BE-ja në krizën e energjisë

BE-ja në krizën e energjisë

Derisa ndërprerjet e energjisë janë të zakonshme në shumë pjesë të botës, ku infrastruktura nuk është në gjendje t’u bëjë ballë shpërthimeve në kërkesë, për vendet e pasura europiane ato janë përgjithësisht të huaja dhe ekspertët po u bien zileve të alarmit për atë se çka mund të thonë për konsumatorët ndërprerjet e energjisë, duke përfshirë rënien e rrjeteve të lëvizshme.

Shkruajnë:

Annabelle TIMSIT, Londër

Emily RAUHALA, Bruksel

“Një situatë e vështirë në furnizimin me energji, e lidhur me luftën në Ukrainë, mund të shkaktojë ndërprerje të gjera të energjisë në Bashkimin Europian këtë dimër.”, ka paralajmëruar një zyrtar i ngarkuar me menaxhimin e krizave brenda bllokut.

“Bashkimi Europian po i mbështet burimet e veta, ndërsa temperaturat bien dhe po përgatitet për dy “skenarë të përfytyrueshëm”: një në të cilin një numër i vogël shtetesh anëtare përjetojnë ndërprerje energjie, dhe një tjetër, në të cilin ndërprerjet e energjisë ndodhin në shumë shtete anëtare në të njëjtën kohë.”, i tha medias gjermane RND komisionari i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic. “Në skenarin e parë, shtetet e BE-së mund të ndërhyjnë për të dhënë ndihmë për vendet e prekura, duke përfshirë gjeneratorët e emergjencës. Por, në rastin e ndërprerjeve më të gjera të energjisë, Komisioni Europian do të shtrëngohet të marrë nga rezerva e tij strategjike e energjisë, ndërsa vende më vete do t’u vinin cak dërgesave të ndihmave të gjendjeve të jashtëzakonshme.”, shtoi Lenarcic.

“Zyrtarët europianë këmbëngulin se janë të përgatitur më mirë për atë që do të vijë se në fillimin e luftës në Ukrainë, me depozitat e gazit natyror në BE në afër 90 për qind të kapacitetit, 15 për qind më lart se në të njëjtën kohë të vitit të kaluar. Megjithatë, duhet bërë më shumë për të garantuar që blloku të mund t’u përgjigjet shpejt “ndërprerjeve të papritura” në furnizimin energjetik dhe “për t’i mbrojtur më mirë” rrjetet kritike në BE.”, tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një fjalim në Parlamentin Europian.

Komentet e Lenarcic-it mbi gatishmërinë europiane vijnë pak para një takimi jozyrtar të BE-së në Republikën Çeke, ku udhëheqësit e shteteve do të diskutojnë se si ta mbrojnë infrastrukturën kritike pas sulmeve mbi tubacionet e Nord Stream-it, të ndërtuar për të çuar gaz nga Rusia në Europë, si dhe masat e emergjencës për ta kontrolluar ngritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë elektrike.

“Aktet e sabotimit kundër tubacioneve të Nord Stream-it kanë treguar se sa e cenueshme është infrastruktura jonë energjetike.”, tha Ursula von der Leyen. “Është në interes të të gjithë europianëve ta mbrojnë më mirë atë.”, përfundoi ajo.

Shtetet anëtare do të vijojnë po ashtu të diskutojnë nëse dhe si t’i vendoset kufizim çmimit të gazit.

Derisa ndërprerjet e energjisë janë të zakonshme në shumë pjesë të botës, ku infrastruktura nuk është në gjendje t’u bëjë ballë shpërthimeve në kërkesë, për vendet e pasura europiane ato janë përgjithësisht të huaja dhe ekspertët po u bien zileve të alarmit për atë se çka mund të thonë për konsumatorët ndërprerjet e energjisë, duke përfshirë rënien e rrjeteve të lëvizshme.

Qytete anembanë Gjermanisë ndërmorën hapa këtë verë për ta kursyer energjinë, mes tyre fikjen e ndriçimit në monumentet historike dhe mbylljen e shatërvanëve publikë. Në Francë, gjigandi i luksit, LVMH, bëri të ditur se duke nisur nga tetori do t’i fikte dritat në dyqanet e tij më herët gjatë natës dhe Parisi ka filluar ta mbyllë ndriçimin e kullës Eifel pak para mesnatës, e jo në një pas mesnate.

Ekspertët thonë se disa nga këto lëvizje janë në përgjithësi simbolike: sipas Radio France-s, konsumi i energjisë elektrike gjatë natës i kullës Eifel është i barabartë me konsumin vjetor të energjisë elektrike të vetëm 56 francezëve.

Por, disa pasoja të tjera mund t’i godasin më fort konsumatorët: Reuters-i raportoi se disa kompani europiane të telekomunikacioneve druhen se ndërprerjet e energjisë këtë dimër mund të shkaktojnë ndalim të funksionimit të rrjeteve të lëvizshme. Operatori i rrjetit të energjisë në Francë tha në shtator se në gjashtë muajt e ardhshëm do të ketë momente kur mund t’u kërkohet konsumatorëve të përdorin më pak energji, në përgjithësi nga një në pesë për qind, por deri në 15 për qind në mot ekstrem, për ta shmangur kështu mbingarkimin e sistemit.

“Lufta ruse sjell vështirësi ekonomike dhe shoqërore.”, tha Ursula von der Leyen. “Ngritja e çmimeve të energjisë… po çon në fuqi blerëse të zvogëluar, po çon në një humbje të konkurrueshmërisë për bizneset tona në tregun ndërkombëtar.”, shtoi ajo.

Lufta në Ukrainë ka sjellë tronditje të madhe në mënyrën si BE-ja e siguron energjinë e saj. Mbi një e treta e energjisë elektrike europiane prodhohet nga djegia e lëndëve djegëse fosile, përfshirë qymyrin, naftën dhe gazin natyror. Rusia ishte deri vonë furnizuesi kryesor i bllokut me naftë bruto dhe gaz. Por, Rusia i ka zvogëluar së tepërmi dërgesat e gazit për vendet europiane në muajt e fundit, kjo si përgjigje ndaj sanksioneve të vëna nga blloku mbi Moskën për pushtimin e Ukrainës, duke e detyruar BE-në të kërkojë furnizues të tjerë, të krijojë rezervat e veta dhe të ndërmarrë hapa për ta zvogëluar konsumin.

“Bashkimi Europian importon tani rreth 7.5 për qind të gazit të tij nga Rusia, shumë poshtë 41-përqindëshit në fillim të luftës.”, theksoi Ursula von der Leyen.

“Rreziku i një mungese kombëtare të gazit natyror këtë dimër u fashit në Gjermani falë grumbullimit dhe krijimit të rezervës së gazit.”, tha në një shënim Eurasia Group, një kompani këshillimi dhe kërkimi për rrezikun politik. Ajo paralajmëroi se “ndërprerjet e shkurtra, rajonale dhe të kontrolluara të energjisë elektrike (të njohura si uljet e përkohshme të tensionit)” ishin “duke u shfaqur si një rrezik në rritje, veçanërisht në pjesët jugore të vendit”.

Ulja e përkohshme e tensionit, vuri në dukje grupi, është më pak e dëmshme për ekonominë se “ndërprerjet e pakontrolluara të energjisë ose një emergjencë gazi, teksa njoftimi përpara u jep mundësi industrisë dhe familjeve të përgatiten për ndërprerje të përkohshme dhe të lokalizuara të energjisë”.

 

(washingtonpost.com)

Përktheu:

Bujar M. Hoxha