` . Bisedimet që nuk duhej të ndodhnin - TV SHENJA

Bisedimet që nuk duhej të ndodhnin

Tanimë tërë shtypi evropian dhe ai amerikan ka bërë me dije se Grenell-i ishte ai që qëndroi pas rrëzimit të qeverisë Kurti, e cila nuk do të shkonte në Uashington për të biseduar pa kushte. Një pjesë e madhe e shtypit këtë veprim e karakterizoi si intervenim të SHBA-ve, që ishte i ngjashëm me ato që dikur Uashingtoni i bënte në Amerikën Latine.

Shkruan: Daut DAUTI, Gjilan

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe tjerëve, e bërë publike nga zyra e prokurorisë së specializuar në Hagë, ka nxjerrë në shesh të diskutimeve shumë probleme që mundoheshin të fshiheshin dhe të cilat i shihte gjithkush. Edhe pse aktakuza nuk është pranuar dhe vërtetuar nga gjykata, siç e kërkon procedura gjyqësore, janë krijuar disa efekte në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës. Efekti i saj i menjëhershëm është ndalja e bisedimeve që ishin planifikuar të mbaheshin në Uashington me datën 27 dhe 28 qershor të këtij viti. Gjasat që këto bisedime të fillojnë sërish, brenda kornizës dhe formës së paralajmëruar, tani më pothuaj nuk ekzistojnë. Nëse qëllimi i aktakuzës ishte që të ndalen bisedimet, kjo është arritur, dhe për shumë arsye kjo është më mirë.

Aktakuza u bë shkas që për të satën herë të shihet që problemi i stërzgjatur i Kosovës të bëhet me dije se nuk është duke u adresuar në mënyrë adekuate. Së pari, bisedimet e kësaj forme, ku përfshihet vetëm pala amerikane si ndërmjetësuese, nuk shihen si angazhim serioz për zgjidhje të përhershme të problemit. Injorimi që administrata e presidentit Trump, në krye me ambasadorin Grenell, është duke treguar ndaj faktorit evropian është mjaft shqetësues. Shqetësimet rriten kur e kemi para sysh se kjo administratë, në shumë raste, ka treguar se me veprimet e saja jo konsistente dhe të pa parashikueshme krijon edhe mosbesim dhe pasiguri në arenën ndërkombëtare.

Në fakt, administrata amerikane shihet se është duke e injoruar edhe një faktor tjetër të rëndësishëm: Britaninë e Madhe. Sipas paralajmërimeve, marrëveshja do të përcillej me një fazë përcjellëse të zbatimit që do ta përfshinte Parisin dhe Berlinin apo Francën dhe Gjermaninë. Londra është lënë jashtë. Nëse ky përjashtim është bërë me qëllim të amerikanëve apo me dëshirë të britanikëve, është temë tjetër. Por, edhe në këtë rast, kjo çështje është e rëndësishme pasi që paraqet një shmangie brengosëse të britanikëve nga roli ndërkombëtar, të cilit Londra zakonisht nuk i ikë.

Zgjidhja e problemit të Kosovës ka filluar kryesisht si veprim i përbashkët anglo-amerikan, të cilët patën sukses që ta bindnin pjesën dërmuese të komunitetit ndërkombëtar që t’i bashkohej iniciativës së tyre për intervenim që solli çlirimin dhe Kosovën e vuri në binarë të rimëkëmbjes. Kjo nuk ka ndodhur në një kohë shumë të largët që do të na bënte ta harrojmë angazhimin e Tony Blairit dhe Bill Clintonit në këtë ndërmarrje që ishte cilësuar ndër më të rëndësishmet të shek. XX. Mospjesëmarrja e Britanisë së Madhe në bisedime është mungesë serioze e procesit. Një shtet, siç është Britania e Madhe, e cila ka marrë pjesë që nga fillimi dhe zhvillimi i procesit, duhet të jetë aty edhe në momentet përfundimtare si garantuese për zbatimin e marrëveshjes pa marrë parasysh se çfarë do të ishte ajo. Tek e fundit, Kosova, në një masë të madhe, është projekt anglo-amerikan, formimin e të cilit e ka përkrahur Bashkimi Evropian dhe pjesa dërmuese e botës. Prandaj, edhe përfundimi kërkon angazhimin e po këtyre faktorëve. Megjithatë, për shumë arsye, një angazhim i këtillë sot nuk duket i mundshëm por është i nevojshëm. Prandaj, duhet të merret seriozisht kjo mungesë.

Opsioni i ambasadorit Grenell për negociata ka insistuar për një zgjidhje të shpejtë amerikane. Premtimi i tij për ndihmë ekonomike për Kosovën dhe Serbinë, në shikim të parë, duket mjaft joshës. Por, mënyra se si ai arriti ta marrë pëlqimin e palës kosovare doli jo edhe aq e pëlqyeshme. Tanimë tërë shtypi evropian dhe ai amerikan ka bërë me dije se Grenell-i ishte ai që qëndroi pas rrëzimit të qeverisë Kurti, e cila nuk do të shkonte në Uashington për të biseduar pa kushte. Një pjesë e madhe e shtypit këtë veprim e karakterizoi si intervenim të SHBA-ve, që ishte i ngjashëm me ato që dikur Uashingtoni i bënte në Amerikën Latine. Por, në rastin e Kosovës ishte më lehtë.

