Berisha në Ulqin

Berisha në Ulqin

Historia i njeh me emër disa nga kryepiratët ulqinakë, tmerr i deteve prej veriut të Adriatikut e gjer në Tarabullus (Tripolin e sotëm). Gojëdhënat thonë se aty u shit si skllav edhe novelisti i parë modern i Europës, Migel Servantesi. Perandoria Osmane ishte përpjekur ta ndalte piraterinë ulqinake, pas kërkesave këmbëngulëse kryesisht nga Venediku e më pas nga Perandoria Austro-Hungareze, por nuk ia kishte dalë mbanë.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Një nga ndodhitë e muajit korrik në arealin shqiptar ishte edhe shpallja e Sali Berishës person të padëshiruar prej Mbretërisë së Bashkuar. Kuptohet, kjo ndodhi nuk ishte e përmasave aq të rëndësishme sa çelja e procesit të negociatave për integrim në BE të Shqipërisë e Maqedonisë. As nuk ishte e krahasueshme për nga rëndësia me nisjen zyrtare të punëve për hekurudhën Durrës-Prishtinë, përmes alokimit të fondeve nga Shqipëria e Kosova për projektin e fizibilitetit. Madje, as e rendit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mbuluar shpenzimet e librave shkollorë për nxënësit e Luginës së Preshevës nuk ishte. Por, nuk është një ndodhi e parëndësishme, megjithatë, sepse bëhet fjalë për një nga protagonistët më të rëndësishëm politikë në Shqipëri e në Ballkan në tre dekadat e fundit. Sali Berisha u shpall në fillim të verës 2021 i padëshiruar prej SHBA. Një vit më pas, në 7 korrik 2022, ai mblodhi një numër shumë të konsiderueshëm mbështetësish në një demonstratë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. E ende pa u mbyllur ai muaj, erdh shpallja prej Mbretërisë së Bashkuar, të cilën Berisha ia komunikoi vetë publikut, duke këmbëngulur edhe kësaj radhe se akuzat nuk qëndrojnë.

Reagimet nuk munguan – e si mund të mungojnë reagimet për një ndodhi të kësaj rëndësie, kur kaleidoskopi medial e i rrjeteve sociale fton të komentohet gjithçka, mundësisht aty për aty, pa u thelluar e pa studiuar, madje pa e peshuar fort fjalën. Reagimet që vijnë nga mbështetësit e qeverisë në Shqipëri kryesisht i gëzohen kësaj situate, pasi e shohin si një mundësi për të zgjatur qeverinë e tyre edhe me një mandat të katërt ose për të mbajtur sa më shumë kontroll në pushtetin lokal (zgjedhjet vendore do të jenë në vitin 2023). Ndërsa reagimet e tjera kalojnë mes një ngushtice karibdiane, nga njëra anë shqetësimi për fatin e opozitës në Shqipëri, e cila duket se po gjen një vigor të ri vetëm te Berisha (ndoshta dhe te Ilir Meta post-presidencial), nga ana tjetër shqetësimi për reputacionin e Shqipërisë dhe marrëdhënieve të saj me aleatë të rëndësishëm, siç janë SHBA e Mbretëria e Bashkuar.

Një ndër këto reagime erdhi nga doktori i shkencave historike, Çelo Hoxha, drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve e Pasojave të Komunizmit (i cili zëvendësoi në këtë post Agron Tufën, që u largua nga Shqipëria në vitin 2019 duke marrë azil politik në Zvicër me pretendimin e përndjekjes politike nga Qeveria Rama). Dr. Çelo Hoxha, pra, nuk është një zë i parëndësishëm në gjirin e opozitës shqiptare, sidomos kur dihet se shumëkush në opozitë e konsideron forcën qeverisëse si trashëgimtare të PPSH-së, që i kreu ato krime të cilat i studion instituti në fjalë. Në llogarinë e tij në facebook dr. Hoxha shkroi:“Në kohën e Kongresit të Berlinit, shqiptarët ishin të fortë mjaftueshëm për ta mbrojtur Ulqinin. Malazezët e provuan por nuk e morën dot. Fuqitë e Mëdha, që ia kishin dhënë Ulqinin malazezëve, dërguan flotën e tyre ushtarake kundër shqiptarëve dhe detyroi (sic) osmanët t’i godisnin nga toka. Kështu e dorëzuan ata trima Ulqinin. Morali: nuk niset një luftë që nuk e fiton dot.”

