` . Bashkëpunimi i partizanëve me çetnikët për ta okupuar Sanxhakun - TV-SHENJA

Bashkëpunimi i partizanëve me çetnikët për ta okupuar Sanxhakun

Disa ditë më vonë, pas mbrojtjes së suksesshme të Pazarit të Ri në vjeshtën e 1941, Milicia Myslimane luajti rol të madh edhe në betejën për mbrojtjen e Senicës, kësaj radhe nga forcat partizane

Shkruan: Ismet AZIZI, Gjilan

Me qëllim të zgjerimit të territorit të kontrolluar nga serbo-komunistet, partizanët, më 22 dhjetor 1941, kryen një sulm kundër Senicës. Në atë kohë nuk kishte njësi gjermane në Senicë, prandaj qëllimi i sulmit ishte për të zënë pozitë më të mirë dhe për të depërtuar në Mal të Zi e Kosovë. Në këtë kohë ishte vetëm njësiti i Milicisë Myslimane. Sulmi partizan filloi në orën 06:00. Në këtë sulm morën pjesë Batalioni i Sanxhakut – Moravicës, Batalioni i Çaçakut dhe Batalioni i Beogradit. Qyteti praktikisht u mor pa luftë, por për shkak të operacionit të përgatitura keq, bashkëpunimit të dobët të batalioneve partizane dhe parashikimeve të pasakta për disponimin e popullatës myslimane të fshatrave përreth, përpjekja për ta pushtuar Sjenicën u shndërrua në një humbje serioze. Udhëheqësit vendas, Hasan Zvizdiq (më vonë do jetë pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit), Xhemo Koniçanin, Hoxha Sulejman Paçarizi dhe të tjerë, u organizuan kundër forcave partizane nga rrethinat e Sjenica dhe nga Peshteri e nga rrethi i Tutinit e Pazarit të Ri. Njësitë partizane në Senicës kishin 52 të vdekur, 25 të plagosur dhe 18 të kapur, ndërsa në radhët e Milicisë Muslimane kishte 30 të vrarë dhe 60 të plagosur. (“Milicia myslimane” është emërtim për grupet e pavarura lokale të armatosura në fshatrat e banuara me shqiptarë dhe boshnjakë në Sanxhak, gjatë Luftës së Dytë Botërore – I. A.)

Për rezistencën e sanxhaklinjve historiani serb Zhivkoviq shkruan: “Se beteja për Sjenicën përfaqëson kulmin e një procesi të gjatë të rezistencës së shumicës dërmuese të myslimanëve (boshnjakëve dhe shqiptarëve) ndaj komunistëve. Për këtë dëshmon edhe refuzimi i marrëveshjes nëpërmjet negociatave, i rezistencës së ashpër të ofruar nga pothuajse i gjithë rajoni i Sjenicës (me mbështetjen e myslimanëve nga rrethet e Tutinit dhe Pazarit të Ri)”.

Për sjelljen e pushtetarëve shqiptarë, aty ku e ushtronin pushtetin gjatë Luftës së Dytë Botërore, më së miri flasin dokumentet e Agjencisë së Inteligjencës Amerikane: “Nën regjimin shqiptar në Kosovë, serbët dhe malazezët i gëzonin të drejtat e përfaqësimit nëpër gjykata kundër shkeljes nga shqiptarët. Edhe nëse shkelej, shteti do të intervenonte në favor të tyre. Për shembull, në vitin 1944 një ushtar i forcave shqiptare vrau një serb në shenjë hakmarrje, andaj Xhafer Deva urdhëroi personalisht që vrasësi të pushkatohet në vendin ku e kishte kryer krimin. Por, paralelisht, edhe komunistët kishin filluar të lëshonin rrënjë në Kosovë përmes futjes së përçarjes në mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Kryesisht serbët e malazezët kishin treguar prirje për t’iu bashkuar komunistëve“.

