Bashkimi i Europës pa zgjerimin e BE-së, një përgjigje ndaj kontekstit gjeopolitik

Bashkimi i Europës pa zgjerimin e BE-së, një përgjigje ndaj kontekstit gjeopolitik

Ndryshe nga propozimi i Sholz-it, ideja e Macron-it për KPE-në ka për qëllim unifikimin e Europës, pa mos e shtyrë përpara zgjerimin e BE-së. Edhe këtu është i njëjti shqetësim – rëndësia e njëjtë e votave të shteteve dhe fuqia e tyre për të bllokuar vendime të caktuara strategjike të BE-së. Njëkohësisht, është edhe e njëjta urgjencë – unifikimi dhe ngjeshja e Europës në një periudhë të rrezikut nga ndikimet keqdashëse ruse dhe kineze me qëllim të ruajtjes së sistemit të përbashkët të vlerave.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, lansoi edhe një ide tjetër, pas asaj për ndryshimin e metodologjisë së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE), të propozuar më 2019 dhe të miratuar një vit më pas. Kësaj radhe ideja e tij kishte për qëllim ta unifikojë Europën derisa nuk ndodh zgjerimi i Bashkimit Europian (BE).

Macron-i e shpalosi disi papritur idenë e krijimit të Komunitetit Politik Europian (KPE), pasi shtetet tjera nuk kishin asnjë detal tjetër. Në fjalimin e tij më 9 maj të këtij viti, në Konferencën e Strasburgut, pra me rastin e Ditës së Europës, Macron-i dha vetëm një pjesë të vizionit të tij se si duhet të duket ky bashkim i madh europian.

 

Bashkim i ri?

Ai tha se Bashkimi Europian, në kuadër të ambicieve dhe nivelit të tashëm të integrimit, nuk mund të jetë e vetmja mënyrë që mund ta strukturojë Europën. Macron-i i përmendi vendet e Ballkanit Perëndimor që janë inkuadruar në procesin integrues, por nuk dihet se kur do të jenë anëtarë të plotë të BE-së. Sipas tij, BE-ja ka nevojë që në këtë kontekst gjeopolitik të gjejë mënyrë që ta shohë Europën të unifikuar dhe stabile, pa mos e bërë intimitetin brenda BE-së më të thyeshëm. Macron-i theksoi se liderët e BE-së e kanë detyrë historike tani ta hapin një proces historik të reflektimit, duke marrë parasysh ngjarjet që ndodhin në kontinentin europian.

Në këtë fjalim, presidenti francez theksoi se familja europiane e vlerave të përbashkëta u braktis nga Rusia. Ka qenë pikërisht Franca, që për një kohë të gjatë e ka parë edhe Rusinë një anëtare të ardhshme të BE-së. Këtë e ka theksuar disa herë edhe ish-presidenti francez, Fransoa Miteran, i cili në fillim të viteve të ‘90-ta e shihte Bashkimin Europian (BE) si një federatë shtetesh nacionale, ku do të  integrohej edhe Rusia.

Megjithatë, tri dekada më pas, Macron-i shpall shkëputjen me Rusinë dhe riformatimin e Europës në mënyrë politike. Sipas tij, Komuniteti Politik Europian do të ishte një organizatë e re europiane, që do t’u mundësonte kombeve demokratike europiane, që ndajnë vlerat e përbashkëta, të gjejnë një hapësirë të re të bashkëpunimit.  

Ky fjalim, sidoqoftë, nuk u përgjigj në të gjitha pyetjet dhe dilemat që ekzistojnë brenda BE-së dhe brenda vendeve aspirantë. Në kuadër të BE-së ka kohë që mendohet se si të ndryshohet procesi i vendimmarrjes, kjo me qëllim të krijimit të së ashtuquajturit “Union me dy shpejtësi”. Kjo ide, të cilën fillimisht e paraqiti ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, u përqafua në njëfarë mënyre edhe nga ana e kancelarit aktual, Olaf Scholz. Për dalim nga Franca, Gjermania preferon një union të një kontinenti të tërë, ku vendimet do të merreshin me shumicë votash, e jo me konsensus, siç është tani. Kjo ide, të cilën Sholz-i e elaboroi kah fundi i muajit gusht në Pragë, nuk u pëlqeu shumë vendeve më të vogla në kuadër të BE-së dhe vendeve të Europës Qendrore. Te ato ekziston frika se një ndryshim i tillë i sistemit të vendimmarrjes në kuadër të BE-së do të prodhonte diskriminim për vendet ekonomikisht më të dobëta, për shkak të pamundësisë së tyre që të lobojnë në marrjen e vendimeve të caktuara.

