BE-ja dënon operacionet e Rusisë përreth centralit bërthamor në Ukrainë

BE-ja dënon operacionet e Rusisë përreth centralit bërthamor në Ukrainë

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell tha se dënojnë aktivitetet ushtarake të Rusisë përreth centralit bërthamor Zaporizhzhia që ndodhet në juglindje të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“BE-ja dënon aktivitetet ushtarake të Rusisë përreth centralit bërthamor Zaporizhzhia”, theksoi Borrell në një postim nga llogaria e tij në median sociale duke bërë të ditur se rregullat e sigurisë bërthamore janë shkelur seriozisht dhe në mënyrë të papërgjegjshme.

Borrell tha se ky është një shembull tjetër i shpërfilljes së rregullave ndërkombëtare nga Rusia. Ai potencoi se është e nevojshme të sigurohet qasja në rajon për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

– Centrali më i madh bërthamor në Evropë

Centrali bërthamor Zaporizhzhia në juglindje të Ukrainës ndodhet në pozicionin e centralit më të madh bërthamor në Evropë.

Centrali ka 6 reaktorë bërthamorë dhe kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike në një total prej 5.700 megavat-orë si dhe siguron 20 për qind të totalit të energjisë elektrike në Ukrainë.

Centrali bërthamor Zaporizhzhia u mor nën kontroll nga rusët më 4 mars.

Përreth centralit i cili aktualisht ndodhet nën kontrollin e ushtrisë ruse, po përjetohen sulme ajrore. Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën lidhur me çështjen e këtyre sulmeve.