` . Bashkëpunimi i Komitetit të Kosovës me komitetet revolucionare maqedonase (bullgare) - TV SHENJA

Bashkëpunimi i Komitetit të Kosovës me komitetet revolucionare maqedonase (bullgare)

Nga faktorët e jashtëm, përveç Bullgarisë, rol të rëndësishëm në afrimin e lëvizjeve revolucionare shqiptare me ato maqedonase-bullgare ka luajtur edhe diplomacia italiane. Politikën e jashtme, lidhur me ndikimin në Ballkan, Italia e orientonte nëpërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Shkruan: Isamedin AZIZI, Shkup

Realiteti i ri gjeopolitik në Ballkan i krijuar pas luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore në dukje ishte i qëndrueshëm, por në thelb ishte një gjenerator i konflikteve luftarake në regjion gjatë gjithë shekullit XX. Si rrjedhojë e marrëveshjeve paqësore (asaj të Londrës, Bukureshtit dhe Parisit), faktori ndërkombëtar kishte vendosur për krijimin e shteteve të reja në Ballkan, duke mos i respektuar parimet bazë, si parimet etnike, gjeografike dhe ekonomike të këtyre shteteve. Si rezultat i këtij realitetit të ri në Ballkan, filluan lëvizjet për krijimin e një afërsie ndërmjet komiteteve revolucionare shqiptare dhe atyre maqedonase (Lëvizjet politike dhe të armatosura të popullatës sllave në territorin e Maqedonisë së Vardarit, për nga karakteri etnik, konsideroheshin ose si bullgare ose si maqedonase. Për këtë arsye në këtë shkrim përdoret herë termi maqedonas herë bullgar, varësisht nga dokumenti i shfrytëzuar.) Kontakte ndërmjet këtyre komuniteteve kishte pasur edhe më herët, por jo të këtyre përmasave. Dimensionet e këtyre relacioneve, gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, determinoheshin nga politikat reciproke dhe interesat strategjike kundër politikës serbomadhe, si dhe kundër faktorëve të jashtëm, interesa këto të cilët ishin të ndërlidhura në Ballkan.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u gjet në një udhëkryq të rrezikshëm sepse rreziku nga ndarja ishte më i shprehur se kurrë. Brenda një situate të këtillë, Lëvizja Kombëtare doli më e pjekur politikisht, duke kapërcyer pengesat që e përcollën deri në shpalljen e pavarësisë dhe pas saj. Kjo pjekuri politike del në pah edhe përmes veprimtarisë së veçantë që zhvilloi komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (Komiteti i Kosovës) nga fundi i vitit 1918.

Në këtë periudhë, në gjendje të njëjtë, mbase edhe më të rëndë, u gjet edhe populli maqedonas. Për shkak se dy popujt ndanin fatin e njëjtë dhe po të dy popujt ishin nën pushtimin e po të njëjtit shtet, bashkëpunimi ndërmjet tyre ishte më se i domosdoshëm. Në fillim të vitit 1919, bashkëpunimi ndërmjet komiteteve shqiptare dhe atyre maqedonase u ngrit në një nivel më të lartë, në atë të një lufte të organizuar kundër armikut të përbashkët. Në këtë kohë, raportet ndërmjet tyre lëkundeshin varësisht nga trazirat e brendshme politike në Shqipëri dhe në Bullgari, si dhe nga pozicioni ndërkombëtar i këtyre dy shteteve.

