Borrell: Nuk ka marrëveshje, takimi nuk ishte aspak i lehtë, por Kurti-Vuçiq pajtohen që të vazhdojnë diskutimet

Borrell: Nuk ka marrëveshje, takimi nuk ishte aspak i lehtë, por Kurti-Vuçiq pajtohen që të vazhdojnë diskutimet

Me ftesë të shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel sot në Bruksel po takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimi vjen pas tensioneve të shtuara në pjesën veriore të Kosovës dhe deklaratave në Kosovë e Serbi për shkak të fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit ndërmjet dy vendeve për targa dhe dokumente zyrtare.

Borrell pas takimit: Nuk ka progres për tema të mëdha, nuk ka kompromis për momentin

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk është shënuar progres për çështje më të mëdha.

Në një konferencë për media të mbajtur në Bruksel, Borrell ka thënë se për momentin nuk ka kompromis nga palët.

“Nuk mund të them se në këtë takim ka pasur progres për çështje më të mëdha. Nuk ka kompromis për momentin”, ka deklaruar ai.

Tutje, Borrell ka pohuar se në fund të takimit ua ka bërë të qartë të dy liderëve se “BE-ja dhe anëtarësimi në NATO duhet të mbesin synimi përfundimtar dhe ata duhet të gjejnë një mënyrë për të avancuar tutje në këtë rrugëtim. Hapi i parë është që të kërkojnë zgjidhje për situatën aktuale”.

Borrell: Gjatë takimit është biseduar më hollësisht për marrëveshjen

Jemi po ashtu të fokusuar në rrugën drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Patëm mundësi që të bisedonim në hollësi për këtë marrëveshje”, tha ai.

Sipas tij, Vuçiq dhe Kurti e kanë kuptuar se nuk ka ndonjë alternativë ndaj dialogut në kuptimin e zgjidhjes së këtij problemi.

“Sigurisht se ka dallime të mirënjohura mes tyre sa i përket asaj se cili do të jetë statusi përfundimtar i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë apo si do të duhej të ishin ato. Por, janë pajtuar se do t’i vazhdojnë bisedimet në baza të rregullta në periudhën vijuese për ta përshpejtuar procesin e normalizimit”, përfundoi shefi i politikës së jashtme të BE-së, shkruan Telegrafi.