Bashkimi Europian, kriza dhe Ballkani i Hapur

Bashkimi Europian, kriza dhe Ballkani i Hapur

Politikat kombëtare ose klasore zhvleftësohen shpesh e zakonisht prej liberalëve me formulën dembele “këto janë ide të shek. XIX”. Kozmopolitizmi, relativizmi, vetë bindja se tregjet janë të mira për të gjithë (dhe politika gjithnjë e keqe), u duken liberalëve si ide moderne, fringo të reja.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë  

Bashkimi Europian është në krizë. Këtë e pranojnë prej vitesh edhe vetë pjesëmarrësit në të. Mirëpo, kjo nuk përbën lajm, meqenëse krejt bota është në krizë. Në fakt, krizat nuk janë ndalur qysh prej Recesionit të Madh global, që filloi me krizën financiare të viteve 2007-2008. Në Europë Recesioni i Madh shkaktoi krizën europiane të borxhit, që karakterizoi fillimin e viteve 2010-të, ndërkohë që fundi i asaj dekade u trondit prej pandemisë ndërsa fillimi i dekadës tjetër, pa lënë kohë as për frymëmarrje, u pasua nga pushtimi rus në Ukrainë.

Këto kriza vënë në dukje një karakteristikë themelore të Bashkimit Europian: ai është projekt thelbësisht liberal e, si i tillë, ka frikë nga gjeopolitika. Në fakt, edhe nga vetë politika. Bashkimi Europian i ka rrënjët në marrëveshje e komunitete tregtare dhe te besimi optimist se tregjet do të arrijnë të zëvendësojnë kombet, klasat edhe vetë luftën (pra, politikën).

Ku e kanë gabim liberalët?

Politikat kombëtare ose klasore zhvleftësohen shpesh e zakonisht prej liberalëve me formulën dembele “këto janë ide të shek. XIX”. Kozmopolitizmi, relativizmi, vetë bindja se tregjet janë të mira për të gjithë (dhe politika gjithnjë e keqe), u duken liberalëve si ide moderne, fringo të reja. Paçka se gjithë perandoritë e lashtësisë e të mesjetës kanë qenë kozmopolite, multikulturore e, megjithatë, të konsideruara mbytëse të lirive në krahasim me shtetet kombe, që lindën në modernitet si një organizim më i avancuar e më demokratik i shoqërisë. Sa i përket relativizmit, bindjes që përsëritet shpesh se “askush nuk është pronar i së vërtetës”, a nuk ishte pikërisht kjo bindja dominuese e sofistëve të lashtësisë, të cilët përmes saj justifikonin veprimet e cilitdo që paguante mirë? E, si përfundim, edhe besimi i verbër i liberalëve te tregu si mekanizmi hyjnor që me dorën e vet të padukshme do të zhdukte çdo dorë të dukshme njerëzore, edhe ky besim është i shekullit XIX. Pas luftërave napoleoniane, në mes të shek. XIX, pati një forcim të qarqeve liberale dhe shoqatave të paqes. Liberalët, përveçse e denonconin luftën si shkatërrimtare dhe të paqytetëruar, e shihnin edhe si “jo-racionale”, pra si të papërputhshme me konceptin e tyre për “homo economicus” ose për njeriun që vazhdimisht përpiqet ta nxjerrë maksimumin për vetveten në rrethanat ku ndodhet e me informacionin që ka. Zëdhënës i këtyre ideve liberale, që sot na paraqiten si moderne e postmoderne, qysh në vitin 1848 u bë kryefilozofi liberal, J.S. Mill, i cili te “Parimet e Ekonomisë Politike” (Libri III, Kreu XVII) shkruante: “Sot tregtia është ajo çka lufta ka qenë dikur” dhe pak më poshtë vazhdonte: “Tregtia me shpejtësi po e bën luftën të panevojshme, duke forcuar e shumëfishuar interesat personale të cilat natyrshëm që janë kundërshtare të luftës”.

