrainas, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Marrëveshja e sotme e Istanbulit është një hap në drejtimin e duhur” për të zgjidhur problemet e shkaktuara nga “pushtimi i paligjshëm i Rusisë në Ukrainë, i cili la miliona në rrezik nga uria”, shkroi Borrell në Twitter.

Ai përshëndeti përpjekjet e OKB-së dhe Türkiye-s për të siguruar marrëveshjen dhe kërkoi “zbatimin e shpejtë të saj”.

Borrell shtoi se BE-ja vazhdon të ofrojë ndihmë në transportin e grurit ukrainas.

Me ndërmjetësimin e Türkiye-s dhe OKB-së, Ukraina dhe Rusia nënshkruan sot në Istanbul një marrëveshje për rifillimin e dërgesave të drithërave të Ukrainës nga portet e Detit të Zi.

Sipas marrëveshjes, të arritur mbi një plan të udhëhequr nga OKB-ja gjatë bisedimeve të 13 korrikut në Istanbul, do të krijohet një qendër koordinimi për të kryer inspektime të përbashkëta në hyrje dhe dalje të porteve dhe për të garantuar sigurinë e rrugëve.

E vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj ndërmjetësues, Türkiye është koordinuar me Moskën dhe Kievin për të hapur një korridor nga qyteti port ukrainas i Odesës për të rifilluar dërgesat globale të drithërave që janë bllokuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.