` . Basha: Raporti i ODIHR konfirmoi 25 Prillin si masakër elektorale - TV SHENJA

Basha: Raporti i ODIHR konfirmoi 25 Prillin si masakër elektorale

Duke e cilësuar vulë turpi raportin e OSBE-ODIHR-it, Lulzim Basha në krah të Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi dhe deputetit Oerd Bylykbashi tha se dokumenti përfundimtar konfirmoi se 25 Prilli ishte një masakër elektorale.

“Ky raport ka konfirmuar atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve e dinë që 25 Prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Konfirmon atë që ne kemi thënë prej ditës së parë, që 25 Prilli ishte një masakër zgjedhore”.

Arsye bindëse kjo për kryedemokratin për të mos e njohur rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

“Të pranosh si legjitim rezultatin është si të pranosh masakrën, jo se njohim”.

Ndaj dhe përgjegjësinë ligjore ia la në derë SPAK-ut, të cilin e ftoi të hetojë dosjet e krimeve elektorale.

“Është detyrë e SPAK të ndjekë me përparësi dosjet e krimeve zgjedhore, përfshirë ato që kanë zënë pluhur e të ndalë ping pongun me këto dosje. Të mos lirohen autorët e dosjes 339 por të ndëshkohet kushdo në veçanti ortakët politikë që masakruan çdo standard zgjedhor që zhbënë të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur të lirë”.

Raporti i OSBE kritikoi ngritjen e strukturave partiake për mbrojtjen e votës. Por Basha thotë se këto struktura janë të nevojshme kur vota nuk mbrohet nga institucionet.

“Unë uroj që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë asnjë parti nevojë për të ngritur një strukturë, por detyrën për mbrojtjen e votës ta kryer Policia dhe Prokuroria”.

Basha paralajmëroi një betejë në të gjitha frontet, duke lënë të kuptohet se me rikthimin në Kuvend, betejë e parë do të jetë reforma zgjedhore.

“Detyra para nesh është më e madhe sesa ribërja e një reforme gjithëpërfshirëse e reforma elektorale për t’i dhënë shqiptarëve një kod zgjedhor që garanton fshehtësinë e votës”.

Kryedemokrati refuzoi t’i përgjigjet pyetjes nëse do t’i kërkojë Sali Berishës të largohet nga grupi parlamentar, standard që e ndoqi edhe për Tom Doshin pasi u shpall non grata nga SHBA.

“Nuk do komentoj asnjë çështje që del jashtë këtij raporti”. /Klan/