Qysh asokohe u vu në dukje se bindjet liberale nuk qëndronin, se tregtia nuk është një lojë me shumë pozitive ku është e mundur të fitojnë të gjithë e nëse dikush fiton, dikush do të humbasë, por gjasat janë gjithnjë më të mëdha që të fitojë i fuqishmi e të humbë i dobëti. Këtë, për shembull, e vuri në dukje qysh në shek. XIX ekonomisti prusiano-amerikan Friedrich (apo Frederick) List, i cili qysh më 1930-të shkruante te vepra e tij “Sistemi kombëtar i politikës ekonomike” se tregtia e lirë do të sillte thjesht:          “një nënshtrim universal të kombeve më pak të zhvilluara dhe një supremaci të vendeve që kanë prodhim, tregti dhe flotë më të fuqishme”.

Shumëkush sot beson se dy shekujt e shkuar i kanë dhënë më shumë të drejtë Friedrich List-it, që konsiderohet si një ndër paraardhësit e rëndësishëm të J.M. Keynes-it dhe citohet sot e kësaj dite nga ekonomistë heterodoksë me influencë, siç është koreanojugori H.J. Chang. Sot ne e dimë se, pavarësisht optimizmit liberal të Mill-it, tregtia nuk e ka zëvendësuar luftën. Fuqitë e mëdha, edhe nëse e propagandojnë tregtinë e lirë për vendet vasale ndaj tyre, nuk e aplikojnë edhe aq atë tek vetja e vet. E aq më pak, nuk heqin dorë prej luftës. Edhe fuqitë më tregtare janë treguar të gatshme të luftojnë sa herë që rrezikohet dominimi i tyre tregtar ose sa herë që dëshirojnë “të hapin” ndonjë treg të ri. Për shembull, edhe nëse e analizojmë aleatin tonë kryesor, SHBA-në, fuqinë ekonomike e ushtarake që është në krye të botës perëndimore, ku bën pjesë edhe Bashkimi Europian, do të shohim se SHBA-ja nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në. Madje, as me Mbretërinë e Bashkuar ose me Japoninë, që i ka aleatë të rëndësishëm. SHBA-ja ka marrëveshje të tregtisë së lirë vetëm me 20 shtete: Australi, Bahrein, Kanada, Kili, Kolumbi, Kosta Rikë, Rep. Domenikane, Salvador, Guatemala, Honduras, Izrael, Jordani, Kore e Jugut, Meksikë, Marok, Nikaragua, Oman, Panama, Peru e Singapor. Jo vetëm që nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë me ekonomi të mëdha që mund të perceptohen si rivale ekonomike edhe kur janë aleate ushtarake (si për shembull, Gjermania, Japonia, Britania, Franca), por ka filluar të ketë hezitim edhe sa i përket besimit te dominimi i botës përmes tregtisë. Rritja e hovshme e Kinës, e cila përdor metoda ekskluzivisht tregtare dhe i shmanget luftës, ka sjellë në botën liberale perëndimore një tronditje të vetë liberalizmit. Tregu, tek i cili ata besonin, po ua jep shansin modeleve të tjera. Gjithnjë e më shumë po diskutohet për mënyra të tjera, pra jotregtare, por politike e ushtarake, për ta ndalur Kinën e për të ruajtur dominimin.

A është gati Bashkimi Europian për botën post-liberale?

