Borrell: BE-ja dhe Ballkani Perëndimor vazhdojnë të qëndrojnë së bashku

Borrell: BE-ja dhe Ballkani Perëndimor vazhdojnë të qëndrojnë së bashku

Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell priti të martën një drekë jozyrtare në Nju Jork me liderët e Ballkanit Perëndimor, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (APKB). Këto takime jozyrtare zhvillohen dy herë në vit në Bruksel dhe Nju Jork dhe shërbejnë si mundësi joformale për të shkëmbyer pikëpamje rreth sfidave në rajon dhe për të ardhmen evropiane të rajonit.

Diskutimi u fokusua në ndikimin global dhe rajonal të luftës së paligjshme dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si t’i trajtojnë së bashku pasojat e dëmshme të kësaj lufte në çmimet e ushqimeve dhe energjisë dhe në stabilitetin dhe sigurinë në Evropë dhe globalisht.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell theksoi mbështetjen që BE-ja po i jep Ballkanit Perëndimor për të rritur sigurinë e energjisë dhe për të adresuar kërcënimet hibride, duke përfshirë manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj kibernetik.

“BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku në përballjen e sfidave që imponon globalisht lufta e paprovokuar e Rusisë ndaj Ukrainës. BE-ja plotësisht e përfshin Ballkanin Perëndimor me nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës”, thuhet në komunikatën e Zyrës e BE-së në Kosovë.