Natyrisht, komenti i dr. Hoxhës tërhoqi shumë vëmendje dhe reagime që reflektojnë në vetvete çarjen e madhe në gjirin e opozitës së djathtë në Shqipëri, një çarje që tash për tash nuk po shkon drejt shërimit. Pati edhe që i vunë në dukje dr. Hoxhës se po të niseshin nga një maksimë e tillë, sipas së cilës duhet synuar vetëm ajo që për momentin na shfaqet si e mundshme, disidentët e kohës së komunizmit nuk do t’i kishin hyrë kurrë asaj pune, do të ishin servilosur si të tjerët, e mbase nuk do të kishin përfunduar të ekzekutuar apo të torturuar. Një qasje e tillë zë vend sidomos te ultrakonservatorët, që janë të bindur se liberalët, me agjendat e tyre gender dhe LGBT ose me programe si ato të vaksinimit të detyrueshëm, nuk janë fort ndryshe prej komunistëve në synimin për të skalitur “njeriun e ri” me vlera të ndryshme nga ato të kahershmet e tradicionalet.

Përmendja e betejës për Ulqinin nga dr. Hoxha më solli ndër mend një tekst të historianit britanik Noel Malcolm. Qysh në kapitullin e parë të veprës së tij “Agents of Empire” (2015) ai përmend Ulqinin, si një qytet që nuk ka luajtur ndonjë rol shumë të madh në histori, e që: “për historianët modernë është i njohur kryesisht për krizën që prodhoi pas Kongresit të Berlinit në 1878, kur vendimi për t’ ia transferuar shtetit malazez u kundërshtua prej Perandorisë Osmane që e kishte patur Ulqinin qysh prej vitit 1571, por edhe prej banorëve të qytetit të cilët ishin kryesisht shqiptarë myslimanë. Para asaj ngjarjeje, në shekujt XVII dhe XVIII, Ulqini kryesisht ngjallte frikë si një çerdhe e famshme piratësh të lidhur me korsarët e Barbarisë së Afrikës veriore.”

Një mënyrë për ta lexuar tekstin e Malcolm-it është edhe kjo: Ulqini nuk iu la osmanëve (ose shqiptarëve) sepse nën sundimin e këtyre të fundit kishte qenë i njohur kryesisht për pirateri, pra si burim pasigurie e problemesh, si çerdhe kusarie e si një nga qendrat e mbrame të tregtisë së skllevërve në kontinentin europian. Historia i njeh me emër disa nga kryepiratët ulqinakë, tmerr i deteve prej veriut të Adriatikut e gjer në Tarabullus (Tripolin e sotmë). Gojëdhënat thonë se aty u shit si skllav edhe novelisti i parë modern i Europës, Migel Servantesi. Perandoria Osmane ishte përpjekur ta ndalte piraterinë ulqinake, pas kërkesave këmbëngulëse kryesisht nga Venediku e më pas nga Perandoria Austro-Hungareze, por nuk ia kishte dalë mbanë. Kështu që, në shek. XIX kur Osmania ishte në dekadencë e Fuqitë Europiane ishin bërë Fuqi Botërore, kalimi i Ulqinit në dorën e një mbretërie të krishterë si Mali i Zi, mund të jetë parë si një mënyrë për të vendosur rend në atë vend kryesisht të njohur për probleme.