Popullata e Sanxhakut ishte e kërcënuar seriozisht nga forcat çetnike në radhët e të cilave ishin rekrutuar vullnetarisht serbët vendorë. Qëllimi i rreshtimit të tyre në radhët e formacioneve çetnike ishte gjenocidi mbi popullatën boshnjake e shqiptare, plaçkitja dhe djegia e vendbanimeve të tyre.

Autori boshnjak Esad Rahiq shkruan për diska që shumë pak është e njohur. Është ky raporti i njësive partizane, në veçanti aradha partizane e Kopaonikut ndaj zhvillimeve në qarkun Dezhevës. “Kah fundi i tetorit u arrit marrëveshja mes çetnikëve dhe partizanëve të aradhes së Kopaonikut për të sulmuar së bashku Pazarin e Ri. Marrëveshja ishte që çetnikët ta sulmojnë qytetin nga veriu, verilindja dhe veriperëndimi, ndërsa partizanët nga jugu dhe jugperëndimi. Shtabi i aradhës partizane të Kopaonikut, nën komandën e Sveta Trifunoviqit, i dërgoi dy çetat e veta në Rogoznë, më qëllim që ta bllokojnë rrugën Mitrovicë-Pazar i Ri dhe që të parandalojnë depërtimin e mundshëm të shqiptarëve në këtë drejtim. Kur njësitet partizane e prenë rrugën e përmendur, atje erdhi një grup çetnikësh të Kolashinit nën komandën e Todor Dobriqit dhe Todor Çukiqit.

Ata kërkuan nga Sveta Trifunoviq që partizanët të kalojnë nëpër Bërgjan, poshtë Tërnavës, dhe përgjatë rrugës t’i kallin shtëpitë boshnjakëve. Meqë partizanët nuk e bënë një gjë të tillë, këtë punë e bënë çetnikët. Ata, duke i djegur shtëpitë e boshnjakëve në Tërnavë, Bërgjan, arritën pranë varrezave Gazillar. Aty filluan të pinë dhe të dëfrehen. Partizanët, gjatë kësaj kohe, shikonin në heshtje se çfarë janë duke bërë çetnikët, duke mos u përpjekur për t’i ndihmuar fshatarët boshnjakë për t’i mbrojtur. Por, kur forcat boshnjake depërtuan drejt Tërnavës, partizanët i sulmuan për t’i zmbrapsin nga ky fshat. Pas një nate të kaluar në fshatin Pasji Potok, një pjesë e brigadës përsëri u përball me Milicinë Myslimane që kishte arritur pranë fshatit Milatkoviq.”

“Pas konsultimit me komandantin çetnik, kapitenin Cvetiq, partizanët dhe çetnikët e Kolashinit i zunë pozicionet në Rogoznës dhe shpatijet në drejtim të lumit Ibër, ndërsa çetnikët e zunë Cvetiqit luginën e lumit të Rashkës dhe shpatet e Golisë. Ditën tjetër u dogjën përsëri fshatra serbe dhe boshnjake. Çetnikët e Cvetiqit sulmuan dhe dogjën fshatra boshnjake. Në mbrëmje shkuan nga Pazarit të Ri kolona të mëdha të Milicisë Myslimane në drejtim të Tërnavës. Nga pozicionet e veta, partizanët nxituan në atë drejtim për t’i mbrojtur fshatrat serbe. Kur arritën, nisi të digjej fshatin Izbicë. Ata e kryen sulmin, ndaluan dhe i kthyen boshnjakët dhe i ndoqën deri në afërsi të Pazarit të Ri dhe mbetën aty në pozicione.”

Partizanët morën pjesë në sulmin kundër popullatës boshnjake të rrethit të Dezhevës. Partner i koalicionit të tyre në këto veprime luftarake ishin formacionet çetnike, aleatët e tyre të atëhershëm.

Të nesërmen partizanët e kërkuan komandantin çetnik Cvetiq, për t’u marrë vesh për bashkëpunimin e mëtejshëm. Në të njëjtën ditë te partizanët erdhën përfaqësuesit e popullatës serbe nga Pazari i Ri dhe i informuan në lidhje me përforcimet e mëdha që kishin mbërritur nga Kosova, gjegjësisht nga Drenica. Balancimi i forcave në terren dukshëm kishte ndryshuar në favor të mbrojtësve të Pazarit të Ri. Partizanët kishin mbetur të vetëm për shkak se ish-aleatët e tyre, çetnikët e Cvetiqit, ishin tërhequr nga veprimet e mëtutjeshme. Partizanët u tërhoqën më 1 nëntor 1941.