Nga faktorët e jashtëm, përveç Bullgarisë, rol të rëndësishëm në afrimin e lëvizjeve revolucionare shqiptare me ato maqedonase-bullgare ka luajtur edhe diplomacia italiane. Politikën e jashtme, lidhur me ndikimin në Ballkan, Italia e orientonte nëpërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë. Duke e konsideruar Mbretërinë e SKS-së si rivalin e saj kryesor për sundim në Adriatik e në Ballkan, Roma synonte ta pengonte procesin e konsolidimit të kësaj mbretërie. Për këtë qëllim, Roma ishte e interesuar që të shkaktojë konflikte të brendshme, duke përkrahur elementet separatiste në Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Slloveni dhe në Mal të Zi, nëpërmjet financimit të këtyre organizatave. Në morinë e këtyre masave nuk do të përjashtohet edhe përpjekja e Romës për ta shtënë në dorë, në mos të gjithë udhëheqjen e VMRO-së (organizatë revolucionare maqedonase-bullgare), të paktën disa nga përfaqësuesit kryesorë të kësaj organizate, e sidomos Petar Çaulevin, i cili disa herë kishte qëndruar në Shqipëri dhe në Itali. Sipas burimeve jugosllave, që nga fillimi i gjysmës së parë të vitit 1919, Italia vazhdimisht e ka përkrahur dhe ka ndihmuar “Komitetin shqiptaro-maqedonas” në Stamboll si dhe disa shoqëri të  tjera shqiptare në Sofje. Italia, e udhëhequr nga ideja për një veprimtari të përbashkët të armatosur ndërmjet komiteteve shqiptaro-maqedonase, veprimtarinë e Komitetit Maqedonas e ndihmon përmes furnizimit me armatim dhe përmes bartjes së udhëheqësve të këtij komiteti nga Bullgaria nëpërmjet Italisë për në Shqipëri.

Se ishte planifikuar një kryengritje e përbashkët e armatosur kundër Mbretërisë së SKS-së e udhëhequr nga Komiteti i Kosovës në fillim të vitin 1919, për këtë flasin shumë dokumente. Ndër to është korrespondenca ndërmjet Bajram Currit dhe Aleksandar Protogerovit, anëtar i lartë i KQ të VMRO-së, në të cilën ky i fundit i drejtohet me një shkresë Bajram Currit, si në vijim: “Zotëri kolonel, do të jeni si gjithmonë luftëtari i parë, udhëheqës dhe këshilltar për luftën të cilën do ta ndërmarrim për çlirimin e Kosovës dhe Maqedonisë”.

Në kohën kur kontaktet ndërmjet këtyre dy organizatave revolucionare ishin forcuar, nën presionin dhe kërcënimin e fuqishëm të Beogradit për intervenim ushtarak në zonat kufitare me Bullgarinë, zona ku kryesisht vepronin çetat komite bullgare-maqedonase, qeveria e Sofjes ishte e detyruar që të kërkojë nga këto çeta që përkohësisht t’i pushojnë të gjitha aktivitetet ushtarake në këtë zonë.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Nejit, formalisht dhe juridikisht u jepet fund iluzioneve që kishin Sofja, udhëheqësit e VMRO-së dhe komitetet e tjera maqedonase për mundësinë e bashkimit të Maqedonisë së Vardarit me Bullgarinë. Pas një vendimi të këtillë vjen deri te ndryshimi i kursit politik të VMRO-së në raport me statusin juridik të Maqedonisë. Në takimin e fshehtë të Komitetit Qendror të VMRO-së, mbajtur me 20 dhjetor 1919 në Sofje, qe vendosur për një qëndrim dhe organizim të ri të një lufte të armatosur kundër pushtetit serb me të vetmin qëllim për realizimin e idesë për një “Maqedoni Autonome”.

Aspirata e organizatave revolucionare politike maqedonase për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me organizatat revolucionare shqiptare lidhej me qëllimin e kësaj organizate për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta edhe me Qeverinë e Tiranës, me qëllim që në Shqipëri, respektivisht në Elbasan, të hapet një përfaqësi e tyre (selia perëndimore e VMRO-së). Nga ana tjetër, edhe Qeveria e Tiranës, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, ishte interesuar për të vendosur kontakte rreth bashkëpunimit me përfaqësuesit e Komitetit Maqedonas. Sipas historiografisë bullgare, me ndihmën e Italisë dhe Austrisë, në fillim të muajit maj të vitit 1920, arrihet një marrëveshje ndërmjet Aleksandar Protogerovit dhe qeverisë shqiptare, me të cilën është rënë dakord që Qeveria e Tiranës të lejojë jo vetëm hapjen e përfaqësisë së VMRO-së në Tiranë dhe në Elbasan, por edhe formimin e punkteve (bazave) logjistike në regjionin afër kufirit me Maqedoninë, përkatësisht në Strugë, Pogradec dhe në Korçë, të cilat do të shërbenin për transferimin e komitëve maqedonas nga kjo pjesë në pjesën e Maqedonisë së Vardarit.

