` . Borrell: BE dëshiron ta mbajë të gjallë marrëveshjen bërthamore të Iranit - TV SHENJA

Borrell: BE dëshiron ta mbajë të gjallë marrëveshjen bërthamore të Iranit

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se blloku evropian mbetet i vendosur të ruajë marrëveshjen bërthamore të Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një ngjarje të organizuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS), Borrell tha se vrasja e 27 nëntorit e shkencëtarit bërthamor iranian, Mohsen Fakhrizadeh, ishte një “veprim kriminal”.

“Kjo nuk është mënyra se si ju po zgjidhni problemet”, tha Borrell, duke theksuar se BE-ja ka punuar gjatë gjithë vitit për të mbajtur në fuqi marrëveshjen bërthamore të Iranit “pavarësisht tërheqjes amerikane”.

Fakrizadeh, i cili udhëhoqi hulumtimin dhe inovacionin në Ministrinë e Mbrojtjes së Iranit, u vra pranë Teheranit të premten.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë akuzuan Izraelin për vrasjen e krye-shkencëtarit bërthamor të vendit, incident që ngriti tensionin në rajon.

“Evropianët kanë qëndruar të bashkuar në mbajtjen gjallë të kësaj marrëveshjeje”, theksoi Borrell.

Ai shtoi se BE-ja shpreson të kthejë përsëri SHBA-të dhe Iranin në marrëveshje, si dhe shprehu pritje që Teherani të kthehet në përputhje të plotë me përgjegjësitë bërthamore.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi në mënyrë që ta bëjmë këtë marrëveshje të jetë një ofrues i sigurisë për të gjithë rajonin”, tha Borrell.

Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2015 nga Irani, SHBA, Kina, Rusia, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, si dhe BE-ja.

Washingtoni në mënyrë të njëanshme u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018.

Pas një rritjeje dramatike të konfrontimeve midis Iranit dhe SHBA-ve në fillim të këtij viti, Irani po ashtu njoftoi se do të ndalojë së përmbushuri angazhimet e marrëveshjes.