` . Bipolariteti i kulturës dhe politikës shqiptare - TV SHENJA

Bipolariteti i kulturës dhe politikës shqiptare

Problemi bëhet edhe më i komplikuar për shkak se në këtë konfuzion mungojnë idetë apo këshillat që zakonisht dalin nga intelektualët apo institutet përkatëse shkencore. Megjithatë, Kosovës ende i mbetën dy rrugë për t’i ndjekur në të ardhmen: vazhdimi i pavarësisë dhe bashkimi kombëtar.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Historia tregon se qendrat kulturore dhe politike të popujve ndryshojnë dhe barten nga një qytet apo nga një rajon në tjetrin. Kjo bëhet për arsye se me kalimin e kohës një qytet apo rajon merr primat ekonomik, kulturor dhe politik ndaj tjetrit. Kështu ka ndodhur me të gjitha shtetet evropiane, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në fillim të shek. XIX kur në tokat shqiptare etnia po përjetonte lajmërimin e xixave nacionaliste vendi ka qenë i ndarë në dy pashallëqe. Në veri ekzistonte Pashallëku i Shkodrës që sundohej nga bushatlinjtë kurse në jug Pashallëku i Janinës që sundohej nga Ali Pashë Tepelena. Ndarja ekzistonte, por nuk kishte kufij administrativë që do ta promovonin dhe forconin dallimin. Pasi që këto dy pashallëqe sundoheshin nga shqiptarët dhe pasi që popullata ishte shqiptare, lindi ideja e autonomisë e cila më vonë do të shndërrohej në pavarësi.

Megjithatë, në fillim të shek XIX, Pashallëku i Janinës kishte primat ndaj atij të Shkodrës. Kjo ishte për shkak se Ali Pasha ishte faktorizuar më shumë në arenën ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve evropiane u vendosën në Janinë. Ali Pasha u faktorizua edhe për shumë arsye tjera. Ai ia ktheu shpinën perandorisë dhe krijoi shtet pothuaj të pavarur. Në duminionin e tij krijoi siguri dhe prosperitet ekonomik. Mbi të gjitha, duhet bërë me dije se gjatë sundimit të tij Janina u bë qendër kulturore për shkak të shkollave që morën reputacion në rajon. Në këto shkolla, të prira nga Gjimnazi Zosimea, Ali Pasha i shfrytëzonte për shkollim të kuadrit që i nevojitej për administratën e tij. Por, këto shkolla u bënë atraktive për shqiptarët dhe grekët dhe nxorën ideologët e parë nacionalistë nga radhët shqiptare dhe greke që nga Porta iniciuan procesin e pavarësisë së Shqipërisë dhe Greqisë. Pra, Janina qe bërë qendër e Ballkanit nga e cila do të përfitonin shqiptarët dhe grekët.

Pas vdekjes së Ali Pashës dhe pas rënies së pashallëkut të jugut, qendra politike gradualisht kaloi në veri, në Shkodër, një qytet që po zhvillohej ekonomikisht dhe politikisht edhe pse më nuk sundonin bushatlinjtë, të cilët, po ashtu, u eliminuan nga Porta sikurse Ali Pashë Tepelena. Por, Shkodra u bë qendër e shqiptarëve duke i kaluar kufijtë e rajonit të veriut.

Megjithatë, ndryshimet erdhën sërish, sidomos pas vitit 1878 kur lëvizja shqiptare po bëhej gjithnjë e më nacionaliste. Kjo bëri që ndikimi i ri politik shqiptar të krijohej në vijën Shkup – Prizren. Kjo vijë nuk krijoi fuqi kulturore sikur Janina dhe Shkodra, por për shkak të rrethanave, organizimi ushtarak dhe politik doli në këtë anë apo në Maqedoni dhe Kosovë siç do të shpreheshim me terminologji të sotme. Pra, lufta për pavarësi të Shqipërisë do të bëhej në Maqedoni dhe Kosovë dhe këtu qëndronte arsyeja e faktorizimit të këtij rajoni. Megjithatë, të gjitha këto vende, deri më 1912, jetonin brenda një shteti ku ekzistonin vilajetet, por nuk kishte kufij që do të pengonte çfarëdo qarkullimi.

Gjërat sërish ndryshuan pas vitit 1912 kur u krijua shteti shqiptar. Tirana doli si qendra kryesore e shqiptarëve, por efekti i saj në më shumë se gjysmën e popullsisë që mbeti në Jugosllavi, ishte tejet i kufizuar. Por, shqiptarët që mbetën në Jugosllavi, sërish ishin bashkë, brenda një sistemi çfarëdo që ishte. Lidhjet, sidomos ato familjare vazhduan kurse me Shqipërinë u ndërprenë tërësisht.

Pas Luftës së Dytë gradualisht Kosova po ngjallej. Ndryshimet administrative të brendshme jugosllave, siç ishte krijimi i njësive të reja federative, e faktorizuan Kosovën. Pas hapjes së universitetit Prishtina u bë qendër shpirtërore dhe kulturore për të gjithë shqiptarët që mbetën në Jugosllavi. Arsimimi brenda një sistemi të njëjtë unifikon mendjet dhe krijon mentalitet të përbashkët te njerëzit. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, krahas arsimimit të shqiptarëve në Kosovë, është vërejtur edhe shtimi i ndikimit nga Tirana. Ky ndikim, edhe pse “underground”, e ka luajtur rolin e vet suplementar në drejtim të ruajtjes së vijës nacionaliste.