Burimet historike na dëshmojnë se në gjysmën e parë të vitit 1920 aktivitetet për organizimin e një kryengritjeje antiserbe në mesin e shqiptarëve ishin në përfundim e sipër. Në qershor të vitit 1920 Azem Bejta udhëton në Bullgari për t’u dakorduar me “Komitetin Bullgar” për veprime të përbashkëta me çetat komite bullgare. Në mesin e gushtit të po këtij viti të njëjtat burime na bëjnë të ditur se një personalitet i rëndësishëm i Komitetit të Kosovës, i lindur në Prishtinë (mendohet për Hasan Prishtinën), ka qëndruar në Sofje për të kërkuar nga Komiteti Revolucionar Maqedonas që urgjentisht të organizojë një kryengritje në pjesën lindore të Maqedonisë së Vardarit kundër pushtetit serb, me të vetmin qëllim që kryengritja të zgjerohet dhe të lehtësohet pesha e kryengritjes, e cila tanimë kishte filluar në Dibër në gusht-shtator të vitit 1920.

Në vjeshtën e vitit 1921 udhëheqësit e organizatës revolucionare maqedonase të krahut federalist, si Pavel Hristov, dr. Filip Atanasov, Kërsto Ljondev dhe Hristo Cvetkov, arritën në Shqipëri, me shpresën se do të hasnin në një klimë të përshtatshme për bashkëpunim. Në fillim të dhjetorit 1921, në Kavajë, ata u takuan me Bajram Curin, Irfan Ohrin dhe me Qazim Kokoshin, para të cilëve prezantuan idenë e “Federatës Ballkanike” dhe kërkuan që të bashkoheshin me organizatat revolucionare bullgare ose, të paktën, t’u bëheshin krah në formimin e bazave revolucionare bullgare në pjesën e Shqipërisë në regjionin e Ohrit dhe të Prespës. Nga andej aktivistët bullgarë do të vepronin në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë, në realizimin e idesë së tyre për një “Federatë Ballkanike”. Ideja për një federatë të këtillë, e mbështetur në bazat e parimeve të idesë komuniste, nuk ishte e kapshme për shqiptarët, për shkak se një ide e tillë e bashkimit të të gjithë popujve sllavë në një shtet të përbashkët llogaritej si akt kundër interesave nacionale shqiptare. Për këtë arsye pala shqiptare nuk e pranoi këtë ide dhe i kërkoi delegacionit bullgar që ta lëshojë Shqipërinë.

Njëkohësisht, gjatë qëndrimit të federalistëve në Shqipëri, në fillim të dhjetorit 1921 në Durrës, arrin edhe gjenerali Aleksandar Protogerov, numri dy për nga hierarkia në organizatën e VMRO-së. Protogerovi në Shqipëri kishte dy objektiva kryesore: e para, eliminimin e efekteve politike të kundërshtarëve të tyre politikë në Shqipëri, të krahut federalist të udhëhequr nga Pavel Hristovi, të cilin e llogariste si agjent të Stamboliskit; dhe, e dyta, arritjen e një marrëveshjeje politike të përbashkët me shqiptarët. Rreth objektivit të dytë ai është takuar me përfaqësuesit më të lartë të Komitetit të Kosovës, si me Bajram Currin, Kadri Prishtinën dhe me Irfan Ohrin. Ndërkaq me  Hasan Prishtinën pritej të takohej pas kthimit të tij nga Vjena.

Agjenda e bisedimeve ndërmjet Protogerovit dhe patriotëve shqiptarë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët shkonte në drejtim të zgjidhjes së dy çështjeve kryesore: përcaktimit të vijës kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë eventuale autonome, ndërsa pasi do të arrihej një pajtim për pikën e parë, të fillonin përgatitjet për një bashkëpunim dhe koordinim të përbashkët për veprime luftarake. Në këtë drejtim, në dhjetor të vitit 1921, u nënshkrua një marrëveshje politike ndërmjet përfaqësuesve të Komitetit të Kosovës dhe përfaqësuesve të Komitetit Maqedonas.

