Belgjikë, fatura vjetore e energjisë e një familjeje shkon mbi 9 mijë euro

Belgjikë, fatura vjetore e energjisë e një familjeje shkon mbi 9 mijë euro

Fatura vjetore mesatare e energjisë e një familjeje që do të bëjë kontratë të re për energjinë elektrike dhe gazin natyror në Belgjikë është rritur në 9.210 euro, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia rregullatore e energjisë e Rajonit Flaman në Belgjikë, Vreg, publikoi të dhënat që përmbajnë shifrat aktuale mesatare që do të paguhen për konsumin vjetor të energjisë elektrike dhe gazit natyror.

Sipas të dhënave, fatura vjetore e energjisë e një familjeje që do të nënshkruajë kontratë të re në Belgjikë në shtator do të arrijë në 9.210 euro.

Fatura vjetore e energjisë elektrike e një familjeje mesatarisht konsumuese do të jetë 3.256 euro, ndërsa gazi natyror do të jetë 5.954 euro.

Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fatura mesatare vjetore e energjisë elektrike në Belgjikë ishte 1.051 euro. Brenda një viti, faturat e energjisë elektrike në vend u trefishuan.

Në vend, mesatarja e faturave vjetore të gazit natyror në muajin mars ishte 2.554 euro. Ndërkaq, faturat e gazit natyror janë dyfishuar në gjashtë muajt e fundit.

Nga ana tjetër, këto shifra nuk përfshijnë efektet e masave të ndryshme që qeveria ka marrë për të ulur faturat e energjisë.

Në Belgjikë, norma e TVSH-së për gazin natyror dhe energjinë elektrike u ul nga 21 për qind në 6 për qind dhe u vunë në fuqi tarifat sociale për të varfrit.

Konsumi i gazit natyror dhe energjisë elektrike në familje në Belgjikë nuk matet dhe faturohet çdo muaj. Mesatarja vjetore e konsumit të energjisë përcaktohet duke marrë parasysh faktorë të ndryshëm si madhësia e shtëpisë, sa njerëz jetojnë dhe klasifikimi i energjisë. Kjo shifër pjesëtohet me 12 muaj dhe paguhet e njëjta shumë çdo muaj. Në matjet e bëra në fund të vitit, diferenca mblidhet ose aplikohet një nivel i ri i faturës në përputhshje me konsumin aktual.