Bërnabiq: Jemi afër që të kërkojmë kthimin e ushtrisë në Kosovë

Bërnabiq: Jemi afër që të kërkojmë kthimin e ushtrisë në Kosovë

Serbia po kërcënon me kthim të forcave ushtarake në territor të Kosovës. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë të premten se Beogradi është afër vendimit për të kërkuar kthimin e trupave të saj në Republikën e Kosovës.

Kjo, sipas saj, bëhet në përputhje me Rezolutën 1244.

“Jemi afër që të kërkojmë kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244, sepse KFOR-it nuk i pëlqen detyra e vet”, ka thënë ajo.
Bërnabiqi ka shtuar se detaje lidhur me këtë do t’i japë Aleksandër Vuçiqi gjatë të premtes. Ajo ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë ndihmë nga një partner në BE.

“Në BE, ata nuk reagojnë për atë që po ndodh. KFOR-i dhe EULEX-i nuk po e bëjnë punën e tyre, jo vetëm në përputhje me Brukselin por edhe me marrëveshjen e Kumanovës. Nuk mbrojnë serbët e Kosovës, as në jug e as në veri të Lumit Ibër”, ka thënë ajo.

Të enjten, kërcënimi i njëjtë erdhi nga drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, i cili e njoftoi edhe numrin e saktë të trupave që mund t’i dërgojë Beogradi.