Me të drejtë është kritikuar joshja ekonomike e Grenellit, e cila nuk do të kishte sukses në zbatimin e saj. Kjo do të ishte për arsye se Grenell e favorizoi një qeveri “të dëgjueshme”. Me këtë rast Grenell ndikoi që në pushtet të kthehen politikanët e korruptuar në Kosovë. Grenell, duke qenë funksionar i lartë amerikan, me siguri është i vetëdijshëm se çfarëdo programi ekonomik është i dështuar që në fillim nëse ai zbatohet nga politikanë të korruptuar. Sidomos, në rastin e Kosovës kur politikanët e mbështetur nga ai, e kanë dertin e pasurimit të vetes apo sigurisë personale e jo atë të forcimit ekonomik dhe politik të Kosovës.

Sidoqoftë, tani më askush nuk beson që problemi në mes Kosovës dhe Serbisë zgjidhet kaq shpejtë edhe sidomos me politikanë të korruptuar. Grenell ka lënë përshtypje se është duke e zbatuar veprimin që anglo-saksonët e quajnë kur ‘pastrohet dhoma por bërlloku fshihet nën tepih’. Pra, ‘pastrimi’ sipërfaqësor është joadekuat dhe i gabueshëm pasi që problemi (bërlloku nën tepih) fermentohet dhe del në sipërfaqe me elemente edhe më të rrezikshme se që kanë qenë më parë. Prandaj, një marrëveshje e këtillë nuk do të ishte më shumë se zgjidhje e përkohshme e problemit.

Iniciativa e ambasadorit Grenell, e cila sipas planit do të përfundonte me marrëveshje, tani më është e qartë se do të merrej si sukses i administratës së Presidentit Trump në politikën e jashtme. Me këtë gjë amerikanët do të dëshironin se ende janë në gjendje që problemet e botës t’i zgjidhin vetë. Kjo administratë do ta valëviste marrëveshjen edhe para qytetarëve amerikanë me shpresë se do ta ruante apo zmadhonte numrin e votuesve në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor të këtij viti.

Pala negociuese e Kosovës në Uashington do të ishte në pozitë të pafavorshme në raport me atë serbe. Kjo pozitë është dëmtuar edhe më shumë tashti pas shpalljes së akuzave në fjalë. Në anën tjetër qëndron një fakt, i cili me të madhe është duke u injoruar nga shqiptarët dhe qeveritë e tyre. Fjala është për faktorizimin e vrullshëm të Serbisë në arenën ndërkombëtare. Serbia, tashti pas tërë atyre investimeve të jashtme, është kthyer në faktor që nuk mund të injorohet sikur para dy dekadave. Por, kthimi i Serbisë në skenë është bërë me një pamje të jashtme që ia kamuflon brendinë. Një grithje e lehtë e kësaj sipërfaqeje do të zbulonte se në esencë politika e Aleksandar Vuçiqit nuk dallon nga ajo e Sllobodan Millosheviqit. Është një politikë e cila ende nuk e pranon atë që ka ndodhur në Kosovë dhe nuk ndjehet aspak fajtore. Një qëndrim i këtillë refuzues politik serb paraqet edhe më tej rrezik për rajonin, sidomos tashti kur Vuçiq ka dalë si fitues i fuqishëm nga zgjedhjet e sapo mbajtura në Serbi. Serbia është forcuar në rajon dhe pos mbështetjes së përhershme që ka nga Rusia dhe Kina, tashti  edhe SHBA-të më nuk e trajtojnë këtë shtet si dikur. Nuk duhet lënë pa e përmendur edhe faktin se në Serbi ka filluar një tendencë e rritjes së opinionit pozitiv ndaj SHBA-ve dhe vendeve tjera evropiane, të cilat deri tashti janë konsideruar si shtete armike. Historia na tregon për shumë raste kur opinioni publik i ndonjë vendi ndryshon shpejt dhe shoqërohet me lëvizjet që bëjnë qeveritë.

I tërë ky ndryshim është duke ndodhur në kohën kur skena politike shqiptare në Kosovë dobësohet prore. Kjo gjë ndikon që ballafaqimi me situata të negociatave me Serbinë për Kosovën, të jetë i vështirë. Prandaj, sipas të gjitha parashikimeve dhe analizave, negociatat duhet të fillojnë vetëm pas zgjedhjeve të reja që do të mbahen në SHBA dhe në Kosovë. Do të ishte edhe më mirë nëse të dy palët në pushtet do të pësonin humbje në këto zgjedhje. Fitorja e Joe Bidenit dhe e demokratëve amerikanë do të sillte një klimë të favorshme për negociata dhe për marrëveshje solide nga e cila do të pasonte një siguri e nevojshme në rajonin e Ballkanit. Kjo do të ishte një klimë më e njohur dhe më e pranueshme për Kosovën.