` . Biden-Kadhimi konfirmojnë fundin e misionit luftarak amerikan në Irak deri në fund të vitit - TV SHENJA

Biden-Kadhimi konfirmojnë fundin e misionit luftarak amerikan në Irak deri në fund të vitit

Joe Biden u takua në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin irakian, Mustafa al-Kadhimi.

Në takimin e mbajtur në Zyrën Ovale, Biden deklaroi se ai dhe Al-Kadhimi e njohin njëri-tjetrin prej një kohe të gjatë.

“Administrata ime është e vendosur të forcojë partneritetin midis dy vendeve”, shtoi ai.

I pyetur se sa trupa amerikane do të qëndrojnë në Irak deri në fund të vitit, Biden u përgjigj me këto fjalë: “Unë besoj se gjërat po shkojnë mirë në Irak. Në këtë rast, roli ynë në Irak do të jetë të jemi në gatishmëri kur të paraqitet nevoja, të vazhdojmë trajnimin, të sigurojmë asistencë dhe të merremi me DAESH-in kur ai të rishfaqet, por deri në fund të vitit ne s’do të qëndrojmë në misione luftarake.”

Duke vënë në pah se ata folën shumë për këtë çështje në kabinetin e tij dhe me ministrat e jashtëm, Biden tha se ata aktualisht po punojnë shumë me qeverinë e Irakut për të siguruar që zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen në tetor, të jenë të drejta.

Nga ana e tij, Kryeministri i Irakut, Al-Kadhimi, e falënderoi Biden në emër të popullit irakian dhe tha: “Z. president, unë pres me padurim që të punoj me ju.”

Ai nënvizoi se populli irakian është sot më i fortë se kurrë dhe bëri me dije se ai do të qëndrojë 3 ditë në SHBA, ku do të ketë kontakte me anëtarët e Kongresit gjithashtu.

Para se të nisej nga Bagdadi për në Uashington, Mustafa al-Kadhimi deklaroi se tashmë Iraku nuk kishte nevojë për praninë e ushtarëve amerikanë për të luftuar organizatën terroriste DAESH.

SHBA-ja ka njoftuar më herë se në fund të vitit 2020 e kishte reduktuar numrin e trupave në Irak nga mbi 5.000 në 2.500.

Trupat amerikane në Irak vazhdojnë të jenë të dislokuara në Bazën Ushtarake “Ayn al-Assad”, në perëndim të Irakut, si dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Erbilit, në veri të Irakut. /trt/