BE-Ballkani Perëndimor, teatri i pritjeve të pafundme

BE-Ballkani Perëndimor, teatri i pritjeve të pafundme

BE-ja aktron kinse dëshiron të pranojë Ballkanin Perëndimor (BP) në familjen e saj, derisa Ballkani shtiret kinse vërtetë dëshiron anëtarësimin. Një shfaqe që zgjat për të ruajtur status quo-në.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Marrëdhëniet e Bashkimit Europian (BE) me vendet e Ballkanit më parë përshkruheshin kështu: qeveritë ballkanase bëjnë sikur zbatojnë reforma, europianët bëjnë sikur iu besojnë. Në dekadën e fundit më i saktë është definicioni se “BE-ja aktron kinse dëshiron të pranojë Ballkanin Perëndimor (BP) në familjen e saj, derisa Ballkani shtiret kinse vërtetë dëshiron anëtarësimin”.

Nëse kërkohet shkaku e vërtetë e ngërçit në procesin integrues të BP, atëherë ai padyshim qëndron te kjo marrëdhënie jo e sinqertë midis palëve. BE-ja si projekt gjithnjë e më shumë po (keq)përdoret në kontekste të politikës së brendshme, duke u paraqitur në dy ekstremet e saja: si një cenues i interesave nacionale kryesisht të gjashtë anëtareve më të vjetra të saj (Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Luksemburgu, Holanda), apo si fetish, objekt adhurimi ose magji për të zgjidhur menjëherë të gjitha problemet e gjashtë vendeve aspirant (Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, BeH, Mali i Zi dhe Serbia).

 

Heqja dorë nga Ballkani Perëndimor

 

Gjeneratat e politikanëve me vizion të sinqertë për një Europë të bashkuar, paqësore, progresive dhe faktor në vendimmarrjen botërore gjithnjë e më shumë po zëvendësohen me gjenerata politikanësh që nuk besojnë në projektin e BE-së. Janë këta politikanë që në radhë të parë vënë interesat e shtetit që përfaqësojnë, apo interesat e partisë që kryesojnë në kuadër të vendit të tyre.

Kancelarja gjermane Angela Merkel duket se ishte ndër figurat e fundit në BE që shkonte përtej rezultateve nga matjet e opinionit publik kur bëhej fjalë për vizionin dhe vlerat europiane. Liria, barazia, demokracia, shteti ligjor, dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut ishin më të rëndësishme për të sesa rreziku i humbjes së zgjedhjeve në Gjermani apo për Parlamentin Europian (PE). Merkel vazhdoi të çojë procesin e tansimit të BE me të gjitha shtetet e kontinentit europian, ashtu siç e kishte paraparë kancelari i parë gjerman pas Luftës së Dytë Botërore, Konrad Adenhauer, i cili me presidentin francez Charles de Gaulle tejkaluan armiqësitë shekullore duke iu përkushtuar në tërësi projektit për një Europë paqesore.

Europa mban mend edhe vizionin e Joseph Bech të Luksemburgut që ndihmoi në arritjen e Marrëveshjes për themelimin e Komunitetit Europian të Çelikut dhe Thëngjillit, një paradhomë e BE-së, Winston Cherchil të Mbretërisë së Bashkuar– ideatorin e Shteteve të Bashkuara të Europës, Johan Williem Beyen të Holandës – ideatorin e tregut të përbashkët europian, Nikole Fontaine – kryetaren e PE e cila çoi para unionin monetar europian që solli Euron dhe shumë idealistë tjerë.

Merkel duket se ishte politikania e fundit që çoi përpara me angazhim personal zgjerimin e BE-së drejt rajonit të fundit – Ballkanit. Në vitin 2014 ajo e nisi Procesin e Berlinit, një mekanizëm për përshpejtimin e zgjerimit. E pyetur gjatë vizitës së fundit në Tiranë se kush do të çojë para atë proces tani që po pensionohet, Merkel përmendi disa politikanë, midis të cilëve edhe kryeministrin austriak Sebastian Kurz. As një muaj pas kësaj deklarate, më 9 tetor Kurz dha dorëheqje pasi prokuroria e Austrisë nisi hetimet për skandalin me financimin e anketave të favorshme për partinë e tij duke përdorur para të shtetit.

