Bllokimi i Shqipërisë dhe RMV, Von der Leyen kërkon heqjen e të drejtës së vetos

Bllokimi i Shqipërisë dhe RMV, Von der Leyen kërkon heqjen e të drejtës së vetos

Bashkimi Europian mund të heqë të drejtën e vetos për vendet anëtare. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, thotë se blloku duhet të jetë në gjendje të përgjigjet shpejt për zhvillimet gjeopolitike dhe t’i japë fund kushtit të unanimitetit për vendimet e politikës së jashtme.

“Ne duhet të kalojmë në votim me shumicë të cilësuar”, u shpreh ajo duke iu përgjigjur pyetjes së edicionit europian të medias Politico nëse BE-ja duhet të ndryshojë procesin e vendimmarrjes për të anëtarësuar anëtar të rinj, jo vetëm Ukrainën dhe Moldavinë, por edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Duke komentuar bllokimin e procesit të zgjerimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ajo tha se vonesat në vendimmarrje janë bërë turpëruese dhe torturuese.
“Në çështjet e jashtme, jam shumë e bindur se votimi unanim nuk është i qëndrueshëm, pasi Bashkimi Europian nuk është në gjendje të mbajë një qëndrim për shkak të një bllokimi në dosjet kritike. Zhvillimet ndodhin shumë shpejt dhe bota dëshiron të dëgjojë zërin europian. Shpejtësia është shumë e lartë dhe konstante, dhe shpesh, qëndrimi ynë nuk dëgjohet dhe vërehet për shkak të bllokimit të një vendi. Prandaj jam e bindur se na duhet një votim me shumicë të cilësuar”, ishin fjalët e saj.
Në përgjigjen e saj, von der Leyen pranoi se një ndryshim i tillë madhor në vendimmarrjen e Bashkimit Europian, qoftë vetëm për politikën e jashtme, do të jetë shumë i vështirë për t’u arritur.

Zyrtarja e lartë e Unionit tha se pret që liderët e 27 vendeve anëtare dhe qeveritë e tyre të miratojnë rekomandimin e Komisionit për t’u dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin kandidat.

Sa i përket shpresave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave të anëtarësimit, nuk bëri asnjë koment. Von der Leyen konfirmoi ndër të tjera se BE-ja nuk ka një afat të përcaktuar qartë për kohëzgjatjen e procesit të pranimit dhe se i mbetet në dorë çdo shteti për të plotësuar kushtet e vendosura. /A2cnn