Në historiografinë shqiptare këtë marrëveshje e ndeshim si “marrëveshje ndërmjet komiteteve shqiptare dhe atyre bullgare”, e nënshkruar me 20 dhjetor të vitit 1921 në Tiranë. Në dokumentin origjinal shihet se nga ana e komiteteve shqiptare Marrëveshjen e kanë nënshkruar Rexhep Mitrovica dhe prof. Bedri Pejani, ndërsa nga ana e komiteteve maqedonase marrëveshja është nënshkruar nga Aleksandar Protogerovi dhe dr. Filip Atanasovi. Sipas kujtimeve të Ivan Vanço Mihajllovit, në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kanë marrë pjesë edhe Hasan Prishtina, Hoxhë Kadria, Zija Dibra, Avni Rrustemi, Jashar Erebara, Hisni dhe Bajram Curri, si dhe Sejfi Vllamasi. Në thelb, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet një marrëveshje politike për një aleancë ofensive, ku dominojnë katër pika: 1. qëllimet e marrëveshjes; 2. kufiri shqiptaro-maqedonas; 3. ndihma e ndërsjellë; dhe 4. organizimi i përgjithshëm.

Sipas nenit 2 të kësaj Marrëveshjeje, qëllimet e një veprimtarie të përbashkët të këtyre dy komiteteve mes të tjerash ishin: “…. Çlirimi dhe bashkimi i Maqedonisë sipas kufijve të saj etnikë dhe gjeografikë, si dhe konstituimi i saj si shtet i pavarur dhe autonom si një “Republikë Federative”, sipas modelit të Zvicrës nga njëra anë, dhe çlirimi i Kosovës, pjesëve të Malit të Zi dhe të Çamërisë dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë, nga ana tjetër”.

Çështja e kufirit shqiptaro-maqedonas ishte një çështje, zgjidhja e së cilës hynte në kompetenca të të dyja shteteve të ardhshme fqinje. Megjithatë, komitetet në princip ishin pajtuar për vijën kufitare ndërmjet dy shteteve të ardhshme. Sipas propozimit të tyre, vija kufitare do të fillonte nga maja Cbevak, e cila do të shkonte nëpër Karadak (Mali i Zi i Shkupit), për të kaluar ndërmjet Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, e që do të arrinte deri në Malin Sharr dhe për të vazhduar më tej sipas vijës aktuale të kufirit shqiptaro-maqedonas, deri në Liqenin e Ohrit. Sipas kësaj marrëveshjeje, parashihej që banorët e Dibrës të shfrytëzonin të drejtën e tyre për të vendosur vetë për fatin e qytetit të tyre. Për sa i përket ndihmës së ndërsjellë, të dyja palët qenë dakorduar për kthimin e territoreve shqiptare të pushtuara nga Mali i Zi pas luftërave shqiptaro-malazeze në vitet 1878 dhe 1913. Në kontekst të kësaj, komitetet maqedonase kishin marrë për obligim që t’i jepnin përkrahje të fuqishme komiteteve shqiptare për t’i kthyer këto territore të humbura shqiptare. Këto komitete ishin dakorduar edhe për një ndihmë të ndërsjellë në lidhje me korrigjimin e kufirit shqiptaro-grek dhe atij maqedono-grek. Qe dakorduar gjithashtu që të gjithë emigrantëve shqiptarë dhe maqedonas, duke filluar nga viti 1878, që shënonte vitin e emigrimeve masive të shkaktuara nga Kriza e Madhe Lindore, t’u mundësohej shfrytëzimi i së drejtës për t’u kthyer në vendbanimet e tyre.

Në lidhje me çështjen në fjalë, një analizë të veçantë sigurisht kërkon edhe çështja e legjitimitetit të Komitetit të Kosovës dhe e drejta e tij që të nënshkruajë marrëveshje të një karakteri të tillë, ku përcaktoheshin kufijtë e projektimit të një Shqipërie më të madhe se sa që ishte, në një kohë kur ekzistonte shteti shqiptar dhe qeveria legjitime e saj.

