Blinken: Kina po përshpejton planet për bashkim me Tajvanin

Blinken: Kina po përshpejton planet për bashkim me Tajvanin

Kina është duke çuar përpara synimet për bashkim me Tajvanin, me intensitet më të shtuar sesa është pritur, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Pekini ka vendosur që status quo-ja nuk është më e pranueshme, ka shtuar ai.

Në një fjalim të mbajtur të dielën në Kongresin e Partisë Komuniste në Pekin, presidenti kinez, Xi Jinping, ka thënë se nuk heq dorë nga mundësia e përdorimit të forcës.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet për bashkim paqësor, mirëpo ne nuk do të premtojnë kurrë heqjen dorë nga përdorimi i forcës”, ka thënë ai.

Kina e konsideron Tajvanin – ishull që vetëqeveriset – si pjesë e territorit të saj.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se forcat amerikane do të mbrojnë Tajvanin, në rast të ndonjë sulmi kinez.

Edhe Blinken ka thënë se SHBA-ja do të mbështesë kapacitetet e ishullit për të mbrojtur veten.

Uashingtoni ka ecur gjithmonë në një litar të hollë diplomatik sa i përket çështjes së Tajvanit dhe Kinës.

Politikat amerikane nuk parashohin veprime ushtarake në Tajvan, mirëpo presidenti Biden ka shkuar përtej tyre dhe ka përsëritur disa herë se Uashingtoni do ta mbronte Tajvanin.

Komentet e Bidenit vijnë teksa Kina po e mban Kongresin e Partisë Komuniste, në të cilën Xi pritet të fitojë një mandat të tretë në pushtet.
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë rritur në muajt e fundit, sidomos pas një vizite në Taipei të udhëheqëses së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi.

Kina, më pas, ka kryer stërvitje të mëdha ushtarake, si kundërpërgjigje ndaj vizitës së Pelosit.

Tajvani i ka dënuar veprimet e Kinës dhe i ka konsideruar “tejet provokative”.