Kjo është vetëm një perspektivë, e sigurisht jemi të vetëdijshëm edhe për perspektiva të tjera. Për shembull, Piro Rexhepi, doktor shkencash politike nga Universiteti i Strathclyde në Mbretërinë e Bashkuar, hulumtues pranë Institutit Max Planck për Studimin e Diversitetit Etnik dhe Religjioz në Gottingen të Gjermanisë e shtron ndryshe çështjen. Në tekstin e tij me titull “Unmapping Islam in Eastern Europe” (2017) ai fillon me një paragraf të thukët që lë pak vend për dykuptimësi:“Ideja e largimit të Islamit prej Europës është thuajse po aq e moçme dhe këmbëngulëse sa edhe ideja e vetë Europës. Kur ligjëronte në Universitetin e Berlinit në vitet 1820 Hegel-i shprehej i bindur se Islamin po e zmbrapsnin drejt vendeve lindore dhe afrikane ku e kishte vendin, bindje që përputhej me idenë e asaj kohe për një “Europë” të unifikuar. Një dekadë pas Kongresit të Vjenës, përgjatë Luftës Greke për Pavarësi, e cila lëvdohej anembanë kontinentit si një përpjekje e mbrame për ta çliruar kontinentin prej Islamit, sugjerimi i Hegel-it se Islami tashmë kishte perënduar prej historisë jo vetëm që e lokalizon historinë si një punë tërësisht europiane, por edhe përvijon një predikament këmbëngulës në artikulimin e mëtejshëm të koordinatave hapësinore e kohore të Europës, sipas të cilit Islami gjendet jashtë imagjinatës hartografike të kontinentit.”

Në këtë perspektivë të dytë edhe trajtimi i territoreve të banuara nga shqiptarët në Ballkan perceptohet si pjesë e një historie kolonizuese, deterritorializuese e riterritorializuese. Histori e modernitetit europian e veshur me një kostum kryqtari mesjetar, teksa përpiqet të çojë deri në fund Reconquista-n. Sipas studiuesit dr. Rexhepi, kjo qasje nuk është karakteristike vetëm për ekstremin e djathtë europian, por edhe për mainstream-in kulturor e institucional, pavarësisht se diku shprehet më ashpër e diku më butësisht. Nuk mund të hidhet aq lehtë poshtë kjo perspektivë e ofruar nga dr. Rexhepi, sidomos duke parë pezullimin e shpresave për integrim europian të Turqisë, mbajtjen kaq gjatë të Kosovës pa liberalizim vizash, pavarësisht se ky vend ka përmbushur dy herë më shumë kushte se sa vendet e tjera, por edhe vonesat e pezullimet e pajustifikueshme për integrimin e Bosnjës, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Sigurisht, ka dhe dhjetëra perspektiva të tjera që do të meritonin të konsideroheshin, por për këtë artikull, që synim ka të trajtojë çështjen Berisha dhe punët e opozitës në Shqipëri, e jo historinë e Ballkanit, përzgjodha këto dy qasje i grishur nga komenti i dr. Çelo Hoxhës. Pse?

 

Dr. Sali Berisha (shumë doktorë në këtë shkrim) po i refuzon akuzat që i janë bërë prej SHBA-së e prej MB-së, në arsyetimet e vendimeve të atyre qeverive për ta shpallur person të padëshirueshëm. Me këtë rast, ai po ngjall edhe një frymë sovranizmi në politikën e Shqipërisë. Ndoshta është hera e parë që në Shqipëri ngjallet një sovranizëm djathtist, por këto janë valët e pashmangshme që do të ndihen në periferitë e botës pas tërmetit që ndodhi në qendër, e që kulmoi me sulmin e trumpistëve ndaj kongresit në SHBA në janar 2021.

Do të kishte qenë shumë më e lehtë për Berishën që t’i kundërshtonte këto akuza po të mos ekzistonte si fakt pasurimi i stërmadh i birit e i bijës së tij. Ashtu siç, mbase do të kishte qenë më e lehtë për Ulqinin të mbetej pjesë e trojeve shqiptare, po të mos kishte qenë vetë i famshëm për shekuj me radhë kryesisht për piraterinë.

Kur e them këtë, jam i vetëdijshëm edhe për vërtetësinë e qasjes tjetër, që thotë se fajësimet e dënimet nuk mund të ndodhin pa gjyq, apo se shpesh synimet kolonizuese fshihen pas shprehjeve civilizuese, duke i portretizuar vendasit si barbarë, piratë, kaçakë, analfabetë e cuba. Këto portretizime, edhe po të kenë një farë objektiviteti sasior të atypëratyshëm, janë gjithsesi të gabuara e raciste. Pra, nuk justifikohet assesi marrja e dhunshme e Ulqinit, kundër dëshirës së popullit të vet, nga një perspektivë antikoloniale, sepse dihet që edhe tregtinë më të madhe të skllevërve, edhe plaçkitjen më të madhe të kolonive, por edhe kusaritë e pirateritë e tjera, europianët i kishin mjeshtëruar shumë fort edhe vetë në po ato shekuj.

