BBC: Një mizori e britanikëve në Afganistan

BBC: Një mizori e britanikëve në Afganistan

Ushtarët britanikë kanë vrarë më shumë se 50 të burgosur dhe burra të paarmatosur në Afganistan, ka zbuluar një hetim i BBC-së, bazuar në raportet ushtarake të marra rishtazi.

Gazetarët për Panorama të BBC-së, e cila do të transmetohet të martën mbrëma, shqyrtuan dokumentet mbi operacionet e Shërbimit Ajror Special (SAS), njësia elitare britanike e përdorur në operacione speciale, dhe zbuluan se ato përfshinin “raporte që mbulonin më shumë se një duzinë “vrasje ose  bastisje të kryera nga një njësi SAS në Helmand në 2010 dhe 2011”.

“Individët që shërbyen në atë njësi gjatë kësaj periudhe thanë se ishin dëshmitarë të vrasjes së njerëzve të paarmatosur gjatë bastisjeve të natës”, sipas një raporti të BBC News.

Sipas dëshmive të ish-ushtarëve, vrasjet e individëve justifikoheshin me vendosjen e një pushke AK-47 në vend dhe anëtarët individualë të SAS-it “garuan se kush do të vriste më shumë njerëz”.

Ministria pretendon se konkluzionet janë të pajustifikuara

Në raport thuhet se “email-et e brendshme tregojnë se oficerët në nivelet më të larta të Forcave Speciale ishin të vetëdijshëm se kishte shqetësime për vrasje të mundshme të paligjshme, por nuk raportuan dyshime në policinë ushtarake pavarësisht detyrimit ligjor për ta bërë këtë”.

Një hetim nga BBC sugjeron se “një njësi mund të ketë vrarë në mënyrë të paligjshme 54 njerëz gjatë gjashtë muajve”.

Gjenerali Sir Mark Carleton-Smith, ish-kreu i SAS, ishte “në dijeni të vrasjeve të supozuara të paligjshme, por nuk ia kaloi provat policisë ushtarake, edhe pasi u hap një hetim për vrasjet”.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se Panorama e BBC-së “bëri konkluzione të pajustifikuara në bazë të pretendimeve që tashmë janë hetuar”, duke shtuar se gjatë hetimit të këtyre ngjarjeve nuk ka pasur prova të mjaftueshme për ndjekje penale.

Në njoftim thuhet se Ministria është “e hapur për shqyrtimin e çdo prove të re”, dhe se nuk do të ketë pengesa. /tesheshi.com/