Mirëpo, në bazë të analizave me të detajuara dëshmohet fakti se bisedimet dhe veprimtaritë e të dyja komiteteve zhvilloheshin në koordinim ose në dije të plotë me qeveritarët nga Tirana. Këtë e dëshmon edhe telegrami i përfaqësuesit italian në Shqipëri, Kastoldi, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, ku mes tjerash thuhet: “Sipas informatave të mia, ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë është pajtuar me një marrëveshje të tillë”. Njëri nga nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, Rexhep Mitrovica, në kohën e nënshkrimit ishte ministër aktual në qeverinë e Tiranës. Në dhjetor të vitit 1921, Këshilli i Lartë i Shtetit Shqiptar autorizoi Hasan Prishtinën për formimin e qeverisë. Duke pasur parasysh që ministër i Drejtësisë ishte zgjedhur Hoxhë Kadri Prishtina, ishte shumë e qartë se gjatë bisedimeve ndërmjet Komitetit të Kosovës dhe të VMRO-së njerëzit kyçë të këtij komiteti ishin në krye të qeverisë shqiptare.

Për rëndësinë e kësaj marrëveshje flet edhe vetë Todor Aleksandrovi, udhëheqësi kryesor i Organizatës Revolucionare Maqedonase, i cili deklaron se “Vendosja e bashkëpunimit të VMRO-së me Komitetin e Kosovës është shumë e rëndësishme për ne dhe po zhvillohet shumë mirë, ndërsa raportet mes nesh janë më se miqësore, të mbështetura në përkrahje të ndërsjellë”. Mirëpo, përveç disa aktiviteteve të tjera të parëndësishme, nuk kishte ndonjë aktivitet ose kryengritje më të organizuar, kjo edhe për shkakun se pozicioni i VMRO-së në Bullgari u vështirësua pas ardhjes në pushtet të Aleksandër Stamboliskit në vitin 1922, i cili u afrua me qeverinë e Beogradit, me ç’rast, me kërkesë të Beogradit, filloi përndjekja e aktivistëve të organizatave revolucionare maqedonase. Në një situatë të tillë, një pjesë e këtyre aktivistëve kaluan në Shqipëri, një pjesë nga Shqipëria u transferuan në Itali, ndërsa një pjesë tjetër, veçanërisht krahu i djathtë i VMRO-së, u bashkuan me forcat reaksionare bullgare dhe kontribuuan në rrëzimin e Qeverisë së Stamboliskit në qershor të vitit 1923.

Viti 1924 ishte vit i ngjarjeve të rëndësishme, i cili kishte ndikim të theksuar në raportet ndërmjet organizatave revolucionare shqiptare dhe atyre maqedonase. Në krye të qeverisë shqiptare erdhi Fan Noli. Qeveria e Beogradit, duke mos e njohur qeverinë e Nolit, çështjen e veprimtarisë të Komitetit të Kosovës dhe të Komitetit Maqedonas në territorin shqiptar e paraqiti si një nga problemet kryesore në raportet me Shqipërinë, me akuzën se Shqipëria ishte shndërruar në çerdhe të këtyre komiteteve. Që të jenë sa më të besueshme akuzat e Beogradit, ajo këtë çështje e ngriti në Shoqatën e Kombeve dhe në Konferencën e Ambasadorëve, duke e akuzuar Tiranën se, së bashku me çetat revolucionare maqedonase, po përgatitet për ta marrë manastirin e “Shën Naumit”.

Pas kthimit të serishëm të Zogut në krye të shtetit shqiptar, nën presionin e Beogradit, vjen deri te ngushtimi i hapësirës së aktiviteteve politike të Komitetit të Kosovës dhe të Komitetit Maqedonas. Gazeta “Politika”, në këtë kohë, konstaton se me ardhjen e Zogut në krye të qeverisë shqiptare “për udhëheqësit e çetave shqiptare dhe bullgare më nuk do të ketë jetë në Shqipëri”.

Viti më i rëndë për të dyja komitetet ishte viti 1924. Nga Komiteti i Kosovës u vranë udhëheqësit kryesorë të tij: Azem Bejta e Elez Jusufi, ndërsa nga Komiteti Maqedonas u vranë udhëheqësi Todor Aleksandrov dhe Petar Çaulevi. Në vitin 1925 u vra edhe Bajram Curri dhe ndërroi jetë Hoxhë Kadri Prishtina. Të gjitha këto ndodhi i lanë nën hije aktivitetet e përbashkëta të këtyre komiteteve.

