Biden dekriminalizon posedimin e marihuanës

Biden dekriminalizon posedimin e marihuanës

“Askush nuk duhet të qëndrojë më në burg, vetëm sepse ka konsumuar ose poseduar marihuanë”, deklaroi Joe Biden. Një dënim për shkak të posedimit të marihuanës shumë njerëzve u vështirëson aksesin për një vend pune, banesë apo mundësitë për arsimim, shtoi presidenti i SHBA-së në fjalën e tij. Përpos kësaj afro-amerikanët dhe të tjera pakica janë më të prekur mbiproporcionalisht nga dënime të tilla krahasuar me të bardhët.

Biden udhëzoi Ministrinë e Drejtësisë dhe të Shëndetësisë për të verifikuar klasifikimin e marihuanës. Aktualisht në SHBA ajo klasifikohet si droga e rëndë heroina.

Nga lëshimi i këtij dekreti të presidentit mund të përfitojnë mijëra njerëz. Nëpunës të nivelit të lartë të Shtëpisë së Bardhë bëjnë fjalë për rreth 6500 dënime në harkun kohor të viteve 1992 deri më 2021. Njëkohësisht përfaqësues të qeverisë pranojnë, se shumica e dënimeve ka ndodhur në nivelin e shteteve federale të SHBA-së për posedim marihuane.
Apel shteteve federale

Biden u bëri thirrje guvernatorëve, që të ndjekin shembullin e tij. Shumica e shteteve federale ndërkohë e lejojnë në njëfarë mënyre kultivimin dhe konsumimin e marihuanës për qëllime mjekësore, por shumë shtete e lejojnë atë edhe për konsum në kohën e lirë.

Deklarimi i presidentit pak para mbylljes së bursës në Nju Jork e nxiti rritjen e vrullshme të kursit të aksioneve dhe indeksin e fondeve të industrisë së cannabisit. Me këtë hap Biden përmbush një premtim elektoral të tij, që gëzon kryesisht krahun e majtë të demokratëve. Në fillim të nëntorit në SHBA zhvillohen zgjedhjet për kongresin.