BP ngadalë po ngelet pa zë të fuqishëm në BE. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk ka treguar konsistencë kur bëhet fjalë për Ballkanin dhe integrimin e tij në BE. Një herë paralajmëroi fondin zhvillimor për BP që do të përshpejtonte eurointegrimet por më pas, në vitin 2019, përdori veton për çeljen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ishte vetoja e dytë për Shkupin nga një vend i BE-së, pas asaj të Greqisë. Athina përdori veton në vitin 2009 për të pamundësuar nisjen e bisedimeve të Brukselit me Shkupin, e cila mbajti të bllokuar procesin deri në vitin 2017, kur u arrit Marrëveshja e Prespës. Franca fitoi metodologjinë e re të bisedimeve për zgjerim në fillim të vitit 2020, por edhe Shkupi fitoi veton e re, sërish nga një vend europian – Bullgaria. Kjo veto mban të bllokuar edhe Shqipërinë, e cila është në bllok me Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet aspirante bënë reforma të dhimbshme për perspektivën europiane, të cilën në fund nuk e fituan.

Në Samitin e fundit në Bërdo të Sllovenisë madje kishte edhe propozime që mos përdoret aspak termi perspektivë europiane për BP. Një tregues se në BE ngadalë po dominojnë rrymat politike që nuk duan zgjerim të mëtejshëm, sidomos me vendet e BP. Macron në një rast tha se BE para zgjerimit kërkon thellim. Ky thellim, megjithatë, nuk është një proces që arrihet lehtë. Një tentim për thellim të BE-së kishte në vitin 2004, kur në Samitin e Brukselit u arrit Traktati i Kushtetutës së BE-së, i cili përmbledh të gjitha traktatet mbi të cilat është ngritur ky projekt. Megjithatë, vetëm 15 nga 27 vende anëtare e kanë miratuar gjë që e mban ende larg zbatimit. Si për ironi, midis vendeve që nuk kanë ratifikuar Kushtetutën që do të thellonte BE-në është edhe Franca. Në këtë grup hyjnë edhe Danimraka, Holanda, Luksemburgu, Irlanda, Spanja dhe Portugalia.

 

A ka alternativë tjetër BP-ja përveç BE-së?

 

Jo. BE-ja është tregu më i madh ku plasohen prodhimet ballkanase. Afër 30 miliardë euro është eksporti vjetor i gjashtë shteteve të BP-së në tregun 500 milionësh të BE-së. Më shumë se gjysma e eksportit të vendeve të rajonit shkon në BE. Investuesi më i madh në çdo shtet të Ballkanit Perëndimor nuk është as Rusia e as Kina, por BE-ja. Mbi 80% e diasporës së BP jeton dhe punon në BE. Ekonomia e çdo vendi të Ballkanit në masë të madhe varet nga BE, sidomos nga Gjermania. Lidhja tokësore dhe afërsia gjeografike e Ballkanit është me BE-në.

Të gjithë këto tregues e bëjnë BE-në si orientim pa alternativë. Sado që të zgjasë procesi i integrimit, BP është i detyruar të presë, të lusë apo të lutet. Serbia dhe Mali i Zi i filluan negociatat për anëtarësim në vitin 2012, por edhe pas 10 viteve nuk kanë arritur të mbyllin as një çerek të 35 kapitujve. Edhe pse është paraparë që anëtarësimi në grup i këtyre vendeve të ndodhë në vitin 2025, kjo rëndë se mund të ndodhë. Konflikti i ngrirë me Kosovën, interferimi në BeH dhe Mal të Zi dhe raportet me Rusinë dhe Kinën pamundësojnë Serbinë që të bëhet pjesë e BE-së.

Ideja që të gjashtë vendet e BP në bllok të integrohen në BE po merr gjithnjë e më shumë mbështetës. Por, jo duke integruar brenda BE-së edhe problemet e tyre. Përveç reformave të brendshme, Serbia dhe Kosova patjetër të arrijnë një marrëveshje historike e gjithëpërfshirëse, Maqedonia e Veriut të zbatojë Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë, BeH të shndërrohet në shtet funksional kurse Mali i Zi dhe Shqipëria të shënojnë rezultate të dukshme në luftën kundër krimit të organizuar.

Fundja, BE-ja nuk duhet të jetë qëllim në vete. Qëllimi duhet të jenë vlerat dhe modeli i funksionimit apo organizimit të BE-së, i cili mund të aplikohet në rajon apo në gjashtë shtetet veç e veç. Zvicra apo Norvegjia nuk janë pjesë e BE-së, por kultivojnë të njëjtat vlera që i bëjnë po aq të zhvilluara, demokratike dhe progresive si vendet anëtare të atij Unioni. Pritja para dyerve të BE-së nuk duhet të pranohet si zhgënjim apo kohë shtesë për veprimtari korruptive, por të shfrytëzohet për europianizim. BE-ja është atraktive për shkak se sistemi i saj politik dhe i vlerave sjell zhvillim dhe një standard të mirë jetese. Ai model dhe ato vlera duhet të jenë qëllimi kryesor, e jo BE-ja si fetish.