BE-ja thirrje për uljen e tensioneve në Kosovë si nevojë e dialogut Beograd-Prishtinë

BE-ja thirrje për uljen e tensioneve në Kosovë si nevojë e dialogut Beograd-Prishtinë

Pas rritjes së tensioneve me tërheqjen e serbëve nga institucionet shtetërore në Kosovë, Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje për ulje të tensioneve duke rikujtuar obligimet e dialogut Beograd-Prishtinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell ka dhënë një deklaratë lidhur me tensionin e filluar pas mosmarrëveshjeve për përdorimin e targave të automjeteve në Kosovë.

“Zhvillimet e fundit pengojnë sigurinë në rajon dhe përtej saj si dhe rrezikojnë sukseset e arritura dhe punën e palodhur ndër vite në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga BE-ja”, tha Borrell.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale. Ka potencial për rritjen e mëtejshëm të tensioneve në terren. Ne u bëjmë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës, që të përmbushin obligimet e tyre të ‘Dialogut‘ dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të kryer detyrat e tyre, përfshirë policinë, gjyqësorin dhe qeverinë lokale”, thuhet në deklaratën ku të dyja palëve u bëhet thirrje që të distancohen nga veprimet e njëanshme të cilat mund të shkaktojnë tensione të mëtejshëm.

– “Problemi për targat mund të zgjidhet nga palët në kuadër të dialogut”

“Në të njëjtën kohë BE-ja u bën thirrje edhe njëherë autoriteteve të Kosovës që t’u përmbahet pa u vonuar përgjegjësive të tyre. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues kundër mbajtësve të targave KM. Problemi për targat mund të zgjidhet nga palët në kuadër të dialogut”, thuhet më tej në deklaratë.

Gjithashtu në deklaratë, Kosovës i kërkohet që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për themelimin e Asocionit të komunave me shumicë serbe duke vënë në dukje se ky është një obligim i detyrueshëm për Kosovën.

“Veprime të tilla si djegia e automjeteve ose retorika të frikshme që mund të shkaktojnë tensione janë të papranueshme dhe do të nxisë një reagim të përshtatshëm të komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën ku më tej theksohet se:

“Në koordinim të ngushtë me NATO/KFOR dhe Policinë e Kosovës, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) është i gatshëm të sigurojë stabilitetin në terren në Kosovë me rolin e tij si ruajtës i dytë i sigurisë. EULEX dhe KFOR në kuadër të kompetencave përkatëse do të vazhdojë të mbështesë vazhdimin e një situate të besueshme dhe të sigurt”.

Më tej thuhet se BE-ja është e gatshme të vazhdojë lehtësimin e negociatave.

– Tensionet Kosovë-Serbi

Qeveria e Kosovës në fund të korrikut njoftoi se do të hyjnë në fuqi vendimet në përputhje me parimin e reciprocitetit ndaj Serbisë në lidhje me “lëshimin e formularëve të deklarimit të përkohshëm për ata që hyjnë/dalin nga Kosova me letërnjoftime serbe” dhe “konvertimin në ‘RKS‘ (Republika e Kosovës) të targave që janë lëshuar nga autoritetet e Serbisë për serbët në Kosovë”.

Serbët në Kosovë reaguan ndaj kësaj duke mbyllur kalimet kufitare në veri të vendit dhe shkaktuan rritjen e tensioneve në vend.

Qeveria e Kosovës më pas me kusht heqjen e të gjitha barrikadave të vendosura në rrugët drejt pikave kufitare me Serbinë, mori vendim që ta shtyjë më 1 shtator zbatimin e vendimit që shkaktoi krizë.

Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor automjetet me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, Qeveria parasheh që nga 21 nëntori, deri më 21 janar 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.