Me rënien e RSFJ-së, sërish erdhën ndarjet e shqiptarëve. U krijuan kufijtë mes shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në fakt, pavarësimi i Maqedonisë dhe Malit të Zi ka shkaktuar ndarjen e parë në historinë e shqiptarëve që mbeten jashtë Shqipërisë. Asnjë herë më parë Maqedonia nuk ka qenë e ndarë me kufij shtetëror nga Kosova. Ky fakt flet për zhvillim të përbashkët dhe kjo gjë e ka një domethënie. Kjo është arsyeja që sot shqiptari i Maqedonisë, ai i Kosovë dhe Malit të Zi, edhe pse tashti të ndarë në tri shtete, ndjehen më afër njëri tjetrit se sa me shqiptarin e Shqipërisë.

Ndarja një shekullore me Shqipërinë ka krijuar efekt në fushën e dallimeve. Tek e fundit ndarja bëhet për këtë arsye. Deri sot, në të dy anët, kjo ndarje është shikuar me hipokrizi dhe është përcjellë me një fjalorë dëshirues të unifikimit, por pa vepruar aspak praktikisht në këtë drejtim.

Pas rënies së Jugosllavisë, i cili proces i përgjakshëm përfundoi me pavarësimin e Maqedonisë dhe Kosovës, nuk ka pasur më asnjë arsye që të mbahet ky nivel i ndarjes. Askush nuk i pengon shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë që të bashkëpunojnë mes veti. Së paku në nivel kulturor. Madje, bashkëpunimi i Kosovës me Shqipërinë mund të bëhet edhe në nivel politik dhe ekonomik. Nëse nuk do të bëhej bashkimi i plotë, së paku kjo do t’i zbuste dallimet. Por, kjo gjë nuk është duke ndodhur edhe pse mungojnë pengesat. Përkundrazi, Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar disa dhjetëra marrëveshje për bashkëpunim, por nuk është realizuar asnjë. Kjo është mjaft e çuditshme për shkak se efektivisht ka vënë në pah mungesën e dëshirës për bashkëpunim.

Madje, kohëve të fundit ndarja është duke treguar shenja të tendencës së betonimit. Acarimet mes Shqipërisë dhe Kosovës që i solli “Open Balkan”, janë dëshmi. Në shikim të parë, kjo është një luftë mes Prishtinës dhe Tiranës për dominim ndaj njëra tjetrës. Ndoshta mund të quhet edhe luftë ndërmjet Ramës dhe Kurtit, por pasojat i tejkalojnë kufijtë e personaliteteve. Bashkimi i shqiptarëve sipas kësaj tendence më nuk është në pyetje. Shto këtu edhe tendencën e kosovarizmit dhe ndarja merr pamje edhe më të qartë. Shumica shpresojnë se kjo është diçka e përkohshme. Por, në histori, më shumë se shpesh, gjërat e përkohshme janë bërë të përhershme.

Pra, sërish shqiptarët do të gjenden të rreshtuar në dy bërthama, në atë të Tiranës dhe Prishtinës. Por, cila do ta mbrojë më shumë interesin shqiptar? Në këtë garë, shqiptarët e ish Jugosllavisë duket se e mbajnë anën e Prishtinës. Kjo është lidhje e vjetër dhe nuk anashkalohet lehtë.

E tërë kjo punë e dy bërthamave që tenton për mbisundim krijon një konfuzion të cilin nuk e shpjegojnë teoritë moderne të kombit. Komplikimet e të qenurit shqiptar rriten në këto kushte. Stacioni i fundit i tendencës për mbisundim të një ideje politike apo njësie territoriale ndaj tjetrës, është lufta civile. Por, është mirë se kjo gjë nuk ka gjasa të ndodhë.

Problemi bëhet edhe më i komplikuar për shkak se në këtë konfuzion mungojnë idetë apo këshillat që zakonisht dalin nga intelektualët apo institutet përkatëse shkencore. Megjithatë, Kosovës ende i mbetën dy rrugë për t’i ndjekur në të ardhmen: vazhdimi i pavarësisë dhe bashkimi kombëtar. Që të dyja janë ende opsione valide, por nëse ndarja vazhdon të forcohet, opsioni i bashkimit zbehet. Por, nëse nuk ka bashkim, si do të bëhet puna e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi? Kah do t’ia mbajë mërgata e cila tashti mund të jetë e madhe gati sa bërthama e saj nga e cila është larguar? A ka zgjidhje për këtë problem?

Të gjithë i ikim kësaj pyetje për shkak se nuk lodhemi të gjejmë përgjigje. Ndoshta për këto gjëra e marrim vesh përgjigjen pas kryerjes së procesit. Ndoshta fati jonë është bipolariteti apo multipolariteti.