Bllokohet Maqedonia e Veriut, pasojat i bart Shqipëria

Bllokohet Maqedonia e Veriut, pasojat i bart Shqipëria

Kryeministri bullgar, Kirill Petkov, ka kërkuar që kusht i heqjes së vetos bullgare për çeljen e negociatave drejt BE-së është të hapet kushtetuta dhe bullgarët të bëhen pjesë e saj. Është pak për t’u besuar se pala bullgare do të heqë dorë nga kërkesat e saj mbi identitetin etnik dhe gjuhën maqedonase. Fitorja e Emanuell Makronit në Francë jep një fije shpresë se procesi i negociatave me Bashkimin Europian do të fillojë, natyrisht pa e ditur fundin e tij.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Një dekadë e plotë është periudha minimale, e cila është e domosdoshme që Maqedonia e Veriut të arrijë synimin e saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Kjo do të thotë se edhe 10 vjet qytetarët do të vazhdojnë që Europën e bashkuar ta kenë ëndërr, ndërsa politikanët nuk do të ndalen së trumbetuari me fjalorin tashmë të stërnjohur, e madje bajat, që në vete ngërthen sintagmën “integrim europian”.

 

Maqedonia e Veriut në BE, jo më herët se në vitin 2032

Kryeministri bullgar, Kirill Petkov, është ai që ia ka caktuar Maqedonisë së Veriut kohën e pritjes para dyerve të Bashkimit Europian, pasi ka kërkuar që si kusht i heqjes së vetos bullgare për çeljen e negociatave drejt BE-së së pari të hapet Kushtetuta dhe bullgarët të bëhen pjesë e saj përkatësisht të përmenden në preambulë. Pasi të ndodhë kjo, më pas të vazhdojë procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut brenda dekadës vijuese. Pra, dalëngadalë, duhet të pajtohemi me fatin se integrimi i Maqedonisë së Veriut nuk do të jetë proces as i lehtë, e as i shpejtë, kjo për faktin se pala bullgare kërkon aq shumë kohë dhe me siguri se do të kërkojë “kompromise të dhimbshme” nga pala maqedonase, sidomos në planin identitar, duke përfshirë këtu çështjet që kanë të bëjnë me formimin dhe konsolidimin e popullit maqedonas dhe gjuhës maqedonase. Zyrtarët bullgarë e përsërisin vazhdimisht se gjuha dhe identiteti etnokulturor maqedonas nuk datojnë më herët se viti 1944 dhe se ky identitet, sipas tyre i ri, është produkt i Titos dhe Partisë Komuniste të (ish) Jugosllavisë. Nëse i kontekstualizojmë këto deklarata, problemi mes Shkupit dhe Sofjes duket i pazgjidhur, aq më shumë që deklarata mbi dekadën integruese bëhet nga një politikan jonacionalist bullgar, i cili studimet e tij i ka përfunduar në Universitetin e Harvardit dhe, rrjedhimisht, priteshin qëndrime jo shumë rigide dhe që dalin nga korniza politike-institucionaliste bullgare mbi çështjen e Maqedonisë së Veriut. Por, në fakt, ndodh e kundërta! Qëndrimet e Petkovit, ndonëse të thëna me një gjuhë më të butë, nuk dallojnë nga ato të liderëve bullgarë të periudhës së komunizmit dhe pas tij, në radhë të parë kemi parasysh Todor Zhivkovin, Zhelu Zhelevin dhe, së fundmi, Bojko Borisovin, Rumen Radevin dhe politikanin shumen, Sllavi Trufunov, i cili ka qëndrime të qarta antimaqedonase. Ndërkaq, duhet thënë se vetëm në vitet 1998-2002 pati një përafrim të marrëdhënieve midis dy vendeve, pasi atëbotë në pushtet ishte VMRO-DPMNE-ja në krye me Lubço Georgievskin, i njohur për qëndrimet e tij probullgare, madje i pajisur më vonë edhe me pasaportë bullgare, ndërsa në anën tjetër ishte tandemi Petar Stojanov dhe Ivan Kostov, të cilët i mbështesnin marrëdhëniet e mira diplomatike dhe ekonomike me Shkupin.

 

Nuk ka hapësirë për optimizëm “europian”

