` . BE: Përmbushëm premtimin, kemi vaksinuar 70 për qind të të rriturve - TV SHENJA

BE: Përmbushëm premtimin, kemi vaksinuar 70 për qind të të rriturve

Shtatëdhjetë për qind e popullsisë së rritur në Bashkimin Evropian (BE) ka marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), deklaroi të martën Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raporton AA.

“Bashkimi Evropian e mbajti fjalën dhe e përmbushi premtimin. Qëllimi ynë ishte të mbrojmë 70 për qind të të rriturve në BE me të paktën një dozë vaksine në korrik. Sot, ne e kemi arritur këtë qëllim”, tha Von der Leyen.

Ajo shtoi se 57 për qind të të rriturve në BE kishin marrë të dyja dozat e vaksinës.

“Këto shifra e rendisin Evropën midis udhëheqësve botërorë. Procesi i imunizimit ka qenë shumë i suksesshëm, por ne duhet të vazhdojmë përpjekjet tona”, shtoi ajo, duke paralajmëruar se “varianti Delta është shumë i rrezikshëm”.

“U bëj thirrje të gjithëve që mund të vaksinohen. Për shëndetin tuaj, por edhe për mbrojtjen e të tjerëve”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

Shumica e vendeve evropiane kanë parë një rritje të mprehtë të rasteve të reja javët e fundit, duke konsideruar si fajtor variantin Delta, megjithëse shtrimet në spital dhe vdekjet kanë mbetur dukshëm më të ulëta se vala e fundit gjatë dimrit, kryesisht për shkak të imunizimit.