Blinken: Nuk ekziston “asnjë justifikim” për veprimet e Pekinit

Blinken: Nuk ekziston “asnjë justifikim” për veprimet e Pekinit

Duke e quajtur përgjigjen ushtarake të Kinës për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve së SHBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan si një “reagim të tepruar”, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se nuk ekziston “asnjë justifikim” për veprimet e Pekinit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Fakt është se vizita e kryetares ishte paqësore. Nuk ka asnjë justifikim për këtë përgjigje ushtarake ekstreme, disproporcionale dhe përshkallëzuese”, tha Blinken në një konferencë për media në Kamboxhia, ku ai merr pjesë në Samitin e ASEAN-it.

Blinken pohoi se SHBA-ja “nuk e mbështet pavarësinë e Tajvanit”.

Pekini ka nisur stërvitje masive ushtarake rreth Tajvanit pasi Pelosi vizitoi ishullin e vetëqeverisur në fillim të kësaj jave, përkundër paralajmërimeve të Kinës, e cila e sheh atë si “provincën e saj të shkëputur”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me politikën tonë të një Kine, e cila udhëhiqet nga Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin, Tre Komunikata dhe gjashtë garancitë”, tha Blinken duke shtuar se “Ne nuk duam ndryshime të njëanshme në ‘status quo’-s nga asnjëra anë”.

SHBA-ja dëshiron zgjidhje paqësore për mosmarrëveshjet e ngushticës, jo me forcë, tha ai.

Zbarkimi i raketave kineze në zonat ekskluzive ekonomike të Japonisë është një “përshkallëzim signifikant”, tha Blinken, duke shtuar se SHBA-ja “do të udhëtojë, lundrojë dhe operojë kudo ku zbatohet ligji ndërkombëtar dhe do të vazhdojë tranzitin detar përmes ngushticës së Tajvanit”.

Ai theksoi se SHBA-ja “nuk kërkon dhe nuk do të provokojë një krizë”, por siguroi mbështetjen e Washingtonit për aleatët e saj në rajon.

Blinken, megjithatë, shtoi se përgjigjja ushtarake kineze ndaj vizitës së Pelosit mund të “destabilizojë rajonin më të gjerë”.

Lidhur me situatën në Mianmar, Blinken kërkoi qasje humanitare në vendin e qeverisur nga junta ushtarake që nga viti i kaluar.

Ai bëri thirrje për mbështetje globale kundër miratimit të zgjedhjeve të planifikuara nga junta vitin e ardhshëm. “Ato nuk do të jenë korrekte dhe të lira në situatën aktuale”, shtoi ai.