Bora vështirëson komunikacionin në vendet e rajonit

Bora vështirëson komunikacionin në vendet e rajonit

Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirë në komunikacionin e vendeve të rajonit, veçanërisht në vendet malore ku dhe është vendosur ndalesë për lëvizjen e automjeteve të rënda transportuese, raporton AA.

Në Kosovë për shkak të reshjeve të pandërprera të borës për më shumë se 24 orë trafiku është i vështirësuar. Autoritetet kompetente të këtij vendi njoftuan se pavarësisht kushteve të këqija të motit, reshjet e vazhdueshme të borës dhe acarit, është duke punuar në terren për të siguruar kushtet për komunikacion.

Në kryeqytetin kosovar të gjitha rrugët janë të kalueshme, por për shkak të sasisë së madhe të borës dhe trotuareve të papastruara qytetarët kanë vështirësi në qarkullim.

Në Kosovë sot temperaturat lëvizin prej minus 5 në mëngjes deri në minus 2 gradë celsiusë gjatë ditës.

Në Shqipëri, përveç komunikacionit i cili në disa pjesë të vendit zhvillohet me vështirësi, nga moti i keq është pezulluar edhe procesi mësimor në disa qytete.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë (IGJEUM), temperaturat për sot pritet të arrijnë deri në –5 gradë celsius në zonat malore, ndërsa në zonat bregdetare temperaturat minimale në 3 gradë celsius.