Blinken: Putini nuk do ta arrijë qëllimin për të përçarë aleatët e Kievit

Blinken: Putini nuk do ta arrijë qëllimin për të përçarë aleatët e Kievit

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se presidenti rus Vladimir Putin ka përqendruar zemërimin dhe furinë e tij tek popullata civile e Ukrainës. Ai shtoi se megjithatë strategjia e fundit e Rusisë për të shënjestruar infrastrukturën jetike të këtij vendi do të dështonte në synimin e saj për të përçarë aleatët e Kievit.

“Energjia elektrike, ngrohja dhe uji këto janë objektivat e reja të Presidentit Putin. Ai po i godet ato fort. Ky brutalizim i popullit të Ukrainës është barbar”, tha Blinken në një konferencë shtypi në Bukuresht pas një takimi dy-ditor të NATO-s, shkruan Zëri i Amerikës.

Blinken akuzoi Putinin se po përpiqet të përçajë koalicionin perëndimor dhe ta detyrojë atë të braktisë Ukrainën, duke goditur infrastrukturën energjitike e për pasojë duke rritur kostot e energjisë jo vetën në Evropë, por në mbarë botën.

“Kjo strategji nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë. Ne do të vazhdojmë të dëshmojmë se ai mendon gabim. Kjo është ajo që dëgjova e me forcë nga çdo vend këtu në Bukuresht”, shtoi Blinken.

Më herët sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se NATO do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën në një takim me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba. Takimi dy palësh u zhvillua në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bukuresht të Rumanisë. Shefi i diplomacisë ukrainase tha se me homologun amerikan po kërkojnë zgjerimin e numrit të vendeve që do t’i bashkohen koalicionit kundër agresionit rus në Ukrainë.

Furnizimi i Ukrainës me armë dhe rindërtimi i rrjetit të saj të dëmtuar elektrik për t’i mbijetuar dimrit nën bombardimet ruse ishte çështja kryesore në takimin Blinken – Kuleba.

“Mbetët shumë e qartë për mua se mbështetja për Ukrainën është e fortë dhe e vendosur. Këtë e kam dëgjuar nga pothuajse të gjithë në takimin e NATO-s”, tha shefi i diplomacisë amerikane, Antony Blinken.

Kryediplomati ukrainas, Kuleba tha të mërkurën se diplomatët e NATO-s janë zotuar për armatosjen e Ukrainës, ndërsa njoftoi se me homologun amerikan po punojnë në zgjerimin e koalicionit kundër agresionit rus.

“Populli i Ukrainës do të jetë shumë mirënjohës nëse kjo mbështetje jepet sa më shpejt dhe vazhdon për aq kohë sa është e nevojshme. Me Sekretarin Blinken po kërkojmë nëpër gjithë botën për më shumë ndihmë nga vende të tjera. Ne duhet të kemi më shumë vende që i bashkohen kësaj lufte të përbashkët për një botë që mbështetet në rregulla”, tha ministri ukrainas, Kuleba.

Vlerësimet e fundit janë se Rusia ka shkatërruar ose dëmtuar së paku 40% të sektorit energjetik ukrainas, duke lënë miliona pa ngrohje, energji elektrike apo ujë.