` . Bayern Munich zyrtarizon transferimin e Leroy Sane - TV SHENJA

Bayern Munich zyrtarizon transferimin e Leroy Sane

Skuadra gjermane e ligës së parë (Bundesliga), Bayern Munich ka firmosur kontratë pesëvjeçare me Leroy Sane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Klubi bavarez zyrtarizoi transferimin e futbollistit gjerman nga ekipi anglez Manchester City.

Në një deklaratë, Bayern Munich tha se 24-vjeçari Sane nga java e ardhshme do të fillojë përgatitjet për sezonin e ardhshëm me klubin.

Sane ka firmosur kontratë me klubin deri më 30 qershor 2025, thuhet në deklaratë.

Karl-Heinz Rummenigge, kryetari i bordit drejtues të Bayern Munich-ut, është shprehur i lumtur për ardhjen e Leroy Sane, duke theksuar se cilësia e futbollistit gjerman është dëshmuar në vitet e fundit, në veçanti me Kombëtaren e Gjermanisë.

“Në synojmë të mbledhim futbollistët më të mirë gjermanë në Bayern Munich dhe transferimi i Leroy Sane nënvizon këtë fakt”, tha Rummenigge.

Ndërkaq, Sane ka deklaruar se Bayern Munich është një klub i madh që ka synime, të cilat i përshtaten atij.

Ai ka thënë se me klubin gjerman dëshiron të fitojë kampionate, e në veçanti “një fund të lumtur” në Ligën e Kampionëve të UEFA-së.

Sane, i cili u transferua në Manchester City nga Schalke 04 në vitin 2016, fitoi dy tituj të njëpasnjëshëm të Premier Ligës me klubin anglez në sezonet 2017-2018 dhe 2018-2019.

Në 135 paraqitje me Manchester City-n, Sane shënoi 39 gola, ndërsa në kombëtaren gjermane ka shënuar 5 gola në 21 paraqitje.