Biden paralajmëron Putinin për armët bërthamore e kimike: Mos i përdor, do të kesh pasoja

Biden paralajmëron Putinin për armët bërthamore e kimike: Mos i përdor, do të kesh pasoja

Presidenti amerikan, Joe Biden, lëshoi një paralajmërim serioz për homologun rus, Vladimir Putin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e këshilloi shefin e Kremlinit të mos përdorë armë bërthamore ose kimike në luftën në Ukrainë, pasi gjithçka do të ndryshonte për keq.

“Thjeshtë mos e bëj. Kjo do ta ndryshonte panoramën e luftës, ndryshe nga gjithçka që është parë që prej Luftës së Dytë Botërore, u shpreh Biden në një intervistë për emisionin “60 Minutes”. Megjithatë presidenti Biden nuk hyri në detaje se cila mund të jetë përgjigja amerikane, nëse Rusia do ta tejkalonte atë kufi. “Ju mendoni se do t’ju tregoja ju nëse do ta dija kundërpërgjigjen e saktë? Sigurisht që nuk do e zbuloja. Por do jetë me shumë pasoja”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan paralajmëron ndër të tjera se nëse Kremlini do të vendoste të përdorte armë kimike apo bërthamore, përbuzja ndaj Rusisë do të bëhej edhe më e madhe në të gjithë botën. Në intervistë, Biden foli edhe për një sërë çështjesh të tjera, përfshirë zgjedhjet afatmesme, ndërsa premtoi se është afër gjetjes së një zgjidhjeje për krizën me punonjësit e hekurudhave për t’i dhënë fund grevës së tyre.

Armët bërthamore ekzistojnë tashmë prej 80 vitesh dhe shumë shtete i shohin ato si mbrojtje për sigurinë e tyre kombëtare. Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia vlerësohet se ka rreth 5977 predha bërthamore. Armët bërthamore taktike, janë armë bërthamore me rreze të shkurtër, ndryshe nga ato “strategjike” që mund të godasin objektivin në një distancë të madhe dhe të shkaktojnë edhe më shumë dëme.

Edhe pse mundësia e përdorimit të tyre është e paktë, humbje e raportuara në ditët e fundit nga Rusia kanë ngritur alarmin se Putin mund të tundohet t’i përdorë. Ukraina pretendon se ka rifituar më shumë se 8000 kilometra katrorë territor në verilindje të vendit. /A2 CNN/