Aktivitete të përbashkëta politike të këtyre dy organizatave do të hasim edhe në vitin 1926. Më 10 shkurt 1926, Hasan Prishtina, në emër të Komitetit të Kosovës, dhe Dimitar Vllahov, Georgi Zankov dhe Vlladimir Pop Tomov, në emër të VMRO-së (së bashkuar), nënshkruan protokoll për bashkëpunim. Sipas këtij protokolli, dy organizatat ishin dakorduar që të krijohet Republika e Shqipërisë me Kosovën brenda saj, Maqedonia e pavarur dhe Federata Ballkanike në cilësinë e një fronti të vetëm revolucionar. Në sajë të përpjekjeve dhe ndërmjetësimit të VMRO-së (së bashkuar) në vitin 1927, u krijua i ashtuquajturi Komiteti për Bashkëpunim i lëvizjeve nacionale dhe revolucionare në Ballkan. Të deleguar në këtë organizatë ishin: Dimitar Vllahovi, në cilësinë e përfaqësuesit të VMRO-së (së bashkuar); Hasan Prishtina dhe Fan Noli, në cilësinë e përfaqësuesit të komiteteve shqiptare, dhe të deleguar të tjerë në cilësinë e përfaqësuesve të Organizatës revolucionare të Dobruxhës dhe të Komitetit të Trakisë. Edhe kjo marrëveshje, sikurse ajo e dhjetorit të vitit 1921, mbeti vetëm në kuadër të raporteve politike dhe pa kurrfarë aktivitete konkrete.

Aktivitetet politike të bashkëpunimit ndërmjet Komitetit të Kosovës dhe organizatave revolucionare maqedonase-bullgare me ndihmën edhe të Italisë, do të paraqiten nga viti 1931 e deri në vitin 1933. Në vitin 1931 përfaqësuesi italian në Vjenë, z. Macoti, në takimin me Hasan Prishtinën kishte biseduar për mundësinë e organizimit të një organizate ushtarake me pjesëmarrjen e emigrantëve shqiptarë nga Kosova, në rast se Italia dhe Shqipëria do të hynin në konflikt me Jugosllavinë. Prishtina kishte intervenuar te Mustafa Qemal Ataturku dhe te ministri i Luftës, Fehz Pasha që të marrë pëlqimin e tyre për organizimin e formacioneve ushtarake të emigrantëve kosovarë dhe transferimin e tyre në Shqipëri me ndihmën e Turqisë. Ai kishte menduar se mund të mobilizoheshin rreth 12 mijë burra. Sipas burimit të njëjtë, Hasan Prishtina zhvillonte bisedime edhe me Organizatën Revolucionare Maqedonase të Ivan Vanço Mihajllovit, për mundësinë e krijimit të një aleance të përbashkët, sepse me krahun federalist të kësaj organizate ishte në raporte shumë të mira.

