Bolton: Tërheqja e ushtrisë nga Siria varet nga parakushtet

Bolton: Tërheqja e ushtrisë nga Siria varet nga parakushtet

Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, sot tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk kanë caktuar një datë për tërheqjen e ushtrisë nga Siria, por se ky proces varet nga parakushtet, transmeton AA.

Bolton qëndron për vizitë në Izrael, ndërsa sot u takua me kryeministrin e këtij vendi, Benjamin Netanyahu.

Gazeta lokale “Haaretz” raporton se këshilltari i Trumpit, para takimit me Netanjahun, tha se tërheqja e ushtrisë amerikane nga Siria varet nga fitorja e plotë ndaj organizatës terroriste DEASH dhe nga marrja e garancive nga Turqia se të ashtuquajturit “luftëtarë kurdë” do të mbrohen.

Ai sqaroi se këtu mendon për partnerët e SHBA-ve në luftën kundër DEASH-it, konkretisht për pjesëtarët e organizatës terroriste YPG/PKK që veprojnë nën të ashtuquajturën Forca Demokratike Siriane (SDF).

Bolton më tej pohoi se data e saktë e tërheqjes së ushtrisë amerikane nga Siria do të jetë fryt i vendimit politik.

Presidenti amerikan, Doanld Trump, kohët e fundit paralajmëroi se do të tërheq ushtrinë nga Siria. Ai tha se terroristët e DEASH-it janë mposhtur, ndërsa Turqia e bindur se është e aftë t’i neutralizojë kërcënimet e mbetura terroriste në këtë rajon.

Interpretimi i Boltonit për tërheqjen e kushtëzuar është në kundërshtim me deklaratat e Trumpit që këtë fundjavë tha se nuk dëshiron të mbajë trupat në Siri, në të cilën luftën e përshkroi si “gjak dhe rërë”.