Në këtë perspektivë, pa synuar aspak që ta mbroj Berishën, për të cilin s’kam ndonjë simpati, dua të shtroj pyetjen: në këtë Ballkan ku ende ka politikanë të pushtetshëm që mbajnë përgjegjësi direkte për gjenocid dhe vrasje masive, si për shembull Aleksandër Vuçiq, president i sotëm i Serbisë dhe ish-ministër propagande i Millosheviqit, a ishte Berisha i pari që duhej dënuar? Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i një vendi i cili mund të ketë probleme me korrupsionin, por megjithatë kurrë nuk ka sulmuar, as nuk ka synuar pushtimin e ndonjë vendi tjetër, e as nuk ka ndërmarrë ndonjëherë spastrimin e ndonjë komuniteti. A nuk do të kishte shumë më tepër kredibilitet qasja e amerikanëve dhe e britanikëve po të kishin nisur prej Vuçiqit?

Këto pyetje do të mbeten pa përgjigje, teksa disa do të mbajnë mendimin se Vuçiqin e mbron pozicionimi bivektorial i Serbisë “as andej as këndej”. Një studiues i njohur serb, edhe ai doktor i shkencave politike e ligjërues në universitete britanike, në një tryezë ndërkombëtare tha se Vuçiqi u lejua të bëhej president i Serbisë nga A. Merkel, me bindjen se vetëm një radikal me origjinë shesheliste e millosheviqiane, duke tradhtuar origjinën e tij, mund ta sillte Serbinë në Europë. Mirëpo, ndonjëherë duket se Vuçiqi, i cili kurrë nuk e tradhtoi deri në fund origjinën politike, sikur po arrin ta tërheqë Europën në pozita më proruse ose antishqiptare e kështu me radhë.

Sa i përket opozitës në Shqipëri, ajo është në një moment goxha problematik, sepse nuk ka një udhëheqës tjetër në perspektivë, teksa Sali Berisha përballet me problemet që i përmendëm. Në këtë sens, Sali Berisha ka qenë një udhëheqës jo i mirë. Udhëheqësit e mirë synojnë të ndërtojnë organizata të forta që mund të kenë vijimësi, ndërsa Sali Berisha nuk e ka bërë këtë gjë. Synimi i tij, kur u largua nga drejtimi i Partisë Demokratike në vitin 2013, ishte që të vendoste një trashëgimtar të cilin do ta mbante nën kontroll pa shumë mundim, siç bëri me Bashën. Por, kjo gjë mund të bëhet vetëm në organizatat e dobëta. Sali Berisha, qysh prej fillimeve të veta, ka qenë më shumë kryetar i një lëvizjeje sesa i një partie. Ai ka qenë dhe mbetet personi që bashkon shumë njerëz, të cilët kurrë nuk do të ishin bashkë përndryshe. Ky dimension është karakteristik për udhëheqësit e lëvizjeve, që nga ajo e Macron-it në Francë, e deri te projektet e Berlusconi-t ose Beppe Grillo-s në Itali. Lëvizje të tilla janë si flaka e kashtës në raport me historinë – ato mund të rriten shumë, mund ta marrin edhe pushtetin, mirëpo dihet se ndryshimet historike marrin më shumë kohë sesa jeta politike e një lideri. Prandaj, duhen forcat e organizuara në formën e partive klasike, që mund të shtyjnë përpara procese, projekte e vizione në afat më të gjatë. Të vetëdijshëm për këtë kufizim strategjik, udhëheqësit, të cilëve u mungon organizata e strukturuar, ose punojnë për të forcuar e ndërtuar të tillën (gjë që Berisha nuk e ka bërë) ose i kap ankthi për atë që do të ndodhë kur ata të mos jenë më. Kjo, siç duket, është situata që shënjon aktualitetin në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Fatkeqësisht, ndodh në kohën kur në Ballkan, e më gjerësisht në Europën Lindore, pluralizmi po rrëgjohet e pushteti po bie në duar autokratësh.