Atë që nuk e arritën formacionet çetnike në Sanxhakun lindor, u shkoi përdore në pjesët e tjera të Sanxhakut, në atë perëndimor, përkatësisht në Krahinë e Bihorit, në vitin 1943.

Në lidhje me situatën në Qarkut të Mitrovicës, në raportin e të autorizuarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Filiks Bencler, dërguar MPJ (marrë nga libri i prof. dr. Hakif Bajramit, Dokumentet gjermane për historinë shqiptare 1939-1944, libri i dytë, Prishtinë, 2017) thuhet: “E vërteta është se drejtuesit kryesorë shqiptarë (mendohet në Xhafer Devën, Ibrahim Lutfiun etj.) deri më tash e kanë refuzuar çdo përpjekje italiane për infiltrim në rajonin e Mitrovicës. Përfaqësuesit shqiptarë nga Jeni Pazari, sipas dëshmive shqiptare, e kanë pasur për detyrë të vetme që të kërkojnë ndihmë nga gjermanët, i kanë evakuuar edhe të burgosurit serbë dhe shumë keq e kanë rrezikuar realitetin e balancit, me ç’rast lokalitetet shqiptare janë ndarë nga ato serbe me kufi të hekurt. Dhe, sikur informatës së Kariskomandaturës se Mitrovicës, milicia shqiptare nga Mitrovica ka dërguar forca në Jeni Pazar, duke i furnizuar në shkallë adekuate me municion dhe armatim për mbrojtje. Në fund të tetorit 1941, rreth Jeni Pazarit gjendeshin pjesët e Aradhes komuniste të Kopaonikut (serbe) në koordinim me komunistët edhe forcat çetnike të DrazhaMihajloviqit, me qëllim që, së bashku, ta luftojnë popullsinë shqiptare dhe për këtë kishin bënë marrëveshje Tito me Drazhën për një kohë të shkurtër. Ekziston dokumenti i marrëveshjes. Lidhur me këtë, për shkak të tërheqjes taktike të çetnikëve, Shtabi i Aradhës komuniste të Kopaonikut u detyrua që forcat e veta t`i evakuojë kah Rashka, sepse nuk mundën pa çetnikët t`u përballojnë forcave shqiptare që kishin shkuar andej për ta mbrojtur Pazari e Ri. Çetnikët e Drazha Mihajloviqit nga 4 deri më 21. XI dhe nga 5 e deri më 11. XII. 1941, do të ndërmarrin sulm brutal ndaj Pazarit të Ri, për t` i shfarosur shqiptarët, por pa sukses, sepse andej pari kishte shkuar e tërë djalëria shqiptare dhe ishte vënë nën komandën e patriotit Aqif BLYTA.

Mbrojtja e Pazarit të Ri u organizua nga Aqif Blyta së bashku me 12 kryekomandantë shqiptarë, ku ishin Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Hoxhë Visoka, Mehmet Xhakja, Musli Dumoshi, Bislim Bajgora, Vëllezërit Selaci, Ukë Toverlani, Iliaz Bajrami, Ajet Mirofci, Ferhat Nishefci me disa çeta speciale etj. Lidhur me këtë, informatat nga terreni dëshmojnë se në Pazarin e Ri, gjatë nëntorit 1941, në trevat e Pazarit të Ri ishin 3154 shqiptarë shumë mirë të armatosur. Të gjithë këta ishin nga Zona e okupimit gjerman, por kishte dhe dy çeta nga viset e okupimit italian. Armatimi i tyre ishte i lehtë: pushkamitralozë me municion të mjaftueshëm (14), pushkë 2452, dhe bomba për sulme nga afërsia e pozicionimit frontal.