Berisha nga protesta: Bota na sheh si njerëzit e gomoneve, fajtor është Rama

Berisha nga protesta: Bota na sheh si njerëzit e gomoneve, fajtor është Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Rama për largmin e shqiptarëve nga vendi.

Berisha deklaroi nga podiumi i protestës së 12 nëntorit se janë në fillim të një beteje të madhe që do të çojë në rrëzimin e kryeministrit Rama.

Në fjalën e tij para protestuesve në Tiranë, Berisha u shpreh se pas 32 vjetësh, bota i sheh shqiptarët si njerëzit e gomoneve.

Sipas Berishës, kjo ndodh për shkak se Rama nuk i lë shqiptarët të votojnë të lirë.

“Ne mblidhemi sot këtu në një kohë kur, njëlloj si 32 vjet më parë, bota na sheh si njerëzit e gomoneve. Ndaj dhe le të ndalemi për një moment, pse ne sot, pas 32 vjetësh, përsëri u bëmë njerëzit e gomoneve. Mos vallë e ka fajin Shqipëria? Jo, kurrën e kurrës”.

“Nuk ka vend më të pasur se ky vend, por shqiptarët sot janë popull i gomoneve, sepse dikush dhe ky dikush është Edi Rama, iu ka grabitur votën, iu ka plaçkitur votën, ka shndërrua liritë e tyre në iluzion, në votë fiktive, vetëm e vetëm që të qëndrojë në pushtet”, theksoi kryedemokrati.

Ai ju drejtua qytetarëve duke u thënë se ka qenë e qartë se si nga mikrofoni në mikrofon Rama ka përdorur një gjuhë e cila skuq çdo fëmijë, çdo grua e çdo prind në gjithë Shqipërinë.

“Edi Rama, për atë gjuhë të jesh i sigurt se mund të të përgjigjemi ty në të gjitha mënyrat që ti e meriton. Po të komunikoj sonte këtu vendimi është marrë, atje për së shpejti do të vijë gjykatësi sovran, do vijë këta burra dhe gra, priti aty se i kanë dy fjalë me ty. Më mirë priti këta se ne mund të përgjigjemi si të duash ti, por edhe populli i ka 2-3 fjalë me ty” – deklaroi Berisha.

Protesta ka nisur pak më pas orës 16:00, nga u lajmërua fillimisht. Ka një numër të lartë qytetarësh me pankarta në duar që kërkojnë rrëzimin e qeverisë Rama.

Sali Berisha nuk pranoi të prononcohej për mediat, ndërsa Ilir Meta bëri një thirrje edhe për qeverinë që të mos provokojë protestuesit, përveçse për qytetarët që i ftoi t’i bashkohen tubimit.

Forcat Speciale dhe policia janë në terren të mobilizuar për çfarëdolloj incidenti. Kryeministria u blindua para se të niste gjithçka, ndërsa shtyllat ndriçuese u grasuan.

Në tarracat e institucioneve përgjatë bulevardit ka efektivë gjithashtu./Euronews.al/