BDI rikthen qeverisjen e komunës së Dibrës

BDI rikthen qeverisjen e komunës së Dibrës

BDI rimerr qeverisjen e pushtetit lokal në Dibër, pas formimit të koalicionit të ri në këshillin komunal. Në seancën e sotme, grupi i këshilltarëve të BDI-së, LSDM-së dhe PEI-t, kërkuan votëbesim për ushtruesin e detyrës së kryetarit të Komunës së Dibrës nga rradhët e Aleancë, z.Eugjen Cami. Arsyetimi i këshilltarëve që kërkuan votëbesim ishte se që nga momenti i zgjedhjes së z.Eugjen Cami si ushtrues i detyrës së kryetarit të Komunës së Dibrës, komuna u partizua, qeverisej nga persona të paautorizuar dhe funksionarë lokale të Aleancës, filloi shantazhi mbi të punësuarit në komunë, qytetarët dhe firmat private. Gjithashtu ata thanë se Komuna duhet t’i rikthehet verdiktit qytetar të treguar me votë popullore në zgjedhjet lokale të 2017-ës. Pas miratimit të votëbesimit, grupi i këshilltarëve të BDI propozoi Hekuran Dukën për ushtrues detyre të kryetari të Komunës së Dibrës, i cili mori shumicën e votave të këshilltarëve. Ndryshe, Eugjen Cami nga Aleanca për Shqiptarët u emërua ushtrues i detyrës së kryetarit të Dibrës, pasi ndërroi jetë kryetari i deritanishëm, Ruzhdi Lata.