Humbja e përgjithshme e besimit të “dora e padukshme” e tregut dhe rikthimi në skenë i politikës e i gjeopolitikës, duket se e ka zënë të papërgatitur Bashkimin Europian. Siç thamë, ky projekt integrues lindi në thelb si projekt tregtar. Edhe të famshmet “4 liri europiane” janë liri të lidhura me tregtinë më shumë se me gjithçka tjetër. Në vitet menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në perëndim dominuan idetë liberale, njësoj siç kishte ndodhur një shekull më parë pas luftërave të Napoleonit. E po njësoj, pa nxjerrë asnjë mësim nga e shkuara, u vendos të përsëriteshin formulat liberale, sipas të cilave tregjet do ta bënin obsolete luftën. Mirëpo, tregjet, siç e dimë, karakterizohen nga egoizmi i pjesëmarrësve në to dhe nga mosbesimi i secilit te secili. Mentaliteti i tregtarit është në thelb antirepublikan dhe antipolitik, sepse vetë republika e politika (në sensin klasik të fjalës e jo në atë modern) nënkupton prioritizimin e interesit publik, në kontradiktë direkte me dëshirat e tregtarit. Pikërisht ky skepticizëm ndaj të përbashkëtës e ndaj politikes shkaktoi themelimin e institucioneve europiane si thelbësisht teknokratike e burokratike. Sistemi i vetove në vendimmarrje reflekton mosbesimin e secilit pjesëmarrës egoist tek tjetri pjesëmarrës, po ashtu egoist. Teknokracia e sistemi i vetove garanton që Bashkimi Europian të mos mund të jetë kurrë diçka më shumë se komunitet tregtar. Natyrisht, kjo nuk e ka penguar zgjerimin në kohët kur punët shkonin mirë. Por, qysh prej Recesionit të Madh, që e përmendëm në fillim të shkrimit, tregjet janë rrudhur dhe optimizmin e ka zëvendësuar frika. Në kushte të tilla, ku krizat shtojnë njëra-tjetrën, do të duhej një vendimmarrje politike për të bërë të mundur zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. E, pikërisht kjo është e pamundur për teknokratët e tregtarët.

Teksa BE-ja heziton, në periferitë e saj, përfshi edhe në Ballkanin Perëndimor, shfaqen projekte të tjera. Vetë Franca (Macron), superfuqia ushtarake e BE-së, ka propozuar krijimin e një “Komuniteti Politik Europian”, që siç duket do të shërbente si një oborr i jashtëm i BE-së. Ndërsa Britania (Johnson), e cila ka dalë prej BE-së, ka propozuar krijimin e një “Komonuellthi Europian”, prej Londrës e deri në Stamboll, duke përfshirë aty vendet e Europës Lindore nga Balltiku e deri në Ballkan, përfshi edhe Ukrainën. Kina, me degëzimet e projektit të saj gjigand të Nismës Rrugë e Brez ka investuar dhe ka joshur me kapitalin e saj shumë vende të kësaj zone. Rusia, përveç lidhjeve të hapura me Bjellorusinë dhe Serbinë, ka ndikim në pjesë të rëndësishme të spektrit politik e të kapitalit në shumë nga vendet e ish-bllokut lindor, madje edhe në disa vende që janë në NATO e BE (për shembull, disa nga partitë parlamentare në Bullgari e kështu me radhë). Turqia ende nuk ka propozuar ndonjë projekt të definuar qartë, megjithatë ekziston perceptimi se edhe Erdogan-i po përpiqet të jetë pjesë e garës për të mbushur zbrazëtinë e lënë nga BE-ja në Ballkan e në Europën Lindore. Për t’u vënë në dukje është edhe një rritje e ndjeshme e prezencës së Hungarisë në Ballkan e në Europën Lindore, qoftë përmes diplomacisë së saj, qoftë përmes investimeve private a shtetërore. Edhe kryetari i Hungarisë, Orban, i cili është ndër kritikët më të zëshëm të liberalizmit dhe propozues i “iliberalizmit”, po dëshiron t’i shfrytëzojë hapësirat e krijuara.

Siç duket, BE-ja jo se nuk e di ose nuk e kupton këtë situatë, por nuk po arrin ta reflektojë me veprime. E teksa BE-ja merret me mikromenaxhime e me dokrra teknokratësh të vegjël, disa nga vendet e rajonit po formojnë struktura që mund të akomodojnë projektet alternative. Një i tillë është “Ballkani i Hapur”.

Kuptimi gjeopolitik i “Ballkanit të Hapur”

Amerikanët po këmbëngulin që “Ballkani i Hapur” të mos jetë iniciativë trepalëshe, Beograd – Shkup – Tiranë dhe mbi të gjitha të mos jetë politike, por thjesht e vetëm tregtare dhe ekonomike. Mirëpo, zbrazëtia e lënë nga mungesa e BE-së në Ballkan është politike, e jo tregtare. Dhe, meqë politika nuk e pranon zbrazëtinë, meqë, për të përdorur një koncept aristotelian, ka horror vacui, atëherë këtë zbrazëti do të përpiqet ta mbushë dikush tjetër.

