Bllagoja Milevski: Objektivi jonë është Europiani 2024

Bllagoja Milevski: Objektivi jonë është Europiani 2024

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut sot është grumbulluar në Shkup për përgatitjet për ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve që do të nisin muajin e ardhshëm. Disa nga reprezentuesit kanë arritur sot, ndërsa ditëve në vijim pritet të kompletohet i gjithë ekipi. Në këto ndeshje do të mungojnë kapiteni Stefan Ristovski, i cili për shkak lëndimit bie nga kombinimi, ndërsa nuk do të jenë as Arijan Ademi e Adis Jahoviq të cilët për shkak një sezoni të ngarkuar me ekipet e tyre, janë lënë të lirë për sfidat e qershorit. Gjithashtu edhe mesfushori Erdal Rakip nuk do të jetë në dispozicionin e seleksionuesit Bllagoja Milevski për arsye private. Shefi i stafit teknik të përfaqësueses, Milevski ka thënë para gazetarëve se për këto ndeshje do të kenë shans të gjithë futbollistët dhe se objektivi i Maqedonisë është Europiani 2024 dhe vendi i parë në grupin e Ligës së Kombeve.

Blagoja Milevski – seleksionues i përfaqësueses A të Maqedonisë:

– Jemi në një grup me kundërshtarë cilësorë. Cilësia është e nivelit dhe as Gjibraltarin nuk e lë pas dore, megjithëse shumë e konsiderojnë autsajder. Synimi ynë është të fitojmë vendin e parë në shtator kur përfundon cikli. Na presin gjashtë ndeshje të vështira, jo vetëm një apo katër.

– Është e domosdoshme në këtë përfaqësuese që të gjithë të japin maksimumin. Lojtarët të tregojnë se kanë potencial, të japin maksimumin dhe në fund të shohim se çfarë do të na sjellë. As unë dhe as stafi profesional nuk jetojmë në të kaluarën. Po lëmë pas Italinë dhe Portugalinë dhe do të bëjmë maksimumin për t’u përballur me sfidat e reja.

– Të gjithë do të kenë mundësi të luajnë dhe të konfirmojnë potencialin e tyre, do të bëjmë rotacione dhe do të jemi të kënaqur nëse shohim cilësinë dhe potencialin e lojtarëve, duke na treguar se mund të mbështetemi tek ata në të ardhmen, sepse për ne objektivi mbetet Europiani 2024. Ne e kemi bazën, ia dolëm në 2015/16, tani po e rifreskojmë ekipin me lojtarë të rinj të përfaqësueses U21. Ne kemi treguar se mund të jemi konkurrues në Evropë, por duhet të vazhdojmë në atë drejtim.