BE-ja nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të organizuara nga Rusia në Krime

BE-ja nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të organizuara nga Rusia në Krime

Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se nuk i njeh rezultatet zgjedhjeve të mbajtura në Krime dhe Sevastopol, të aneksuar ilegalisht nga Rusia, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të bërë nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, thuhet se në periudhën 9-11 shtator, u mbajtën zgjedhjet rajonale dhe lokale në Krime dhe Sevastopol, të aneksuara ilegalisht nga Rusia.

Në deklaratë thuhet: “BE-ja nuk i njeh zgjedhjet në gadishullin e Krimesë dhe rezultatet e tyre. BE-ja nuk njeh aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia, që është një shkelje e ligjit ndërkombëtar. Krimea është Ukrainë”.

Duke theksuar se fituesit në zgjedhjet në gadishullin e Krimesë nuk kanë legjitimitet për të përfaqësuar popullin e Krimesë apo të Sevastopolit, më tej iu bë thirrje edhe një herë Rusisë që të largohet nga tokat e Ukrainës.

Ndryshe, Rusia kishte aneksuar ilegalisht Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit në mars të vitit 2014.