Mjafton të dëgjohet me vëmendje konferenca e tre liderëve të Ballkanit të Hapur në Bruksel, në 23 qershor, për të kuptuar mesazhet që fshiheshin mes rreshtave. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili luajti aty rolin e zëdhënësit të frustrimit të të tria vendeve, mori përsipër të ankohej për problemet e vendeve me BE-në, edhe pse vendi i tij, Shqipëria, nuk ka ndonjë problem të hapur. Ai u tha europianëve se po bëjnë gabim që po e mbajnë larg Serbinë, sepse atje 80% e popullsisë qenkan adhurues të Putinit. Kritikoi gjithashtu edhe bullgarët, të cilët me veton e tyre shkaktuan vonesa të kota, njësoj si banorët e Kostandinopojës dikur, të cilët përlesheshin me njëri-tjetrin për “gjininë e engjëjve” në vend se të mbroheshin ndaj turqve që kishin ardhur deri te dyert e qytetit mesjetar. Pra, Rama ndër rreshta ua paraqiti europianëve problemin kësisoj: nëse ju nuk vini, te dera jonë po trokasin rusët dhe turqit, e tash ju bëni si të doni vetë.

Kryeministri maqedonas nuk mori shumë protagonizëm dhe mendoj se bëri mirë, por presidenti serb, Vuçiqi, nuk e la pa e përmendur luftën. Ai tha se është për të ardhur keq ajo që po ndodh secilën ditë në Ukrainë (kuptohet, Vuçiqi nuk e përmendi fajtorin për ato masakra). Uroj, tha Vuçiqi, duke marrë një pozë prej shenjtori, që të mos na vijë në Ballkan lufta. Kjo u bën jehonë pohimeve të kohëve të fundit të vetë Edi Ramës, se Ballkani i Hapur jo vetëm që është ide vendore (pra, e tyrja), por është edhe formulë për të ndalur luftën në Ballkan. Meqenëse luftë në Ballkan nuk ka qysh prej 1999, pra Ballkani është në paqe, cilën luftë dëshirojnë të ndalin Rama e Vuçiqi? A është kjo thjesht përsëritje e formulës trump-iane, sepse edhe ish-presidenti amerikan synonte “ta ndalte luftën në Ballkan”? Apo është, në fakt, kërcënim me luftë, duke thënë nëse nuk na pranoni në BE, atëherë mos na ngacmoni te punët tona me Ballkanin e Hapur, se përndryshe nuk mbajmë përgjegjësi?

Këto pyetje do të mbeten përkohësisht pa përgjigje.

Meqenëse ky shkrim po shkruhet në datën 24 qershor, kur samiti i udhëheqësve të vendeve të BE është ende duke vazhduar, unë mbetem ende me shpresë se BE-ja do të tregohet e aftë për vendim politik dhe do ta avancojë integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Nëse nuk e bën këtë, BE-ja do të ketë ndërmarrë vendimin më të gabuar dhe, natyrisht, se do të kritikohet siç meriton. Por, kritika ndaj BE-së nuk do të thotë të eksperimentojmë me çdo lloj projekti “alternativ” që na ofrohet. Është njësoj sikur të ishim tranzit në ndonjë aeroport dhe të marrim vesh se fluturimi të cilin e presim, qenka anuluar. Sigurisht ky lajm do të na trishtonte, mirëpo askush që ka mendtë në kokë nuk do të këshillonte që të merrej ndonjë aeroplan tjetër, pa e vrarë mendjen se në ç’destinacion shkon.

Nëse Bashkimi Europian nuk orientohet dot gjatë krizës së shumëfishtë që po përjeton globi, nuk ka nevojë që udhëheqësit e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë ose Maqedoni të Veriut etj. të bëjnë si strategë të mëdhenj globalë. Në këtë kohë paqartësish, më e mira do të ishte të kthejmë sytë nga vetja, nga sfera makro-shqiptare, dhe të fillojmë të merremi seriozisht me fuqizimin e sektorëve vendorë të bujqësisë, energjisë dhe mbrojtjes.