Deklaratat e Petkovit, ndërkohë, në disa media proqeveritare të vendit u komentuan në mënyrë afirmative, duke u vënë theksin të drejtave të bullgarëve, por pasi të hiqet vetoja në qershor dhe duke shpresuar, mbase pa arsye, se të drejtat do të jenë zëvendësim i kërkesave të përhershme mbi identitetin maqedonas. Është pak për t’u besuar se pala bullgare do të heqë dorë nga kërkesat e saj mbi identitetin etnik dhe gjuhën maqedonase, edhe atë në kuadër të bisedimeve në komisionin e përbashkët për çështje historike. Por, kjo është gati se e pamundur, pasi dioptria historiografike bullgare dhe maqedonase vështirë se mund të gjejnë pikëtakim, pasi bëhet fjalë për ngjarje dhe procese në të cilat kanë marrë pjesë personalitete, të cilat Sofja i quan dhe i përkujton si heronj bullgarë, ndërsa Shkupi si heronj maqedonas. Me të drejtë, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski konsideron se është iluzion të mendohet se dy palët do të arrijnë të merren vesh për historinë e mesjetës ose të shekullit njëmbëdhjetë ose mbi atë se cili ishte identiteti i mbretit Samoil, të cilin dyja palët e konsiderojnë si të vetin. Jo vetëm Samoilin, por edhe heronjtë e periudhës më të re, si për shembull Goce Dellçevi, shkaktojnë kokëçarje tek anëtarët e dy komisioneve shkencore. Kjo, fatkeqësisht, do të thotë se vend për optimizëm nuk ka!

Nuk ishte askush tjetër, por pikërisht kryeministri bullgar Petkov, ai i cili erdhi në hapjen e klubit kulturor bullgar në Manastir, që mban emrin e njërës nga figurat më kundërthënëse në historinë e dy popujve, e që është Ivan Mihajllov, i njohur më shumë si Vanço Mihajllov. Hapja e klubit kulturor shkaktoi reagime të ashpra në Shkup, me pretendimin se Mihajllovi ka qenë bashkëpunëtor i nazizmit gjerman, ka mohuar ekzistimin e gjuhës dhe popullit maqedonas, ka qenë në funksion të agjendës politike bullgare, ndërsa në intervistën e tij të fundit, dhënë për një gazetar në Romë, ku jetonte si emigrant politik, disa zëra proserbë në Shkup do t’i quajë “kafshë maqedonase”. (Ai është edhe autor i veprës “Maqedonia – Zvicra e Ballkanit”.)

Nisur nga këto përplasje historike-identitare bullgaro-maqedonase, kompromisi dhe hapja e rrugës europiane për Maqedoninë e Veriut duket e largët, edhe pse mund të ndodhë që vetoja përkohësisht të hiqet, por negociatat në vend se me BE-në mbi kapitujt e procesit negociues, vendi duhet t’i zhvillojë me Bullgarinë!

 

Fitorja e Makronit, shpresë për negociata

Në anën tjetër, fitorja presidenciale e Emanuell Makronit në Francë jep një fije shpresë se procesi i negociatave me Bashkimin Europian do të fillojë, natyrisht pa e ditur se kur do të jetë fundi i tij. Gjithsesi se kjo mund të ndodhë edhe për faktin se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë në pako, sipas modelit dysh të integrimit të vendeve në BE. Andaj, Shqipëria nuk do të durojë ta marrë “në qafë” Maqedoninë (e Veriut), sepse shqiptarët nuk i kanë borxh me asgjë shtetit fqinj, që të bllokohen në rrugën integruese. Shteti dhe qeveria shqiptare mund të pengohen në këtë rrugë, për shkakun e moszbatimit të reformave, mosluftimin e korrupsionit e krimit të organizuar ose për varfërinë ekstreme, por assesi për shkak të doktrinës historiciste maqedonase. Pikërisht për shkak të vetos bullgare ndaj Shkupit, vitin e fundit, Shqipëria është “ndëshkuar” nga BE-ja me mosdhënien e datës për negociata.

Po ashtu, vendimi për fillimin e negociatave do të jetë i kushtëzuar edhe nga fakti se nëse nuk fillojnë negociatat në qershor, euroskepticizmi do të rritet dhe mund të ndodhë që amplituda e eurocentrizmit të ketë “rënie të lirë”, ashtu që nga 90 për qind, sa ishte para disa viteve, fare lehtë t’i afrohet 50-përqindëshit. Kjo, natyrisht, nuk u konvenon as shteteve “bllokuese”, si Franca, Holanda dhe Danimarka, të cilat me gjithë dilemat që i kanë mbi integrimin e Ballkanit në BE, nuk do të donin të hapet rruga e gjetjes së alternativave të tjera aleanciste gjeostrategjike, aq më shumë që shqiptarët, kudo qofshin, nuk kanë asnjë opsion rezervë.

Nuk është i pamundur as “skenari grek”! Ky skenar do të thotë që negociatat me Bullgarinë mund të zgjasin me dekada, ngjashëm si me Greqinë, lidhur me çështjen e emrit të shtetit. Turqia është rast studimor që tregon se nisja e negociatave nuk do të thotë se një vend me siguri do të bëhet anëtar i BE-së.

Maqedonia e Veriut, e bashkë me të edhe Shqipëria, mund t’i nisin negociatat dhe të mbeten para dyerve të Brukselit, ndërsa aleancat ballkanike të tipit “Ballkani i hapur” do të intensifikohen edhe më shumë, si përgjigje ndaj mosintegrimit në BE. Jorastësisht këtyre ditëve u përmend që nisma e “Ballkanit të hapur” të zëvendësohet me atë për “Ballkan europian”!