Bejli: Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës nuk ka alternativë (Video)

SHBA e përkrah Maqedoninë dhe atë që qytetarët dhe liderët do të vendosin se është më e mirë dhe në interes të shtetit. Ne e dimë se kompromiset nga Marrëveshja e Prespës nuk janë të lehta, por, kjo me të vërtetë është mundësi historike për Maqedoninë dhe rajonin, që do të sjell të ardhme më të sigurt dhe prosperuese. Kështu ka deklaruar ambasadori i SHBA-së, në Shkup, Xhes Bejli, në intervistë për VOA-n, në gjuhën maqedonase. Ai ka shtuar se SHBA e mbështet fuqishëm implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës. Sipas tij, me këtë marrëveshje, Maqedonia do ta zë vendin  e merituar në NATO dhe BE.

Bejli ka thënë se nuk sheh alternativë tjerër në rast se nuk ratifikohet Marrëveshja e Prespës në Kuvendin e Maqedonisë dhe Greqisë.

Xhes Bejli, ambasador i SHBA-së në Maqedoni

Udhëheqësit në Greqi dhe Maqedoni kanë thënë se kjo marrëveshje është thellësisht në interesin e tyre kombëtar; ajo do të çojë në siguri dhe begati për të dy vendet dhe për rajonin. Arritja e kësaj zgjidhjeje zgjati 25 vjet dhe unë nuk shoh ndonjë alternativë praktike në horizont. Kam besim se do të vazhdojmë të shohim udhëheqës të guximshëm që punojnë për të siguruar se Maqedonia dhe Greqia nuk do ta humbasin rastin që më në fund ta zgjidhin këtë çështje.

Për amnistinë dhe për atë që shumë persona ishin të përfshirë në sulmin në Kuvend më 27 prill, Bejlli vlerëson se kjo ishte një vendim i rëndësishëm politik, vlera e të cilës do të vërtetohet në rast se ndërtohet konsensus nacional i nevojshëm për të realizuar dëshirën e shumicës së qytetarëve për anëtarësim në NATO dhe BE. Megjithatë, ka shtuar Bejli, organizatorët e 27 prillit duhet të përgjigjen para drejtësisë.

Xhes Bejli, ambasador i SHBA-së në Maqedoni

Vendimi i Parlamentit për të miratuar një ligj për amnistinë është një vendim i rëndësishëm politik, i miratuar nëpërmjet një procesi transparent dhe demokratik që u mbështet nga një shumicë e madhe parlamentarësh. Ne besojmë se është e rëndësishme që ata që organizuan sulmet e 27 prillit të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Gjatë gjithë këtij procesi, gjyqësori duhet të mbetet i pavarur nga ndikimi politik dhe i lirë të vendosë për këto raste në bazë të fakteve dhe ligjit.

Pas këtij procesi, Bejli ka thënë se Maqedonia do të jetë vend më i sigurt për të investuar dhe kjo do të ndikoj në rritjen e standardit jetësor të qytetarëve. Ai ka thënë se Maqedonia duhet të punojë gjithashtu për të ndërtuar institucionet e forta që nevojiten për të arritur begatinë afatgjatë. Sipas tij qytetarët, duhet të kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë nga institucionet. Enis Murtezi /SHENJA/