Biden: Në Lindjen e Mesme nuk do të lëmë boshllëk që ta mbushë Rusia dhe Kina

Biden: Në Lindjen e Mesme nuk do të lëmë boshllëk që ta mbushë Rusia dhe Kina

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se në Lindjen e Mesme nuk do të lënë boshllëk që ta mbushin Rusia dhe Kina, transmeton Anadolu Agency (AA).

Biden ka bërë deklarata pas takimit të mbajtur me Mbretin saudit Salman bin Abdulaziz Al Saud dhe princin saudit të kurorës, Mohammed bin Salman në pallatin Al-Salam në qytetin Xheda.

Pasi informoi se kanë zhvilluar bisedime të rëndësishme me drejtuesit në Arabinë Saudite, Biden tha se në takimet në Xheda kanë diskutuar për sigurinë e energjisë dhe se Arabia Saudite do të hyjë në partneritet me SHBA-në në çështjen e energjisë së pastër.

Presidenti amerikan bëri të ditur se kanë zhvilluar bisedime të mira për sigurimin e sigurisë energjetike.

“Diskutuam për nevojat e sigurisë dhe ushtarake të Arabisë Saudite dhe kërcënimet me të cilat mund të përballet vendi, si dhe se diskutuan për çështjen e Jemenit”, tha Biden i cili shtoi se “Me drejtuesit e Arabisë Saudite ramë dakord për të zgjatur armëpushimin në Jemen”.

Duke vënë në dukje se kanë zhvilluar takime të rëndësishme me Mbretin e Arabisë Saudite dhe Princin e Kurorës dhe se arritën shumë suksese pas “diplomacisë së heshtur” që ka zgjatur prej muajsh, Biden tha: “Në këtë aspekt, Arabia Saudite do të hapë hapësirën e saj ajrore për të gjitha fluturimet civile. Ne e vlerësojmë këtë vendim. Kjo është situatë e rëndësishme dhe sukses shumë i madh. Kjo do të thotë se hapësira ajrore e Arabisë Saudite do të hapet ndaj Izraelit”.

Ai potencoi se me zyrtarët sauditë ka diskutuar mbi çështjen e energjisë dhe tha se ata presin që vendet prodhuese të naftës të rrisin kuotat e tyre të prodhimit në javët e ardhshme për të vendosur nën kontroll çmimet e larta të energjisë.

“Ne kemi bërë përparim në forcimin e marrëdhënieve tona me vendet e Gjirit. Nuk do të lëmë asnjë boshllëk në Lindjen e Mesme që Rusia dhe Kina të mbushin”, nënvizoi Biden, duke iu referuar marrëdhënieve të Washingtonit me Lindjen e Mesme.

Biden njoftoi se paqeruajtësit me mision në ishujt Tiran dhe Sanafir në Detin e Kuq do të largohen prej aty.

Presidenti amerikan tha se ranë dakord të lidhnin Irakun me rrjetin elektrik të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) përmes Arabisë Saudite dhe Kuvajtit. Ai vuri në dukje se me Arabinë Saudite kanë arritur marrëveshje për teknologjinë 5G.

Biden tha se në takimin me princin Bin Salman ka sjellë në rend dite vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. “Në takim shpreha mendimin tim dhe në mënyrë të qartë theksova se presidenti i SHBA-së nuk duhet të heshtë për të drejtat e njeriut. Princit Bin Salman i thashë se mendoj që ai është përgjegjës për këtë ngjarje”, ka thënë ai.

Më tej Biden ka bërë të ditur se Bin Salman i ka thënë atij se ai nuk është përgjegjës i kësaj ngjarjeje dhe se ka ndërmarrë hapat e nevojshme ndaj përgjegjësve.