Ndryshe nga propozimi i Sholz-it, ideja e Macron-it për KPE-në ka për qëllim unifikimin e Europës, pa mos e shtyrë përpara zgjerimin e BE-së. Edhe këtu është i njëjti shqetësim – rëndësia e njëjtë e votave të shteteve dhe fuqia e tyre për të bllokuar vendime të caktuara strategjike të BE-së. Njëkohësisht, është edhe e njëjta urgjencë – unifikimi dhe ngjeshja e Europës në një periudhë të rrezikut nga ndikimet keqdashëse ruse dhe kineze, me qëllim të ruajtjes së sistemit të përbashkët të vlerave.

Kriza e refugjatëve, pandemia e koronavirusit dhe, së fundmi, agresioni rus në Ukrainë, e ka bërë idenë e ombrellës së gjerë europiane të domosdoshme, nëse BE-ja do të dëshirojë të bëhet më e mbrojtur nga zhvillimet që ndodhin në kufijtë e saj.

 

Mbështetja për KPE-në

Vizioni i Macron-it mori përgjigje pozitive fillimisht nga Gjermania, e pastaj edhe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian. Konferenca e parë e formatit të këtij Komuniteti, i cili numëron 44 shtete, 17 më shumë se sa aktualisht ka Bashkimi Europian, u mbajt në tetor të këtij viti, vetëm pas pesë muajve nga promovimi i parë në konferencën e Strasburgut. Krerët e Turqisë, Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë dhe të Ballkanit Perëndimor e cilësuan këtë si një ide të mirë, që e përshpejton anëtarësimin e plotë në BE. Edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila në vitin 2016 e braktisi BE-në, tash e sheh Komunitetin Politik Europian si një ide që duhet marrë parasysh.

A mund të mbushë Komuniteti Politik Europian boshllëkun gjeopolitik që la pas ngecja dhjetëvjeçare e integrimit të Ballkanit Perëndimor?

Kjo ide, në fakt, është e vjetër sa edhe vetë Bashkimi Europian. Është propozuar në vitin 1952 si një union i Komunitetit Europian të Thëngjillit dhe Çelikut dhe të Komunitetit të Mbrojtjes Europiane. Ishte parashikuar si një konfederatë shtetesh europiane. Dy vite më pas, pra më 1954, Franca nuk e miratoi traktatin për formimin e Komunitetit të Mbrojtjes Europiane, gjë që solli braktisjen edhe të projektit të Komunitetit Politik Europian. 70 vjet më pas është sërish Franca që e ringjall idenë, por në një format më ndryshe.

Takimi i parë në Pragë i liderëve të KPE-së nuk solli ndonjë vendim të rëndësishëm, përveç optimizmit të vendeve pjesëmarrëse se do të jenë solidarë midis tyre. Përveç rrezikut të sigurisë, agresioni i Rusisë në Ukrainë i ka goditur edhe ekonomitë e vendeve të Europës, sidomos për shkak të varësisë së tyre nga gazi rus. Optimizmi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, pas takimit të Pragës, ishte se BE-ja e ka kuptuar gabimin e bërë gjatë pandemisë, kur vendet e rajonit fillimisht nuk e panë solidaritetin europian në betejat e para me koronavirusin. Tash, kur para nesh është dimri që pritet të jetë më i vështirë, vendet e rajonit janë të bindura se bashkë me BE-në, pra si kontinent, do ta kapërcejnë me më pak pasoja.