Në një dokument tjetër Macoti raporton për një takim tjetër të radhës me Hasan Prishtinën në vitin 1932. Sipas këtij burimi thuhet se “këto ditë H. Prishtina planifikon të shkojë në Bullgari në takim me Ivan Mihajllovin, shefin e ORM”. Gjatë takimit me Prishtinën është bashkëbiseduar për mënyrën se si do të zhvilloheshin bisedimet ndërmjet Hasan Prishtinës dhe Mihajllovit për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje eventuale për ndarjen e ndikimit politik dhe territorial ndërmjet komiteteve në Maqedoni edhe në Kosovë. Më herët, Prishtina kishte informuar Macotin se është takuar me Evtimovin në Gjenevë dhe se ishte shumë i sigurt në misionin e tij për arritjen e një marrëveshjeje konkrete me Mihajllovin. Në rast se do të arrihej një marrëveshje me Maihajllovin, Prishtina kishte kërkuar nga Macoti përkrahje financiare nga shteti italian për organizimin dhe aktivizimin e komiteteve në Tetovë, Dibër dhe Shkup. Përfaqësuesi italian i kishte sugjeruar Hasan Prishtinës që për shkak të krizës ekonomike për një kohë të anuloheshin të gjitha aktivitetet revolucionare në Kosovë dhe në pjesën e Maqedonisë së Vardarit. Gjithashtu, kishte informuar Prishtinën se përkrahja financiare që është kërkuar nga ai, nuk mund t’i ndahej para takimit me Mihajllovin, sepse Italia dëshiron ta dijë edhe mendimin e Mihajllovit, “…e sugjerova Prishtinën që të shkojë në takim me Mihajllovin në Bullgari, dhe nëse është e mundur vetëm gojarisht të merren vesh me Mihajllovin. Nëse një marrëveshje e tillë do të ishte në favor të interesave tona, atëherë kjo marrëveshje do të mund të realizohej edhe praktikisht.” …“Me Hasan Prishtinën u dakorduam që para se ai të shkonte në Konstantinopojë, të takohemi edhe një herë në Budapest, për të më informuar për takimin e tij me Mihajllovin dhe për mendimin e këtij të fundit në rast të shpërbërjes së Mbretërisë Jugosllave, nëse është për një Maqedoni autonome në kuadër të Federatës Bullgare ose për një Maqedoni të lirë të pavarur me sistem federal, ngjashëm me sistemin kantonal të Zvicrës”. Dymbëdhjetë vjet pas nënshkrimit të së ashtuquajturës “Marrëveshje e Tiranës” ndërmjet përfaqësuesve të Komitetit të Kosovës dhe Komitetit Maqedonas dhe pas disa vitesh raporte “të ngrira” të përcjella me vrasje politike nga të dyja palët, në rrethana të tjera, në takimin në Sofje ndërmjet Ivan Vanço Mihajllovit dhe Hasan Prishtinës, jozyrtarisht është biseduar për kufizimin ndërmjet dy vendeve. Në këtë takim Hasan Prishtina deklaron “…nëse vjen deri te bashkimi i Maqedonisë me Bullgarinë, ne shqiptarët do të insistojmë që të gjitha vendet e banuara me shumicë shqiptare në Maqedoni të hyjnë në kuadër të shtetit shqiptar. Por, nëse krijohet një Maqedoni e pavarur, atëherë këto territore duhet të mbeten në kuadër të këtij shteti dhe do të veprohet sipas modelit të Zvicrës”.

Me 24 prill 1933 është nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Hasan Prishtinës, Ivan Mihajllovit dhe dr. Ante Paveliqit. Me këtë marrëveshje parashihej bashkëpunimi ndërmjet lëvizjeve që ata i përfaqësonin për veprimtari të përbashkëta kundër Mbretërisë Jugosllave dhe për krijimin e “shteteve të pavarura të Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në kufijtë e tyre historikë dhe gjeografikë”. Kjo marrëveshje nuk arriti të realizohet në vepër, përveç tjerash, edhe për shkak të vrasjes së Hasan Prishtinës më 31 gusht 1933.

Një fat të ngjashëm patën edhe Organizatat Revolucionare Maqedonase, që vepronin në Bullgari, sidomos ajo e VMRO-së. Në vitin 1934, qeveria e Kimon Georgievit do tA ndalojë me ligj funksionimin e këtyre organizatave revolucionare. Ivan Mihajlovi, udhëheqësi i VMRO-së, do t’i urdhërojë të gjithë pasuesit e tij që në mënyrë të qetë t’iA dorëzojnë armët qeverisë, ndërsa vetë ai do të largohet nga Bullgaria. Me këtë pushojnë së ekzistuari të dy krahët e VMRO-së.

Për ta rrumbullakuar këtë çështje, do të përmendim faktin se Dokumenti i Marrëveshjes Politike i nënshkruar nga Komiteti i Kosovës dhe përfaqësuesit e të dyja krahëve të Komitetit Maqedonas, më 20 dhjetor 1921 në Shqipëri, është shfrytëzuar si dokument shtetëror, gjegjësisht si dokument valid dhe me interes të lartë shtetëror nga ana e qeverisë fashiste të Bullgarisë gjatë bisedimeve me Italinë fashiste për përcaktimin e zonave okupuese në pjesën e Maqedonisë së Vardarit në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Se marrëveshja në fjalë ishte e rëndësishme për qeverinë fashiste bullgare, flet edhe vetë fakti se pak kohë para se të futej ushtria bullgare në Mbretërinë Jugosllave, gjegjësisht në Maqedoninë e Vardarit, ky dokument i dorëzohet kryetarit të Qeverisë së Bullgarisë, Bogdan Fillov, me të vetmin qëllim për të treguar të “drejtën bullgare” mbi territoret e Maqedonisë.